Më 17 tetor në Tiranë, në sheshin Skënderbej, do të mbahet një protestë marshim duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi prej 5 vitesh mbahen në paraburgimin e Hagës të akuzuar për krime lufte, akuza të cilat i mohojnë.
Organizatori i kësaj proteste që është parashikuar për t’u mbajtur në Tiranë më 17 tetor, Hysni Gucati, në një intervistë për Report Tv në emisionin “Sot Live në Shqipëri”, ka zbuluar arsyet përse është zgjedhur Tirana. Dhe sipas tij janë dy arsye.
“Tirana është gjeneza e UÇK-së dhe prandaj dëshironim të kishim një protestë kombëtare. Arsyeja e dytë është angazhimi i madh iI qeverisë shqiptare për lirimin e atyre burrave që janë në Hagë”, u shpreh Gucati.
Ku i fundit theksoi se protesta të ngjashme mund të organizohen edhe në Maqedoninë e Veriut në të ardhmen, por jo momentalisht për shkak të situatës politike aty.
Ai shtoi gjithashtu se mund të organizohen edhe në kryeqytete evropiane, siç ndodhi disa ditë më parë, ku protestues u mblodhën pikërisht në Hagë të Holandës, duke kërkuar drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në burg.
Komente
