Këshilli i Lartë i Prokurorisë

Drejtësia e re/ 12 kandidatët për SPAK, dosjet e ‘nxehta’ dhe dritëhijet e tyre

5 Shkurt 2019, 07:10| Përditesimi: 5 Shkurt 2019, 10:19

  • Share

Ka shkuar në 12 numri i kandidatëve, të cilët kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, e projektuar për të hetuar çdo akuzë penale ndaj pushtetarëve dhe ish-pushtetarëve shqiptarë si dhe 18 vepra penale të korrupsionit, përfshirë edhe shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike. Ditën e djeshme, për t’u bërë pjesë e SPAK-ut ka aplikuar edhe prokurori në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, Behar Dibra, ndërsa nesër (6 shkurt) përfundon afati i përcaktuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Në fund të javës së kaluar, shprehu interesin për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, edhe prokurori në Prokurorinë e Dibrës, Shkëlzen Cena. Dy aplikimet e fundit erdhën pas reagimit të përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në Tiranë, të cilët u bënë thirrje prokurorëve të pavarur dhe me integritet që të aplikonin për t’u bërë pjesë e SPAK-ut.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka shpallur 15 vende vakante, por Prokuroria e Posaçme mund të ngrihet dhe të funksionojë fillimisht edhe me një numër më të ulët prokurorësh, për shkak të kompetencave të kufizuara. Sipas Kushtetutës së ndryshuar dhe ligjit për organet e reja anti-korrupsion, Prokuroria e Posaçme ka në kompetencë vetëm veprat penale të korrupsionit si dhe çdo akuzë ndaj penale kundër Presidentit të Republikës dhe ish-presidentëve, Kryetarit të Kuvendit dhe ish-krerëve të Kuvendit, kryeministrit dhe ish-kryeministrave, ministrave dhe ish-ministrave, anëtarëve dhe ish-anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, anëtarëve dhe ish-anëtarëve të Gjykatës së Lartë, prokurorit të Përgjithshëm dhe ish-kryeprokurorit, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, deputetëve dhe ish-deputetëve, kryetarëve të bashkive dhe ish-kryebashkiakëve, zëvendësministrave dhe ish-zëvendësministrave, anëtarëve të KLP dhe KLGJ, drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj. Ndërkaq, ngritja e Prokurorisë së Posaçme do t’i hapë rrugë edhe formimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, e cila do të funksionojë dhe veprojë nën varësi dhe për llogari të Prokurorisë së Posaçme.

12 kandidatët për SPAK-un

Anton Martini

Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Më parë ka mbajtur postin e drejtuesit të prokurorisë së Shkodrës, por edhe pozicione të tjera. Anton Martini ka ndërtuar dosjen e famshme të përgjimeve 339, e cila është bërë mollë sherri mes palëve politike në Tiranë. Dosja është hartuar mbi aktivitetin e paligjshëm të ‘grupit të Avdylajve’, por opozita pretendon se në përgjime kanë dalë përfaqësues të shumicës. Disa nga dosjet e tjera që kanë kaluar në duart e prokurorit Martini janë; Banda e Lushnjes, banda e Durrësit, banda e Cërrikut, Arben Froku, Lazarati, përfshirë vrasjen e Policit të RENEA-s Ibrahim Basha.

Eneid Nakuçi

Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Nakuçi ka hetuar dosjet e grabitësve të blindave me para në aksin Kashar-Rinas si dhe dosjen e Arben Frrokut, për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Nakuçi ishte pjesë e treshes së prokurorëve të Krimeve të Rënda që ankimuan në Apel vendimin e shkallës së parë për pafajësinë së biznesmenit Arben Frroku, duke kontribuar në dënimin e Frrokut me burgim të përjetshëm. Nakuçi ka në duar edhe dosjen e Klement Balit, ndërsa ishte në grupin e prokurorëve që braktisën dosjen Shullazi.

Edvin Kondili

Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Njihet si prokuroi i dosjes së 613 kg kokainë të kapur në kontenierin e bananeve në Maminas. Gjithashtu, Kondili njihet si prokurori i dosjes së famshme Xibraka dhe i ngjarjes së rëndë në Lazarat ku mbeti i vrarë efektivi Ibrahim Basha. Edvin Kondili ka hetuar edhe grupin e Admir Tafilit. Po ashtu, Edvin Kondili ka pasur në duart edhe dosjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Remzi Hoxhës. Ndërkaq, Edvin Kondili ishte pjesë e grupit të prokurorëve që u rebeluan kundër Arta Markut dhe Donika Prelës për dosjen e Shullazit. Kondili po nënshtrohet procesit të Vetingut, ndërsa pritet njoftimi i seancë dëgjimore nga KPK. Emri i tij është përzgjedhur me anë të shortit në 17 shtator 2018.

Eugen Beci

Prokuror i njohur në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Ka drejtuar Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Beci e ka nisur fillimisht karrierën e tij si gazetar në RTSH. Ai ka pasur rol kryesor në hetimin e disa çështjeve të bujshme, si ajo e Dritan Dajtit dhe të bandës së tritolit. Po ashtu, Beci ka hetuar çështjen e Arben Frrokut, çështjen e Lazaratit, grupin e kokainës në Xibrakë, grupeve të strukturuara kriminale në shpërthimet me tritol, vrasjeve me pagesë, grabitjeve dhe shumë çështjeve të tjera të hetuara nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Më datë 4 mars 2015, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla vendosi të shkarkonte Becin si drejtues i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke e transferuar në Elbasan. Beci po i nënshtrohet procesit të Vetingut, ndërsa pritet njoftimi i seancë dëgjimore nga KPK.

Besnik Muçi

Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Muçi kandidoi edhe për drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme në fund të vitit 2017, pas largimit të Adriatik Llallës. Pas përplasjeve me kryeprokurorin e kohës Theodhori Sollaku, Muçi dha dorëheqjen nga prokuroria dhe më pas filloi punë pranë Policisë së Shtetit. Pas largimit të Sollaku, Muçi u rikthye sërish prokuror pas një vendimi të marrë nga Ina Rama, e cila e caktoi tek Prokuroria e Krimeve të Rënda. Muçi është përplasur dhe ka hedhur akuza edhe në adresë të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Sa i takon dosjeve, Muçi njihet si prokurori që ka hetuar bandën e Lushnjes. Ai është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Vetingut, por ky vendim është ankimuar nga Komisioneri Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Dritan Prençi

Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Është një nga prokurorët e çështjes ‘Tahiri’ dhe ‘Sota’. Premçi ishte edhe pjesë e grupit të prokurorëve të cilët kanë përfaqësuar akuzën në Gjykatën e Shkallës së Parë kundër të arrestuarit Nazer Seitaj, i cilësuar nga prokuroria e Katanias, si financieri i grupit kriminal që drejtohej nga Moisi Habilaj. Prokurori Premçi ka kaluar me sukses dhe pa diskutime filtrin e trefishtë të Vetingut. Vendimi për konfirmimin e tij në detyrë nuk është apeluar as nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe as nga Komisioneri Publik.

Shkëlzen Cena

Prokuror në Prokurorinë e Dibrës. Cena e ka nisur detyrën e tij në vitin 1998 dhe ka mbajtur postin e prokurorit në Prokurorinë e Kurbinit, më pas ka kaluar në Gjykatën e të njëjtit rreth deri në momentin që ka kaluar në prokurorinë e Dibrës.

Vladimir Mara

Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Mara njihet si pjesë e grupit të prokurorëve të çështjes ‘Tahiri’. Gjithashtu, Mara është pjesë e prokurorëve të dosjes ‘Volvo 4’, ku u arrestuar 27 persona, përfshirë edhe ish dy deputetët e Partisë Socialiste, Arben Çuko dhe Arben Ndoka. Pas këtij operacioni, policia mori në mbrojtje prokurorin Mara dhe gjyqtarin e çështjes Bibë Ndreca. Prokurori Mara po i nënshtrohet Vetingut, ndërsa pritet të dalë para KPK në ditët në vijim.

Arben Kraja

Prokuror në Prokurorisë së Përgjithshme. Kraja është i njohur si prokurori i dosjes së abuzimeve me fondet e rrugës Durrës-Kukës, ku u hetua edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili shpëtoi me procedurë. Kraja ka kaluar procesin e Vetingut, ndërsa vendimi për konfirmimin e tij në detyrë ka marrë formë të prerë pasi nuk është ankimuar në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.

Doloreza Musabelliu

Prokurore në Prokurorinë e Tiranës. Është kandidatura e vetme grua që ka aplikuar për t’u bërë pjesë e SPAK-ut. Doloreza Musabelliu është prokurorja e parë që ka hetuar Emiljano Shullazin në vitin 2007. Në atë kohë, prokurorja Musabelliu kërkoi 18 vite burg për Shullazin. Musabelliu ka hetuar edhe çështjen e avionit të pilotuar nga Guido Guidi, i cili u rrëzua në grykëderdhjen e lumit Ishëm, por që prokuroria nuk vërtetoi nëse me të do të kryhej trafik droge.

Behar Dibra

Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe pjesë e grupit të prokurorëve që braktisën dosjen Shullazi, duke u rebeluar kundër Arta Markut dhe Donika Prelës. Pas refuzimit për të marrë pjesë në shortin për dosjen Shullazi, kryeprokurorja Arta Marku urdhëroi nisjen e një hetimi disiplinor për Dibrën. Behar Dibra është pjesë e listës së prokurorëve të cilët po i nënshtrohen aktualisht procesit të Vetingut, por që nuk është caktuar ende data për zhvillimin e seancës dëgjimore, për t’u njohur me rezultatet e verifikimit.

Klodian Braho

Prokuror në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Braho ka shërbyer në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë ku u bë i njohur si njeriu që hetoi dhe çoi në gjyq ish-kryebashkiakun Shpëtim Gjika, pasi ky i fundit akuzohej për shpërdorim detyre në falsifikimin e dokumenteve për dhënien e lejeve të ndërtimit. Pas Vlorës, Braho transferohet në Tiranë në detyrën të cilën e mban edhe aktualisht. Në këtë prokurori, Braho po heton një tjetër dosje të nxehtë, atë ndaj ish-prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla i vënë nën hetim për pastrim parash dhe fshehje pasurie. Së fundi, Klodian Braho çoi në pranga gjyqtarin e Fierit, Roland Hysi i cili u filmua teksa kërkonte favore seksuale për një vendim, ndërsa ishte paguar edhe 5 mijë euro nga një grua për marrjen me vendim gjykate të kujdestarisë së fëmijës së saj.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?