Gurali Brahimllari

Drejtësia e re/ 5 huatë që ‘fundosën’ gjyqtarin Gurali Brahimllari

15 Shtator 2019, 08:31| Përditesimi: 15 Shtator 2019, 09:31

  • Share

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me trupë gjykuese të përbërë nga Roland Ilia, Brunilda Bekteshi dhe Genta Tafa, në 26 qershor të këtij viti shkarkoi nga detyra gjyqtarin e Apelit të Krimeve të Rënda Gurali Brahimllari, për shkak të problemeve me pasurinë. Sipas vendimit të shkarkimit, përpos të tjerave, gjyqtari nuk justifikon me dokumentacion pesë nga 13 huat që u ka marrë kryesisht vëllezërve dhe kunatit të tij. Konkretisht, trupa gjykuese ka arritur në konkluzionin se gjyqtari nuk justifikon huat në shumat 1.500.000 lekë dhe 19.000 euro marrë hua nga kunati A. S si dhe shumat 2.000.000 lekë, 1.000.000 lekë dhe 10.000 euro marrë hua nga shtetasit P. B dhe B. B, përkatësisht vëllezërit. Në total, gjyqtari ka marrë 13 hua. Shumat në fjalë janë përdorur për blerjen e pasurive të paluajtshme. Në lidhje me konstatimin e trupit gjykues, për huanë e dhënë nga kunati, gjyqtari Brahimllari ka sqaruar se “shuma e marrë hua nga kunati, z. S. është depozituar në datën 23.10.2003, në “Alpha Bank” në emër të bashkëshortes ...në lidhje me aftësinë paguese të kunatit, A. S. (alias B. V.), deklaroj se ka emigruar në Greqi që në vitin 1991, fillimisht në qytetin e Larisës, ku u punësua në një dyqan lulesh, e më pas rreth vitit 1994... ka qëndruar në mënyrë permanente në Greqi në vendet e sipërcituara... Ai dhe familja e tij kanë ndërtuar ekonominë e tyre me punë, por si edhe shumë shqiptarë që punojnë e jetojnë në emigracion..., A. ka punuar kryesisht në ndërtim...”. I pyetur nga komisioni për huanë prej 2 000 000 lekësh që i ka marrë vëllait, Gurali Brahimllari ka pohuar se  “Burimi i krijimit të huas ka qenë kryesisht pjesë e të ardhurave nga aktiviteti tregtar i shoqërisë “E.” sh.p.k., që pasqyrohen në të dhënat bankare në “Tirana Bank””. Pretendimet e gjyqtarit janë hedhur poshtë nga komisioni.

“Trupi gjykues, pasi shqyrtoi dokumentacionin e administruar, në raport me shpjegimet e subjektit, vlerëson se pretendimi i tij në lidhje me burimin e ligjshëm të shumës 2.000.000 lekë të dhënë hua nga i vëllai, me cilësinë e personit tjetër të lidhur, se ka si burim krijimi kursimet e këtij të fundit, nuk qëndron për faktin e konstatuar nga transaksioni bankar, se kjo shumë është tërhequr nga llogaria e kompanisë. Për këtë shkak subjekti duhet të provonte pagesën e tatimit për këtë shumë të tërhequr nga vëllai i tij. Komisioni nuk ka vënë në diskutim faktin nëse kompania e administruar nga vëllai i subjektit ka pasur ose jo të ardhura të mjaftueshme, likuiditete të disponueshme apo fitim neto për t’ia vënë në dispozicion subjektit, por është përqendruar te detyrimi që vëllai i tij ka pasur për të paguar tatimin mbi çdo shumë të përfituar nga fitimi i shoqërisë”, thuhet në vendim.

Figura dhe aftësisë profesionale

Gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda Gurali Brahimllari ka kaluar me sukses dy testet e tjera të Vetingut, pastërtinë e figurës dhe aftësisë profesionale. “Në përfundim të rivlerësimit për kontrollin e kriterit të figurës, trupi gjykues konkludon se subjekti i rivlerësimit, z. Gurali Brahimllari, arrin nivel të besueshëm në kontrollin e figurës... Për të gjitha shkaqet dhe arsyet e sipërpërmendura, trupi gjykues, pas rivlerësimit të raportit të grupit të punës, fakteve publike, denoncimeve, nuk gjeti indice, apo elemente që mund të ngrenë dyshime për paaftësi profesionale dhe, pas rekomandimit të relatores së çështjes, arrin në përfundim se subjekti i rivlerësimit ka arritur nivel kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale, sipas germës “c”, të pikës 1, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016”, thuhet në vendim.

Huat

Komisioni i Vetingut ka arritur në konkluzionin se gjyqtari Brahimllari nuk justifikon huat në shumat 1.500.000 lekë dhe 19.000 euro marrë hua nga kunati A. S si dhe shumat 2.000.000 lekë, 1.000.000 lekë dhe 10.000 euro marrë hua nga shtetasit P. B dhe B. B, përkatësisht vëllezërit.

Testet e tjera

Sipas vendimit të KPK, Gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda Gurali Brahimllari ka kaluar me sukses dy testet e tjera të Vetingut, pastërtinë e figurës dhe aftësisë profesionale.

13 huat e gjyqtarit

  1. 2,000,000 lekë shtetasit B. B
  2. 685,850 lekë shtetasit B. B
  3. 1,371,700 lekë shtetasit B. B
  4. 694,050 lekë shtetasit B. B
  5. 2,082,150 lekë shtetasit B. B
  6. 694,050 lekë shtetasit B. B
  7. 1,000,000 lekë shtetasit P. B
  8. 1,000,000 lekë shtetasit P. B
  9. 411,510 lekë shtetasit P. B
  10. 694,050 lekë shtetasit P. B
  11. 1,500,000 lekë shtetasit S. S
  12. 2,340,468 lekë shtetasit A. S
  13. 700,000 lekë shtetasit K. B

Konkluzionet e KPK, 6 arsyet e shkarkimit të  Gurali Brahimllarit

1. Për pasuritë e krijuara përpara vitit 2003, ka mungesë të të ardhurave në shumën 951.756 lekë, për të justifikuar: i. blerjen dhe ndërtimin e pasurisë nr. 1 në vitet 1997  1998, si dhe ka deklaruar në mënyrë të pasaktë vlerën e shpenzuar për ndërtimin e pasurisë shtesë me sip. 16 m2; ii. investimin në pasurinë nr. 2 në vitin 2000; iii. Ndërtimin e klinikës dentare në qytetin e Kuçovës në vitin 1995, si dhe ka kryer deklarim të pasaktë lidhur me vlerën e shpenzuar për ndërtimin e kësaj klinike.

2. Ka mungesë dokumentacioni justifikues për të provuar burimin e ligjshëm të shumës 1.500.000 lekë (dhënë hua nga shtetasi A. S.), sipas parashikimit të pikës 4, të nenit 32, të ligjit nr. 84/2016.

3. Ka mungesë dokumentacioni justifikues për të provuar burimin e ligjshëm të shumës 19.000 euro (dhënë hua nga shtetasi A. S.), sipas parashikimit të pikës 4, të nenit 32, të ligjit nr. 84/2016.

4. Nuk arriti të shpjegojë bindshëm, sipas nenit D të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, burimin e ligjshëm të shumës 2.000.000 lekë, marrë hua nga vëllai i tij, shtetasi B. B. .

5. Për pasurinë nr. 4:

i. ka mungesë të të ardhurave në shumën 899.670 lekë për të justifikuar pagesën e shumës 49.000 euro në vitin 2008;

ii. nuk ka deklaruar këstin e paguar në datën 18.10.2008, në shumën 10.000 euro;

iii. nuk ka deklaruar gjendjen cash në shumën prej 6.536 euro sipas pretendimit të tij se ka paguar shumën 20.000 euro në fund të muajit dhjetor të vitit 2008, si dhe nuk ka

deklaruar gjendjen cash në shumën 1.291.185 lekë, të pretenduar në tabelën e përllogaritjeve nga eksperti kontabël, po për vitin 2008.

iv. ka mungesë të të ardhurave në shumën 2.172.082 lekë, për të justifikuar pagesën e

shumës 41.000 euro deri në datën 3.6.2009;

v. ka kryer deklarim të rremë lidhur me burimin e krijimit të këstit prej 41.000 euro në vitin 2009, pasi ka deklaruar si burim krijimi të tij dy hua të marra përtej shlyerjes, përkatësisht në shumën 1.000.000 lekë, marrë shtetasit P. B., në datën 14.8.2009 dhe 10.000 euro marrë shtetasit B. B., në datën 17 shtator të po këtij viti.

vi. nuk ka deklaruar gjendjen cash në shumën 1.291.185 lekë, të pretenduar në tabelën e

përllogaritjeve nga eksperti kontabël të vitit 2008 mbartur për shpenzimet e gjashtë

mujorit të parë për vitin 2009.

vii. nuk arriti të shpjegojë bindshëm burimin e krijimit të shumës 10.000 euro marrë hua nga vëllai i tij, shtetasi B. B. në 14.8.2009, sipas pikës 4, të nenit 32, të ligjit nr. 84/2016.

viii. nuk arriti të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të shumës 1.000.000 lekë, marrë

hua nga vëllai i tij, shtetasi P. B., në gusht të vitit 2009, sipas pikës 4, të nenit 32, të ligjit

nr. 84/2016.

ix. ka mungesë të të ardhurave në shumën 9.912.391 lekë (nga të cilat 6.840.639 lekë për

vitet 2008 – 2016 dhe 3.071.752 lekë për këstet deri në tetor të vitit 2008 dhe qershor të

vitit 2009) për të justifikuar blerjen e kësaj pasurie, për shlyerjen e huave të marra,

kësteve të kredive në shumën 25.000 euro dhe 50.000 euro, si dhe për kryerjen e

shpenzimeve të tjera të familjes së tij, përgjatë viteve 2008 – 2016;

6. Ka deklaruar në mënyrë të pasaktë burimet e pasurive në deklaratën “Vetting”, si dhe nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të tyre dhe të të ardhurave me burim nga ushtrimi i aktivitetit të bashkëshortes për justifikimin e 13 huave, sipas pikave 1, 3, dhe 5 të nenit D, të Aneksit të Kushtetutës, si dhe ka kryer deklarim të pamjaftueshëm sipas pikës 3, të nenit 61, të ligjit nr. 84/2016.

G.M./ReportTv.al
Komento

Komente

  • www.youngtribune.com: 15/09/2019 12:00

    Sa leke paska marre hua ky tipi

    Përgjigju
  • Jabanxhiu: 15/09/2019 10:51

    Ky ka mare Hua mbi 150 milione lek te vjetra nderkohe qe dihet se jane lek gjaku te hallexhinjve por edhe te krimineleve. Veting duhet tju behet edhe huadhenesve edhe te shohim sa nga keta justifikojne pasurite me bizneset qe kane.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?