Opinion

Drejtësia ka probleme! Po politika a ka probleme?!

28 Shkurt, 10:45| Përditesimi: 28 Shkurt, 10:46

  • Share

Drejtësia sigurisht që ka dhe do të ketë vazhdimisht probleme, sepse ajo s'ka qenë as nuk mund të jetë perfekte edhe në ato vende që kanë një traditë të hershme e të shëndosh të sistemit të drejtësisë, shoqërisë,  demokracisë.

Drejtësia nuk mund të jetë perfekte, sepse nga njerëzit përbëhet edhe ajo e këto të fundit nuk janë qenie perfekte as në arsyetim, aksion apo në argumentim,as dje, as sot e nuk do të jenë as nesër.

Drejtësia nuk është statike e s'mund të jetë e tillë, por është relative, sepse relative janë sjelljet e njerëzve në shoqëri të ndryshme e po ashtu vetë këta të fundit janë në evolucion e në ndryshim të vazhdueshëm që diktohen nga proceset e brendshme të një shoqërie, por edhe nga faktorët ndërkombëtarë të shoqërive më të evoluara.

Pra, drejtësia është një proces që kanë nevojë për ndryshime të vazhdueshme në harmoni me hapat e proceset e asaj shoqërie ku vepron.

Të thuash se drejtësia ka probleme më duket më se normale, të tentohet ndryshimi dhe harmonizimi i saj vazhdimisht do të ishte jo vetëm normale, por edhe e nevojshme.

Megjithatë, të mos thuash asgjë për sistemin politik e sidomos për atë tonin duket hipokrizi e shpesh edhe demagogji.

Klasa politike shqiptare ka dështuar vazhdimisht në këto 30 vite duke mos krijuar institucione të shëndosha e shpesh ka qenë ajo vetë që i ka sulmuar ato sa herë nuk kenë qenë nën kontrollin apo në shërbimin e saj.

Kjo klasë politike ka dështuar në ndarjen, ekuilibrin dhe kontrollin e pushteteve duke i bërë shpesh bashkë nën diktatin e saj.

Klasa politike shqiptare ka dështuar në krijimin e një klimë të shëndoshë demokratike e kjo për shkak sesi e kanë konceptuar këtë të fundit, jo si një mjedis që krijon të drejta, barazi dhe pjesëmarrje të drejtë në vendimmarrje, por vetëm interesa e privilegje.

Klasa politike ka dështuar edhe në luftën ndaj korrupsionit duke e kthyer këtë të fundit shpesh në një sistem që e ka gërryer çdo ditë demokracinë dhe konceptin e shtetit duke e konceptuar shpesh jo si një të mirë publike, por si një pronë apo benefit e vetëm atyre që kanë lidhje apo interesa me pushtetin politik.

A ka moral kjo klasë politike të sulmojë drejtëpërdrejtë sistemin e drejtësisë pa kritikuar vetëveten dhe pa dhënë shenja për reflektim?!

Kalo klasë politike, para se të sulmojë drejtësinë, duhet t'i përgjigjet një pyetje themelore: pse shumica prej tyre paraqiten paradite e pasdite në Spak, të dyshuar, hetuar për vepra penale që lidhen me mënyrën sesi janë sjellë ndaj institucioneve dhe ndaj konceptit të legjitimitet?! Në fakt kjo është një pyetje retorike!

Kjo klasë politike ka arritur në një pikë që është e vetëdijshëm për dëshpërimin që ka qoftë në tentativën për t'u reformuar, por edhe në misionin e saj për të ndryshuar.

Për t'a kuptuar këtë mjafton të shikojmë përbërjen e tyre, burimet njerëzore që kanë si dhe listat që po përgatisin dhe do të prezantojnë për t'u votuar dhe për të marrë besimin e sovranit në zgjedhjet e 11 janarit.

Klasa politike nuk ka asnjë sinjal për t'u distancuar nga e kaluara. Përkundrazi, duket se përballë drejtësisë të gjithë kanë problemin e konfliktit të interesit e përplasjes me ligjin e kjo lidhet me aktivitetin e sjelljen e tyre dhe jo me faktin se "Drejtësia" e ka personale me ata.

Për fat të keq klasa politike shqiptare për shkak të konsumimit të kohës, qasjes ndaj ligjit dhe sjelljen ndaj demokracisë ka hyrë në një betejë dhe në një rrugë pa kthim .

Politika para se të sulmojë drejtësinë duhet të bëjë analizën me veten për të kuptuar se çfarë ata përfaqësojnë sot: interesin e tyre siç kanë bërë gjatë gjithë tranzicionit apo interesat e qytetarëve që në fakt i kanë tradhtuar vazhdimisht në mbrotjen, marrjen e mbajtjen e pushtetit!

Mjafton të shikojmë se kush janë në politikë, kush ka qenë e kush tenton të jenë përsëri për të kuptuar se problemi nuk është drejtësia, por vetë ata. Kohët kanë ndryshuar e po ndryshojnë vazhdimisht, sigurisht realiteti aktual nuk është më në favorit e kësaj klase politike që e kemi për 34 vite tashmë.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet e 11 majit, cila listë e kandidatëve iu bind më shumë?