Drejtësia refuzoi ‘Antikorrupsionin’, Manja: Një prokuror s’mund të atashohet në komision, do japin ekspertizë! Mikrokreditë? Ndryshime ligjore për shërbimin përmbarimor privat

14 Tetor, 15:01| Përditesimi: 14 Tetor, 15:24

  • Share

TIRANË- Vendimi i institucioneve të drejtësisë për të mos marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion, për ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, tregon pavarësisë e sistemit të drejtësisë në vendin tonë. Në një prononcim për mediat, ministri Manja tha se është normale që drejtësia të mos bëhet pjesë e këtij komisioni, pasi prokurorët nuk mund të atashohen pranë Komisionit të Posaçëm.

Por, nga ana tjetër, Manja theksoi se të gjitha organet e drejtësisë janë të gatshme që të japin ekspertizë dhe kjo sipas tij është një shenjë e bashkëpunimit.

“Janë të gatshëm të ofrojnë ekspertizë në procesin e diskutimit të pr.ligjive ose drafteve por jo pjesëmarrje me ekspertë të posaçëm të dedikuar. Kjo shkon me të njëjtën gjatësi vale në pavarësinë që ka sistemi, ka thënë do u japim ekspertizë, por nuk vijmë me ekspertë aty. Është normale. Unë si ministër ofroj ekspertizën e posaçme për komisionin. Ka të bëjë me mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe çuarjen para të rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në këtë proces do duhet të bashkërendojmë kontributet e të gjithëve që ta shkurtojmë rrugën tonë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Janë treguar të gatshëm të ofrojnë ekspertizë, por jo me prezencë. Nuk besoj se është normale që prokurorët të atashohen pranë komisionit të posaçëm, por janë gati të ofrojnë ekspertizë siç na e kanë dhënë. Kemi një praktikë të konsoliduar të bashkëpunimit me organet e drejtësisë”, tha Manja.

Sa i takon draftit për Kodin e ri Penal, ministria tha se shumë shpejt do të hidhet për konsultim publik, ndërsa theksoi se ndryshimet ligjore nuk do kalojnë këtë legjislaturë.

“Drafti i Kodit Penal, një dokument është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë. Drafti pasi të kornizohet edhe me komentet dhe sugjerimet do lançohet për konsultim publik. Kodi i Ri penal është reformë, lidhet me një kod të ri, ligj material, që do t’i paraprijë zhvillimit të shoqërisë shqiptare në dekadat e ardhshme.

S’ka si të kalojë në këtë legjislaturë kur ende nuk është hedhur për konsultim publik. Nuk do jetë një projektligj që do kalojë me 1 muaj ose 2 muaj konsultim publik, ne mendojmë që të jetë minimalisht 6 muaj konsultim publik”, tha Manja.

Pothuajse të gjitha institucionet e drejtësisë refuzuan pjesëmarrjen me ekspertë në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion, duke nisur nga SPAK, Gjykata Kushtetuese, ILD, Gjykata e Lartë apo Prokuroria e Përgjithshme.

Ndërkohë, ministri Manja në fund të prononcimit bëri me dije se kanë gati ndryshimet ligjore për shërbimin përmbarimor privat, lëvizje kjo që vjen pas skandalit të mashtrimit me mikrokreditë.

Ora 15:10
Skandali me mikrokreditë, Manja: Gati ndryshimet ligjore për shërbimin përmbarimor privat! Të gjitha llogaritë bankare janë zhbllokuar

 

Pas skandalit të mashtrimit me mikrokreditë, Ministria e Drejtësisë ka gati draftin për ndryshimet ligjore për shërbimin përmbarimor privat. Ministri Ulsi Manja në një prononcim për gazetarët tha se këto ndryshime pritet të hidhen për konsultim publik dhe se synohet që forcohen mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit të Ministrisë së Drejtësisë mbi këtë shërbim.

“Në aspektin e trajtimit institucional dhe ligjor e konsideroj të tejkaluar këtë proces. Ka një grup pune që funksionon dhe mblidhet pothuajse çdo javë me bankën e Shqipërisë, ekspertë të ministrisë dhe zyrës së kryeministrit. Është përcaktuar një plan veprimi i qartë se si t’i shmangemi këtij fenomeni, nuk janë përmasat e atij fenomeni që është thënë në media.

Kemi bërë gati ndryshimet ligjore për shërbimin përmbarimor privat. Ja kemi dërguar Dhomës Kombëtare të Përmbarimit Privat, nuk e kemi hedhur ende për konsultim publik. Sa na takon ne si Ministri e Drejtësisë, mendojmë një paketë ndryshimesh në atë ligj, për të forcuar mekanizmat e kontrollit dhe monitorimit të Ministrisë së Drejtësisë mbi këtë shërbim publik”, tha Manja.

Po ashtu, ministri bëri me dije se të gjitha llogaritë bankare që kanë qenë të bllokuar për shkak të këtij procesi, tashmë janë liruar.

“Të gjitha llogaritë bankare të bllokuara në këtë proces, janë zhbllokuar tashmë në një bashkëpunim që kemi pasur me Prokurorinë e Tiranës. Nuk ka asnjë llogari bankare të bllokuar. Pasuritë kanë një procedurë tjetër”, u shpreh Manja.

Bëhet fjalë për llogaritë e klientëve të “Micro Credit Albania” (MCA) dhe “Final”, dy kompanitë e përfshirë në skemën e mashtrimit me mikrokreditë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?