TIRANË- Për më shumë se 4 orë kreu i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, 'ndërroi' sot rolin në Kuvend dhe nga hetues, u mor në pyetje nga deputetët. Seanca maratonë e raportimit të kreut të SPAK u shoqërua me tensione, në një kohë kur drejtësia ka në dorë disa dosje të bujshme dhe është vënë në epiqendër edhe të sulmeve politike. Megjithëse Dumani prezantoi raportin e SPAK për vitin 2023, interesi më i madh i deputetëve kryesisht atyre të opozitës kishte të bënte me hetimet aktuale të prokurorisë, teksa i drejtuan dhjetëra pyetje kreut të Prokurorisë së Posaçme.
Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të PD-së, ishte i pari që adresoi pyetjet në drejtim të Dumanit, ndër të cilat u fokusuan edhe tek hetimi për inceneratorët dhe çështja ‘Xibraka’, siç e quan deputeti i PD-së. Pyetjes së Bardhit se pse po zgjasin hetimet për inceneratorin e Tiranës, Dumani ju përgjigj duke arsyetuar se hetimi është i vështirë sidomos kur vjen puna për çështje me natyrë korruptive. Dumani tha se po hetohet roli i kujtdo që është i përfshirë në këtë aferë.
‘Hetimi është i vështirë, sidomos kur vjen puna të çështje me natyrë korruptive, që kanë më të vështirë për tu hetuar. Vazhdon të hetohet, çdo fakt dhe verifikohet pozicioni dhe përfshirja e çdo personi, është shumë kompleks.’- tha Dumani.
Sa i takon çështje së Xibrakës, Dumani tha se çështja në hetim. I pyetur nga Bardhi nëse ka shkëmbyer mesazhe me kryeministrin Edi Rama, përmes një funksionari publik, që të mbyllë dosjen, kreu i SPAK tha se marrëdhëniet e tij me kreun e qeverisë janë vetëm institucionale dhe procedurale.
‘Nuk marr dhe nuk përcjell asnjë lloj mesazhi, ushtroj detyrën time në përputhje me dispozitat ligjore.’- tha Dumani.
Mbështetësit e Berishës i vërsulen Dumani
Çështja Berisha ishte kryefjala e disa prej pyetjeve të deputetëve të opozitës kryesisht mbështetësve më të zjarrtë të tij. Duke nisur nga Albana Vokshi, Tritan Shehu, Elda Hoti, Flamur Noka dhe Bujar Leskaj, të gjithë në sinkron përsëritën pyetjen se ‘Pse po mbahet në arrest Sali Berisha?’ Duke cilësuar Berishën, si të burgosur politik, disa nga deputetët nuk kursyen akuzat në drejtim të Dumanit, duke i thënë se ka shkelur Kushtetutën.
Por kreu i SPAK foli qartë! ‘Nuk kam tagër të komentoj vendimin e gjykatës! Vendimi i gjykatës e ka bërë të qartë akuzën’- tha Dumani, teksa ju përgjigj pyetjeve një më një të deputetëve të opozitës.
‘Që të jem i lidhur me politikën as që bëhet fjalë. Jam prokuror i republikës së Shqipërisë që përpiqem të përmbush detyrimet e mia ligjore dhe kushtetuese.’- u shpreh Dumani.
Përballë një grupi deputetësh që më shumë sesa pyetje, adresonte akuza, drejtuesja e seancës Ermonela Felaj detyrohej të tërhiqte hera herës vëmendje të mos përsëriten pyetjet. Kaq mjaftoi që Flamur Noka të ngrihej nga karrigia dhe u vërsul drejt Foltores ku po fliste Dumani. Garda ndërhyu dhe situata u qetësua.
Nga ana e saj mazhoranca shfrytëzoi prezencën e kreut të SPAK për të theksuar mbështetjen që i duhet dhënë SPAK-ut si në buxhet ashtu dhe në shtim të hetuesve për të përballuar volumin e dosjeve.
Nuk mungoi as mbështetja e deputetes së Lulzim Bashës Flutura Açka. Açka pyeti Dumanin nëse ka frikë se ndaj tij po organizohet një puç për t’i prerë krahët nga njerëz që nuk pëlqejnë faktin që ai është në piedestal.
‘Dua të them që SPAK është një institucion i pavarur dhe korniza e tij kushtetuese garanton pavarësinë e institucionit. Parlamenti pastaj është çështje e vlerësimit të parlamentit. Nuk mund të komentoj veprimtarinë e një institucioni sikurse është Kuvendi” u përgjigj Dumani.
Duke paralajmëruar se në shtator, SPAK do të dalë me një dokument strategjik mbi çështjet e mbartura e në janar të 2025 me një tjetër dokument që synon të adresojë përfundimisht korrupsionin zgjedhor, Dumani e mbylli e mbylli raportimin e tij me një mesazh;
‘SPAK nuk është një ishull, i vetëm nuk mund të bëjë asgjë…’- tha Dumani.
Gjatë vitit 2023 SPAK ka sekuestruar dhe konfiskuar pasuri me vlerë në total rreth 41 milionë euro.
Seanca nisi me raportimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela, i cili vuri theksin se problematika e mungesës së prokurorëve, duke thënë se përballen me ngarkesë dhe doje të mbartura. Çela u ndal edhe tek pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara përgjatë vitit 2023. Raportet vjetore u paraqitën edhe nga ILD, Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Projektligji për prodhimin e armëve do shqyrtohet procedurë të përshpejtuar
Projektligji për prodhimin e armëve do të shqyrtohet me procedurë të përshpejtuar. Kërkesa e Këshillit të ministrave u miratua sot në Kuvend me votat e mazhoracës. Shqyrtimi i projektligjit do të bëhet me 25 korrik, ndërkohë votimi solli debate me mazhorancës dhe opozitës.
Seanca plenare mbylli punimet rreth orës 02:00 të mëngjesit, ndërsa pas raportimit të krerëve të drejtësisë, deputetët evidentuan problematikat e zgjedhësve.
Deputeti i Partisë Socialiste, Toni Gogu, teksa foli në Kuvend për sjelljen e opozitës gjatë seancës së sotme në Kuvend, tha se ata zbatuan vetëm urdhërat e atij në ballkon, duke iu referuar kryetarit të PD Sali Berisha.
Gogu tha se sjellja e opozitës sot teksa raportuan institucionet e drejtësisë në Kuvend ishte e ngjashme me atë të një njësiti guerril.
“Sot pamë edhe njësiti gueril për të shpëtuar të pashpëtueshmen, u turrë për ta pyetur me ngulm për një çështje në hetim. E dinin që nuk lejohej, por zbatonin urdhrin e atij që është në ballkon. Erdhën dhe bënë një atentat në mes të ditës, atentatin e shumëpritur, sepse po e prisnin, e bënë në mes të Kuvendit. Kjo sepse ora e drejtësisë për të paprekshmit ka ardhur. Sulmuat ato institucione që sot marrin notën maksimale nga qytetarët dhe partnerët tanë. Sot prokurorëve iu mësua se si të hetojnë, por me një dallim, ata që të ngren një akuzë duan prova, kolegët e njësit gueril e ngren akuzën me gisht", tha Gogu.
Drejtuesja e Kuvendit, Ermonela Felaj, i ka hequr të drejtën e fjalës gjatë seancës plenare dhe u ka dhënë vërejtje 7 deputetëve.
Ata janë: Dhurata Çupi, Ina Zhupa, Saimir Korreshi, Agron Çela, Edmond Spaho, Albana Vokshi dhe Flamur Noka.
Felaj: Keni ofenduar dhe denigruar ministrin Manja teksa fliste në foltore
Noka dhe Vokshi shkojnë tek foltorja
Felaj: 5 minuta pushim, sa të qetësohen deputetët
Nga foltorja e Kuvendit, ministri i Brendshëm Taulant Balla kritikoi qasjen e opozitës në sjelljen e sotme gjatë raportimeve të krerëve të institucioneve të drejtësisë.
'Halli i një pjesë ka zënë grykën e të gjithë. Ajo që ndodhi sot është shkelje e asaj që ka parashikuar kushtetuta. Raportimi i Prokurorit të Përgjithshëm është raport për kriminalitetit në vend. Do desha shumë të raportoja për bashkëveprimin e policisë së shtetit, AMP bëjnë me këto institucione në raport me luftën ndaj kriminalitetit. Në vend që opozita të kërkojë shpjegime. Vjen pyetja pse mbahet në arrest shtëpie Sali Berisha.
Ajo qasje që turreni tek foltorja a thua se kishit hall që po i shkelet e drejta Hotit të mbajë një fjalim. Ndërkohë që foltorja i ishte dhënë dikujt tjetër. Shpresa për t’ju çliruar ju nga një ky makth është zero, por e sotmja në aspektin e sjelljes suaj ishte një shans tjetër i humbur. Minimalisht ju duhet të vinit këtu dhe pse jo edhe të duartrokisni që këto institucione kanë rezultate. A ka vend për tu përmirësuar?
Gjithmonë ka. Por mjafton që në krahun tjetër për ju është Sali Berisha dhe SPAK dhe SKAP. Nga ana tjetër e sallës nuk keni dëgjuar një fjalë të vetme që kjo parti të marrë në mbrojtje një person. E kemi thënë nga dita e parë që përgjegjësia është individuale. Ky është standardi që duhet të vendos Kuvendi. Foltorja nuk duhet përdorur për të sulmuar institucionin e pavarur, ata që folën këtu janë pushtetit gjyqësor. Ne jemi pushteti ekzekutiv të ndarë përmes parimit të kontrollit dhe të balancës.'
Deputeti i PS dhe kreu i komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, Fatmir Xhafaj, nga Kuvendi ka komentuar sulmet e opozitës ndaj SPAK.
Xhafaj tha nuk mund të sulmohen gjyqtarët dhe prokurorët vetëm kur nuk jep vendimin që ata duan.
Më tej, ai i bëri thirrje opozitës që të marrë pjesë dhe të bashkëpunojë në Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion.
“Kuvendi ka përgjegjësi për problematikat dhe duhet që të propozojë zgjidhet e duhura, jo përmes tavolinave hermetike, por përmes një procesi gjithë përfshirës dhe profesional dhe mazhoanca në reflektim të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të kuvendit e bëri këtë hap me ngritjen e një komisioni Posaçëm Parlamentar që ndër të tjera do ti jap mundësinë përfaqësuesve të vet sistemit ekspertëve dhe profesionistëve të saj që vet ato njerëzit e sistemit dhe përfaqësuesit e institucioneve të vendosin në një proces të hapur për reflektimet që duhet që të bëhen në sistem. Opozita heziton të bëhet pjesë e këtij procesit dhe ka zgjedhur paragjykimin mbi sistemin. Një pjesë e juaja i drejtohet SPAK si në një gjyq popullor duke kërkuar drejtësi dhe ndëshkim penal për kundërshtarët politik dhe pjesa tjetër bënë dhunuesin në publik ndaj SPAK, si ndodhi sot. Nuk ka prokuror apo gjyqtar të mirë kur u jep të drejtë dhe të kapur kur s'ju japin të drejtë”, tha ai.
Nga seanca planare në Kuvend, Xhafaj tha se është fakt që reforma ka sjell ndryshime në sistemin e drejtësisë në vend.
Sipas tij, këto ndryshime nuk shihen vetëm nga ata sipas tij ndjejnë peshën e mëkateve që kanë bërë.
“Reforma në drejtësi ka sjell ndryshime në sistem e drejtësisë. Shumë pak do të imagjinon këtë që po ndodh sot me luftën kudër korrupsionit dhe sidomos me atë që po ndodh me krimin e organizuar në vend dhe ky është fakt. Këtë nuk duan që ta pranojë ata që ndjenë peshën e mëkateve dhe orën e llogaridhënies për to, por rëndësi ka që qytetarët janë duke ndjerë përditë ndryshimin. SPAK dhe GJKKO kanë bërë shumë arritje dhe janë duke bërë një punë të madhe”, tha ai.
Kritika pati për drejtësinë e re, ku ndër të tjera u shpreh se populizmi gjyqësor është shumë më i dëmshëm se ai politik.
Xhafaj theksoi se drejtësia penale nuk është garë statistikash dhe nuk ndëshkon mbi bazë preferencash politike apo perceptimi.
“Drejtësia penale nuk mund të jetë kurrësesi çështje numrash dhe as garë statistikash brenda sistemit. Edhe sepse çështjet penale janë tejet komplekse profesionalisht, por edhe delikate sepse kanë të bëjnë në thelb me lirit dhe të drejtat themelore të njeriut”, u shpreh ai.
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani u përball sot për rreth 4 orë me akuza, kritika dhe ironi të shumta nga deputetët demokratë, teksa ndodhej në Parlament për të prezantuar raportin vjetor të punës së institucionit që drejton, për vitin 2023.
Por përballë sulmit frontal nga opozita, maxhoranca nga ana e saj duket se vijoi mbështetjen për kreun e SPAK. I vetmi zë nga shumica parlamentare që për një moment i doli në krah Altin Dumanit, ishte ish-kryeministri Pandeli Majko që i kërkoi opozitës të mos e trajtonte atë si vartësin e tij.
Pjesë nga biseda:
Bardhi: Nëse ka një njeri që ka konflikt interesi është zotëria që sapo foli (I drejtohet Ballës). Si qenka e çbalancuar? Kolegët tuaj të bëjnë pyetje, në përputhje me rregulloren ne po bëjmë pyetje, në përputhje me ligjin drejtuesi i SPAK po jep përgjigjet ashtu siç ai dëshiron. Është hera e fundit që anëtarë të kabinetit të përpiqen t’i diktohen seancës se si ky parlament do duhet ta bëjë debatin mbi raportin e institucioneve të pavarura.
Majko: Kam respekt për të gjitha pyetjet, pyetjet nuk janë pasi bëni komentin dhe pyesni drejtuesin e SPAK. Zotëria nuk është vartësi ynë, është vetingu ynë. Nuk keni të drejtë t’i bëni pyetje sikur është vartësi juaj.
Nga ligji për amnistinë penale kanë përfituar edhe subjektet të SPAK. Kreu i SPAK gjatë raportimit të Kuvend u pyet nga deputetja Flutura Açka për amnistinë penal, ku u bë bashkë opozita teknike me mazhorancën. Dumani pohoi se disa subjekte të SPAK përfituar nga amnistia penale.
Açka: Ju jeni pjesë e opozitës publike, 83% që ju pëlqejnë, që s’bërtet, por ju dëgjon e mbështet, këtu jemi opozita politike, edhe unë, kemi dhe një opozitë teknike, që merret me çështje konkrete, dhe një nga këto ishte grushti i fundit që ju dhamë me ligjin e amnistisë. A keni frikë që në këtë parlament nga bashkimi i opozitës teknike po organizohet një puç për tua minuar pak piedestalin ku jeni, se keni filluar ti krijoni bezdi cave jashtë cave brenda, që sh shpejt do të vijë një ligj nga ky parlament që t’jua presë ndonjë krah?
Dumani: Ne nuk kemi asnjë kompetencë që të vlerësojmë veprimtarinë e një institucioni tjetër – është në të drejtën e tij të miratojë amnistinë- nga ky ligj kanë përfituar subjekte të cilët janë dënuar nga gjykatat e posaçme, 40 persona përjashtim nga dënimi, 65 nga zbritja e dënimit, 12 nga ndjekja penale, (pra janë pushuar hetimet) – pra kuvendi ka kompetencën për të miratuar apo jo një amnisti. SPAK është institucion kushtetues i pavarur, garanton ligji pavarësinë e tij. Ishte vullnet politik në 2016 për reformën, është vullnet politik për të marrë masa të tjera që mund të afektojnë SPAK.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani, ka raportuar në Kuvend lidhur me punën e institucionit që drejton, përgjatë një viti.
Gjatë fjalës së tij Metani vuri theksin tek “aktorë” të jashtëm që përpiqen të komentojnë vendimet gjyqësore, apo edhe t’i anatemojnë.
“Ka patur raste edhe të komentimit të vendimeve gjyqësore, kritika ndaj tyre, madje dhe deri në anatemimin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve apo të magjistratëve nominalisht. Edhe nga opinioni publik. Edhe nga politika. Nuk është e lehtë për magjistratët, por vlerësoj se ky është një proces dhe një sfidë që duhet të përballohet nga ana e tyre, pasi në këtë rast duhet të prevalojë e drejta e publikut mbi mbikëqyrjen e punës së tyre, pse jo edhe angazhimin në mënyrë të drejtpërdrejtë në procesin e administrimit të drejtësisë. Ajo që duhet thënë është se niveli shpeshherë i tejkaluar i kritikës ndaj punës së tyre, nuk i prek dhe as nuk i ul aspak garancitë që Kushtetuta ka dhënë për pavarësinë e gjyqtarëve e prokurorëve, në punën e diskrecionin e vendimmarrjes së tyre”, tha ai.
Ndër të tjera, Metani tha se Zyra e ILD ka evidentuar vazhdimisht shkelje nga ana e magjistratëve dhe se ky model pune do vijojë.
“Nëse sistemi i drejtësisë përballet me mangësi apo problematika në kuadër të integritetit, pavarësisë apo efiçencës, kjo nuk është përgjegjësi, vetëm e magjistratëve. Këto problematika kërkojnë një adresim të qartë dhe zgjidhje të kujdesshme, në aspekt sistematik dhe nuk mund të adresohen vetëm nëpërmjet sistemit të përgjegjësisë së magjistratëve, siç pretendohet vazhdimisht, mbi rolin dhe funksionet e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Dua ta theksoj se që nga momenti i krijimit, e deri në ditët e sotme, Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ka luajtur një rol proaktiv, në lidhje me identifikimin dhe hetimin e shkeljeve disiplinore të kryera nga ana e magjistratëve. Dhe ky model pune do të vijojë edhe në vazhdim”, tha ai.
Në seancën e sotme plenare në Kuvend ku i ftuar ishte kreu i SPAK Altin Dumani, ai u pyet nga deputeti Agron Shehaj nëse ai dhe institucioni që drejton kanë ndonjë vijë të kuqe pëtej së cilës nuk mund të kalojnë. Shehaj mendon se Dumani dhe SPAK nuk mund të shkojnë përtej në hetimin e kryeministrit dhe krybashkiakut të Tiranës. Por Dumani u përgjigj se vija e kuqe për të dhe prokurorë të tjerë është ligji dhe kushtetuta. Sipas tij çdo gjë lidhet me provueshmërinë e kallëzimeve.
Shehaj: Ka një vijë të kuqe që përtej ju e keni të pamundur të shkoni? Po të shohim faktet duket sikur ka një vijë të kuqe. Nuk besoj se ju mendoni që skandali 400 milion euro në krye ka patur Mërtirin dhe Zoton, nuk e beson asnjë. Ju nuk keni patur mundësi të shkoni përtej. Ka një vijë të kuqe?
E dyta: Keni besueshmëri. Por nëse vazhdoni duke hetuar skandalet e mëdhaja duke mos përfshirë në hetim kryeministrin nuk besoj se kjo besueshmëri do vazhdojë. Vërtet mendoni se kryeministri nuk ka dorë tek inceneratorët. Tek skandali 5 D nuk ka dorë kryetari i bashkisë së Tiranës? Këto janë pyetjet.
Dumani: Nuk kam nevojë për mbrojtjen e askujt zoti deputet. Mbrojtja ime e vetme janë ligji, kushtetuta dhe personaliteti dhe karakteri im. S’kam nevojë për mbrojtjen e askujt. Ka vetëm një vijë të kuqe që është prova dhe ligji. Procesi i hetimit është i vështirë. Provueshmëria është e vështirë. Prandaj detyra jonë, përpiqemi ta përmbushim, në çdo kallëzim të hetohen gjithë faktet e kallëzuar dhe të hetohet roli i çdo personi të kallëzuar. Këtë bëjmë me hetimet e çështjeve që kemi në dorë. Provueshmëria është faza që pason grumbullimin e provave. Kjo është vija e kuqe. Nuk kemi vijë të kuqe. Ushtrojmë funksionet tona në mënyrë të pavarur nga politika dhe krimi. Ligji dhe kushtetuta na e garantojnë. Prokurori nuk i lejohet të shfaqë mendimet kështu por të grumbulloje prova dhe të disponojë me kate proceduriale përkatëse. Nuk jap mendim. Por zoti Shehaj, çdo gjë ka kohën e vet. Hetimi kërkon ndërveprimin e shumë institucioneve, prandaj vërtet janë çështje që kërkojnë angazhim, burime njerëzore.
Portet shqiptare nuk janë të preferuara për trafikimin e lëndëve narkotike nga Amerika Latine. Kështu deklaroi në Kuvend kreu i SPAK, i cili tha se portet e preferuara janë ato në Gjermani, Holandë, Belgjikë dhe madje edhe nga vendet nordike.
‘Që krimi i organizuar shqiptar është ndër më të sofistikuarit, e kemi pranuar ne dhe e kanë pranuar agjencitë partnere të zbatimit të ligjit. Por, hetimet tona tregojnë që grupet shqiptare janë në kontakt të drejtpërdrejtë me kartelet e kokainës atje ku prodhohet. Portet e preferuara nuk janë ato shqiptare, janë ato të Gjermanisë, Belgjikës, Holandës, Italisë tashme dhe porteve e vendeve nordike. Grupet kriminale shqiptare synojnë direkt transportimin nga vendet e Amerikës Latine në portet evropiane, atje ku është edhe konsumi i madh i kokainës. Nuk mund të përgjigjem, por në raport gjeni të dhëna që SPAK ka vendosur kontakte me të gjitha shtete e Amerikës Latine. Kemi kontakte me agjencitë homologe dhe kemi komunikime me ta. Kjo është një gjë e mirë.’- u shpreh Dumani.
Sa i takon përfundimit të mandatit Dumani tha se nuk janë të kushtëzuar në veprimtarinë e tyre.
Alizoti: A do të arrini dot ju ti garantoni shqiptarëve drejtësinë kur edhe vetë ripërtëritja e mandatit tuja varet nga mazhoranca.
Dumani: Nuk jemi të kushtëzuar në veprimtarinë tonë, na u zgjat mandati s’na ul zgjat mandati. Mjafton 9 vjet edhe për t’i shërbyer institucionit dhe është nder në këtë rast.
Kreu i SPAK Altin Dumani ka raportuar ditën e sotme në Kuvend, ndërsa u është përgjigjur edhe deputetëve në lidhje me pyetjet e tyre për punën e Prokurorisë së Posaçme. Deputetja Flutura Açka pyeti kreun e SPAK në lidhje me sulmet ndaj tij nga politika. Dumani tha se nuk ka asnjë reagim për sulmet që bëhen ndaj tij. Dumani tha se SPAK u krijua për ti dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për këtë po punon.
‘Shumë prokuror janë bërë objekt sulmesh personale familjare. Nuk kam asnjë reagim, kështu kam vlerësuar ti qasem fyerjeve në adresë time apo dhe sulmeve që më behën çdo ditë. Ajo që unë bëj është që të përpiqemi që të hetojmë çështje të suksesshëm duke u bazuar në ligj dhe në prova për ti demonstruar Kuvendit dhe gjithë të tjerëve që SPAK nuk po bën mrekulli, por po kryen detyrat e veta me qëllim përmbushjen e qëllimit për të cilin dhe u krijua që është dhënia fund pandëshkueshmërisë. Është e veshtrë është një betejë e përditshme, po përpiqemi me hapa të ngadaltë por e rëndësishme është ta arrijmë këtë.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla pati një replikë në seancën plenare në parlament, ku i pranishëm është kreu i SPAK Altin Dumani.
Balla nuk ishte dakord me mënyrën se si opozita po e shfrytëzon këtë seancë me Dumanin, duke mos bërë pyetje për raportin vjetor të vitit 2023, madje duke vendosur rregullat e lojës.
Më pasi kjo nxiti irritimin e kreu të grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi.
Balla: Ka mundësi të ketë pyetje për raportin? Ju bëni diskutime. Ne jemi mbledhur të vijmë me diskutime. Kush je ti, a thua se po na ca cakton ti të drejtën të flasim ne? Një zotëri ka konflikt interesi të bëjë pyetje këtu. Zotëria atje në fund. Kaq. Zonja drejtuese e seancës respektoni rregulloren.
Bardhi: Nëse ka një njeri që ka konflikt interesi në këtë sallë është zotëria që sapo foli. E kuptoj shqetësimin tuaj, kemi pyetje, a ka politikanë në përgjime me krimin e organizuar. Besoj do kemi zhvillime shumë shpejt. Do presim dhe do kemi mundësi të flasim në këtë çështje. Nuk ka ndodhur që anëtarë të kabinetit qeveritar të udhëzojnë deputetët se çfarë duhet të flasin, si duhet të flasin, si duhet të bëjmë pyetje, a duhet të bëjmë pyetje dhe qenka e ç’balancuar? Kolegët tuaj të bëjnë pyetje nuk i ka ndaluar njeri. Në përputhje me rregulloren të bëjnë pyetje. Drejtuesi i prokurorisë së Posaçme jep përgjigje ashtu siç ai dëshiron, pa i ndërhyrë askush. Është hera e parë dhe e fundit që anëtarë të kabinetit qeveritar përpiqen ti diktohen seancës se si ky parlament duhet të bëjë debatin mbi raportin e institucioneve të pavarura.
Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani foli në Kuvend edhe për ngritjen e komisionit anti-korrupsion. I pyetur nga deputetët nëse kjo nismë mund të cenojë pavarësinë e SPAK, Dumani tha se Struktura e Posaçme është institucion i mbrojtur nga Kushtetuta, si produkt politik, por shtoi se po vullneti politik mund të çojë në vendime të cilat ndikojnë punën e SPAK.
Altin Dumani: Komisioni Antikorrupsion? Çdo reformë që bëhet të ketë në fokus respektimin e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve. SPAK aktualisht të gjithë e dimë është institucion Kushtetues i pavarur, korniza ligjore e Kushtetuese garanton pavarësinë e institucionit. Siç është korniza ligjore Kushtetuese aktualisht. Parlamenti, është çështje e vlerësimit të Parlamentit. Ishte vullnet politik krijimi i SPAK, është po vullneti politik për të ndërmarrë masa të tjera që mund të afektojnë SPAK. Nuk mund të komentoj veprimtarinë e një institucioni siç është Kuvendi i Shqipërisë.
Në resht deputetët e Partisë Demokratik kanë pyetur kreun e SPAK gjatë raportimit të tij në Kuvend vetëm për masën ndaj Sali Berishës. Bujar Leskaj e pyeti Dumanin nëse ndihet keq në lidhje me masën ndaj Berishës. Dumani tha se s’ka tagër të komentojë vendimin e gjykatës.
Bujar Leskaj: Arrestuat liderin e opozitës... Mbi bazën e atij shantazhi publik që u bëri Rama në kongresin e PS-së në prill të 2022, duke cituar se pse socialistëve po ju soste durimi. Në kallëzimin e tij Balla pretendonte se Begaja dhe familje të Tiranës ishin shpronësuar nga Shfeqet Vërlaci dhe Jako Vermoni. Hetuesit punuan në arkivë të shtetit ndonëse e kanë në VKM. Është vërtetuar se Balla në cilësinë e kreut të grupit të PS ka kryer kallëzim të rremë. A po e hetoni në gjendje të lirë. Po ju citoj përkufizimin e personit që konsiderohet i burgosur politikë. Ju vet si intektual si prokuror me karrierë të gjatë, si konsideroni Berishën, i përmbush kriteret për tu nominuar si i burgosur politik. A nuk mendoni se Rama me shantazhin e tij ju futi në një grackë me një përplasje me opozitën? Ju nuk mund të doni liderin e opozitës.
Dumani: Kallëzimi ka shërbyer si indicie. Është vlerësimi i tyre në raport me përmbajtjen e kallëzuesit Taulant Balla. Si ndihem unë lidhur me vendimin e gjykatës për aktin mase të sigurisë. Nuk kam asnjë tagër dhe asnjë të drejtë të vlerësoj vendimmarrjen e gjykatës dhe shkallëve të gjyqësor në rastin konkret. Nuk kam asnjë tagër të gjykoj apo vlerësoj punën e prokurorëve në çështjet konkrete.
Deputeti Dashnor Sula në Kuvend ka pyetur kreun e SPAK Altin Dumani nëse duhet të ndryshojë pragu i shumës prej 50 mijë lekë për hetimin e një vepre kriminale.
Sula: Ju keni ngarkese pune të madhe si institucion. A mendoni që është normale akoma që dyshemeja për hetimet për korrupsionin për zyrtarë të shtetit të jetë minimumi 500 mijë lekë të vjetra?
Dumani: E kam shprehur publikisht dhe nuk është vetëm mendimi im por duhet parë mundësia e ndryshimit të pragut një shumë prej 50 mijë lekësh nuk duhet ët hetohet nga SPAK. Mendimi im duhet rritur pragu, por nuk është vendi për të thënë sa duhet bërë ky prag. Kam qenë për një prag më të lartë. Pragu duhet të ishte më i lartë se 50 mijë lekë.
Deputeti i Partisë Demokratike Tritan Shehu e ka shfrytëzuar pyetjen e tij pas raportimit të Altin Dumanit në SPAK vetëm për të mbrojtur Sali Berishën, i cili ndodhet në arrest shtëpie për afreën e privatizimit të ish-kompleksit sportit ‘Partizani’. Shehu akuzoi Dumanin se është bërë pjesë e politikës me vendimin për Berishën, por kreu i SPAK tha se nuk ka asnjë lidhje me politikën.
Tritan Shehu: Përse Berisha mbahet i izoluar? Përse po shkelet Kushtetuta, a nuk mendoni se cenoni cilësinë e Kuvendit? Kur një prokuror shkel ligjet del se me urdhër kujt bëhet? Me urdhër të kujt u bë? Të kryeministrit, të dikujt tjetër? Kush fshihet pas kësaj loje? Po shkelni parimet me të katër këmbët, a nuk gjykoni se bëheni pjesë e politikës, duke e kthyer berishën në një të burgosur politik?
Altin Dumani: Lidhur me rastin e parë edhe kjo çështje është në fazën e hetimit paraprak. Ju pretendohet dhe parashkruar në këtë seancë se nuk ka shkaqe apo kushte për caktim mase sigurimi. Referojuni vendimit të gjykatës. Ju thoni se nuk ka akuzë por, vendimi i gjykatës e ka bërë të qartë veprën penale. Lëshuat akuza të rënda në drejtimin tim. Unë nuk jam pjesë e politikës nuk kam asnjë lloj lidhje me politikën gjithë karrierën time e kam ndërtuar jashtë politikës. Ka qenë një karrierë normale që kam kaluar të gjitha hallkat e sistemit. Jam përpjekur të bëj më të mirën time por jo qëllimisht asnjëherë. Që të jem i lidhur me politikën as që bëhet fjalë. Jam prokuror i republikës së Shqipërisë që përpiqem të përmbush detyrimet e mia ligjore dhe kushtetuese.
Deputeti i Partisë Socialist Denis Deliu gjatë raportimit të kreut të SPAK Altin Dumani në Kuvend ka pyetur këtë të fundit në lidhje me prezencën e SPAK në qytetet më problematike. Dumani tha se pas plotësimit të numrit të nevojshëm, do të procedohet më pas edhe me hapjen e zyrave të SPAK.
Deliu: Prezenca e SPAK dhe hetuesve të BKH është e nevojshme për qytete problematike. Kur mendoni se mund të hapni zyra në qytete
Dumani: Për dikë 4 vjet mund të duken shumë për një institucion të ri është shumë pak është një periudhë e shkurtër. Institucioni ka nevojë të krijohet në organikë. Mund të themi se SPAK sot është funksional. Jemi përpjekur të ushtrojmë detyrimet tona ligjore dhe kushtetuese, mund të vijë momenti dhe ligji e parashikon mund të hapen zyra edhe në rrethe. Besoj pasi të kalojë koha dhe të kemi numrin e nevojshëm, do të procedohet edhe me hapjen zyrave të SPAK në rrethe.
Kryeprokurori i SPAK, Altin Dumani ka raportuar në Kuvend mbi raportin e vitit 2023 të SPAK. Dumani i është përgjigjur edhe pyetjeve të drejtuara nga deputetja e PD, Albana Vokshi. Sa i takon krimeve zgjedhor Dumani dha një bilanc të hetimeve.
Dumani tha se SPAK ka gati një strategji që pritet ta publikojë në janar të vitit 2025 për krimet zgjedhore.
Sa i takon çështjes McGonigal dhe pyetjes se përse Rama nuk është thirrur në SPAK, Dumani tha se është në hetim paraprak dhe i takon prokurorit të vlerësojë se kë dhe kur duhet të thërrasë në SPAK.
Dumani: Lidhur me krimin zgjedhor, janë hetuar 50 procedime penale. 17 persona janë hetuar për krim zgjedhor, 8 për gjykim, 6 kërkesa për pushim, 1 është pezulluar, 1 është bashkuar. 32 janë mbartur për vitin 2024. Tregues që kanë të bëjnë me efektivitetin e SPAK sa i takon krimit zgjedhor,. Tregojnë se SPAK ka treguar kujdesin e duhur për hetimin e çështjeve të kësaj natyre. Në komisionin e ligjeve kam deklaruar që jemi drejt përfundimit të një strategjie sa i takon hetimit të krimit zgjedhor. Do bëhet publike në janar të 2025 dhe synimi është që në fillim të vitit 2024 ne të kemi krijuar instrumentet e nevojshme njerëzore por edhe mjetet teknike me qëllim hetimin e krimeve zgjedhore të mundshme gjatë vitit 2025.
Dumani: E kam vënë re që jeni aktive sa i takon kallëzimeve, por për çështje ku jeni kallëzuese drejtoju SPAK me kërkesë për marrje informacioni. Duke qenë se je kallëzuese japim informacionin e nevojshëm. Janë çështje në hetim dhe s’mund të flas.
Vokshi: Cili është statusi i hetimit për 4 koncesionet në Shëndetësi?
Dumani: Një dihet që është për gjykim, një tjetër në hetim. Për informacionet drejtohu SPAK.
Vokshi: Se këta person që i konsideroni të përfshirë në veprimtaritë kriminale vazhdojnë ende? Kush i ka penguar hetimet? Kush i mbron drejtuesit e inkriminuar?
Dumani: Bashkëpunimi është shumë i mirë, problematika që ne kemi evidentuar e kam adresuar publikisht pjesë të raportit, edhe në Komisionin e Ligjeve. Është problematikë që duhet adresuar dhe po marrim masa për ta zgjidhur. Solla një shifër të punonjësve që janë proceduar në 3 vite, është një numër i lartë dhe po punojmë për zgjidhjen me policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme.
Vokshi: A keni konstatuar në dosjet e partnerëve, se në bisedat e Encrochat përfshihen ministra, deputetë, zyrtarë të drejtësisë. A keni pjesë të tyre që kanë zbardhur krimin elektoral, u kujtoj njërin prej episodeve për Metamorfozën ku Gjoka dhe Bajrat flasin për takime me Beqajn. A keni dijeni se ca ndodhi pastaj me Beqajn, a u vu në dispozicion të bandave kriminale?
Dumani: Është çështje në hetim, s’mund të them asgjë. SPAK duhet të jetë krenar për bashkëpunimit me agjencitë e europës, SHBA, Britanisë, kemi bashkëpunim dhe këto çështje bëhen në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtar.
Vokshi: McGonigal, ka kallëzim nga Bardhi. Në çfarë faze janë hetimet, në 2 vite e gjysmë se keni parë të arsyeshme të thirret Rama?
Dumani: Është në hetim paraprak, është në vlerësimin e prokurorit se kë do thërrasë dhe kur do e thërrasë. E vlerëson ai kush është momenti më i përshtatshëm për të kryer veprimin e hetimor.
Vokshi: Pse nuk është bërë hetim për mënyrën e implementimin të koncesionit të sterilizimit? Në dijeni tonë është ndalur pjesa më e madhe tek pjesa e procedurës së dhënies së koncesionit.
Dumani: Depozitoni çdo gjetje që komisioni juaj parlamentar do vlerësojë se mund t’i shërbejë hetimit tonë, edhe në drejtim e të tjera. Çdo e dhënë është e mirëpritur sa kohë i shërben hetimit të gjithanshëm.
Një pyetje e papritur i është drejtuar kreut të SPAK, Altin Dumani, teksa po raportonte në Kuvend për punën e Prokurorisë së Posaçme.
Deputeti Denis Deliu ka pretenduar se në portalet e vendit qarkullojnë lajme dezinformuese lidhur me turizmin në Shqipëri, duke hedhur dyshime se mund të kenë ndikim edhe shërbimet inteligjente të huaja.
Komenti i deputetit vjen ndërkohë kur në mediat në vend kanë qarkulluar një seri artikujsh ku pretendohet se plazhet shqiptare janë të zbrazura për shkak edhe të çmimeve të larta.
"Turizmi është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, dhe ditët e fundit kemi parë nëpër portale një sabotim të turizmit. Sivjet ka një rritje të nivelit të dezinformimit. A ka hapur SPAK një hetim për sabotazh kundrejt këti fenomeni nga shërbime të huaja inteligjente, a ka informacione nga SHISH dhe struktura të tjera, pasi mendoj që këto lloj dezinformimesh dëmtojnë ekonominë shqiptare", tha deputeti Deliu.
Kreu i SPAK, Dumani tha se nuk ka informacion mbi këtë çështje.
"Nuk kemi informacion, apo diçka për të ndarë sa i përket kësaj pyetjeje", u shpreh Dumani.
Kreu i grupit parlamentar në Partiën Demokratike Gazment Bardhi ka drejtuar 5 pyteje kreut të Prokurorisë së Posaçme pas raportimit të këtij të fundit në Kuvend. Ndër të tjera Bardhi u ndal tek hetimet për inceneratorin e Tiranës, nga ku i kërkoi shpjegimet kreut të SPAK në lidhje me vonesën e hetimve.
Dumani tha se çështja e hetimit është mjaft komplekse. Sipas Dumanit hetimi është i vështirë, sidomos kur vjen puna të çështje me natyrë korruptive, që kanë më të vështirë për tu hetuar.
Sa i takon çështje së Xibrakës, Dumani tha se çështja është në hetim. I pyetur nga Bardhi nëse ka shkëmbyer mesazhe me kryeministrin Edi Rama që të mbyllë dosjen, kreu i SPAK tha se marrëdhëniet e tij me kreun e qeverisë janë vetëm institucionale dhe procedurale.
‘Nuk marr dhe nuk përcjell asnjë lloj mesazhi, ushtroj detyrën time në përputhje me dispozitat ligjore.’- tha Dumani.
Sa i takon çështjes së fondeve të IPARD, Dumani tha se po hetohet.
Debati
Bardhi: Sipas raportimeve në media SPAK ka vendosur mosfillimin e hetimeve mbi një referim të prokurorisë së Tiranës lidhur me skandalin e mikrokredive. Pa cenuar sekretin hetimor çfarë ka kontestuar gjykata që nuk është bërë nga SPAK dhe çfarë është duke bërë aktualisht për një nga skandalet më të rënda të ndodhura në Shqipëri. Janë rreth 100 mijë familje që vuajnë pasojat e atij skandali.
Dumani: Ngaqë edhe GJKKO ka reaguar me një njoftim për mediat nuk ka një sekret. E para nuk është një çështje e mos filluar nga prokurori a e Posaçme. Edhe nga përmbajtja evidentohet qartësisht se cila është historie e këtij kallëzimi. E ka trajtuar prokuroria e Tiranës. I është drejtuar gjykatës së shkallës së parë Tiranë, ka shpallur moskompetencën dhe i ka kaluar aktet GJKKO-së ku ne jemi thirrur si palë dhe prokurori i SPAK nuk ka shprehur qëndrim për lënien ne fuqi të vendimit të gjykatës. SPAK nuk është investuar me një kërkesë për pushim.
Bardhi: Hetimet për inceneratorin e Tiranës rezulton se kallëzimi jonë është dorëzuar në 2020 dhe jemi në gjysmën e e dytë të 2024 dhe ende nuk ka një përfundim qoftë të hetimeve paraprake. Në çfarë momenti janë hetimet? Ka pasur se dolën urdhër arreste u zhdukën u dekonspiruan dhe me radhë. A mund të na informoni se çfarë po bëhet me këtë hetim 4-vjeçar. Fakti është publik dhe e she çdo qytetar. Mjafton të shkoni në Sharrë dhe e sheh çdo kush. Kaq i vështirë është hetimi?
Dumani: Të shkruar e kam ndryshe, çfarë masash janë marrë për hetim brenda afateve se na rezulton që për kallëzime specifike dhe pse kanë kaluar 4 vite ende s’kanë përfunduar hetimet paraprake. Duhet të kuptojmë cili është roli i drejtuesit të SPAK. Nuk kam kompetencë në raport me hetimin e çështjeve penale konkrete. Patjetër drejtuesi mund të ndërhyjë vetëm më udhëzim jo detyrues, e kam bërë, të paktën në 2 raste, kur kam patur një mendim ndryshe nga prokurorët e çështjes. Çështjet e mbartura është një problematikë, se kam fshehur asnjëherë, e kam prezantuar si problematikë. Si drejtues i SPAK, kam bërë përpjekjet për të nxitur prokuorët dhe hetuesit, për tu krijuar kushtet me qëllim evadimin sa më shpejt të çështjeve. Kam analizuar me prokurorët e SPAK, të gjitha çështjet që kanë, kryesisht çështjet e mbartura, dhe si drejtues u kam ofruar ndihmën time, duke shtuar një prokuror në grupin e hetimit, numrin e hetuesve për çështjen konkrete. Gjatë vitit 2023 ka pasur ecuri dhe çështjet kanë filluar të evadohen. Hetimi është i vështirë, sidomos kur vjen puna të çështje me natyrë korruptive, që kanë më të vështirë për tu hetuar. E njëjta logjikë vlen edhe për grupet e krimit të organizuar, kemi të bëjmë me grupet me të rrezikshme, hetimi paraqet rrezikshmëri. Shumicat i kemi të koordinuara me agjenci të tjera të zbatimit të ligjit.
Çështja konkrete është në hetim paraprak, e kemi bërë me dije publikun për zhvillimet e hetimit, sa herë ka patur rast për të vënë në dijeni publikun, ka pasur zhvillime të herëpashershme. Vazhdon të hetohet, çdo fakt dhe verifikohet pozicioni dhe përfshirja e çdo personi, është shumë kompleks.
Bardhi: Në media është referuar një skandal për një këshilltar agjent të shërbimeve sekrete romune, Florian Coldea i kryeministrit Rama, që dyshohet se është i përfshirë në një linjë trafik ndërkombëtarë drogë mes Shqipërisë, Meksikës dhe Rumanisë, a ka nisur hetim SPAK?
Dumani: Nuk kam ndonjë koment, nuk flas për çështje të kësaj natyre.
Bardhi: Ju keni marrë sipas raportimit të zyrës anti-korrupsion mbi abuzimet me fondet e bujqësisë. Për shkak të atyre abuzimeve fondet që duhet tu jepeshin qytetarëve shqiptarë janë pezulluar. A mund të na thoni ka nisur hetim prokuroria e Posaçme dhe a mund të kemi hetime të shpejta?
Dumani: Fondet IPARD janë një çështje në hetim nuk do të jap detaje. Kemi një çështje në hetim sa i takon menaxhimit të fondeve IPARD po hetohet çdo ditë.
Bardhi: Rezulton sipas informacioneve që disponon grupi parlamentar i PD-së se kryeministri Rama përmes një shtetasi një funksionar publik i ka përcjellë drejtuesit të SPAK juve duke kërkuar që çështja Xibraka të mbyllet sa më shpejt të jetë e mundur duke vlerësuar integritetin e drejtuesit të SPAK, duke mos ju kërkuar ta komentoni veprimin e kryeministrit dua ta dëgjoj prej jush përgjigjen që ju i keni përcjellë kryeministrit për këtë çështje. Pas kësaj ndërhyrje a jepni ju garanci që do kjo çështje do të hetohet në mënyrë të njëanshme.
Dumani: Nuk mund të jap koment. Çështja është në hetim. Lidhur me marrëdhënien me kryeministrin apo çdo titullar institucioni qoftë edhe me Kuvendin, marrëdhëniet e mia janë vetëm institucionale dhe procedurale. Nuk marr dhe nuk përcjell asnjë lloj mesazhi. Ushtroj detyrën time në përputhje me dispozitat ligjore dhe Kushtetutën.
Kreu i SPAK, Altin Dumani thotë se grupet kriminale shqiptare janë sofistikuar dhe kanë një aktivitet dominant në tregun ndërkombëtar të trafikut të drogërave.
Në Kuvend, teksa po raportonte për raportin e institucionit që drejton, tha se shqetësuese paraqiten edhe mashtrimet nëpërmjet Call Center-ave.
“Paçka se hetojmë krimin e organizuar, sot për të qenë realist ndër më të fuqishmit në botë dhe një nivel të sofistikuar subjektesh, masa e arrestit në burg në kërkesat tona zë vetëm 49% të totalit për të cilat është kërkuar një masë sigurie.
Aktualisht, numri total i të paraburgosurve nëpër institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale nga SPAK zënë vetëm 8.5% në raport me numrin e përgjithshëm të të paraburgosurve në Shqipëri
Hetimet e vitit 2023 tregojnë se grupet kriminale janë sofistikuar dhe përfshirë në tregjet ndërkombëtare të drogërave të forta, duke pasur pozicion dominues.
Këta grupe kanë aktivitet edhe në tregje ndërkombëtare. Duhet cilësuar si shqetësim edhe veprimtaria e sofistikuar e grupeve kriminale që operojnë me call center, duke mashtruar qytetarë të BE.”, tha Dumani.
Në Kuvend po bëhet raporton kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela. Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi pyeti kreun e prokurorisë për çështjen ‘Xibraka’. Kryeprokurori tha se është në Kuvend për të raportuar për raportin e vitit 2023 dhe se deputetët duhet ti përmbahen kuadrit ligjor që trajton ky raport.
Bardhi: Lat pa hetuar kokat e grupit kriminal. Këtë standard hetimi që ju keni ndjekur si prokuror i kësaj çështje a ju a rekomandoni vartësve tuaj?! Dekonspirimi i aksionit për aq informacion që ju keni, kur Genci Xhixha koka e grupit kriminal mori arratinë ditën e aksionit të prokurorisë. A duhet të hetohet dekonspirimi i aksionit?
Çela: Ky është një raportim për punën e vitit 2023 është në detyrën time dhe në detyrën tuaj si deputet ti përmbahemi kuadrit ligjor që trajton ky raport.
I pyetur nga Bardhi për konfiskimin e ndërtimeve pa leje në disa kulla në Tiranë dhe në bregdet, Çela tha se disa çështje janë dërguar për gjykim.
Bardhi: Janë denoncuar shtesa pa leje në kulla dhe ndërtime të larta në Tiranë dhe bregdet kjo më pas u konfirmua që u vendos një procedurë të dyshimtë konfiskimi dhe shitjen tek të njëjtat persona që i kanë ndërtuar pa leje. Ju me keni thënë s’keni informacion... i bie paguheni kot si prokuror i përgjithshëm. Sa nga këto që ndërtojnë kulla në mes të Tiranës dhe askush si shikon se po ndërtojnë kate pa leje janë proceduar nga prokuroritë.
Çela: Sa i përket çështjes së ndërtimeve pa leje është çështje e trajtuar me seriozisht nga ana e prokurorive. U kam kërkuar ta trajtojnë me vëmendje maksimale. Është mjaft shqetësuese që të vuajmë nga fenomeni i ndërtimeve pa leje. Keni dorëzuar një kërkesë për këto çështje dhe u kemi sqaruar se janë të dhëna të përgjithshme. Mund t’ju them se gjatë 2024 prokuroritë një pjesë të këtyre çështjeve e kanë dërguar për gjykim.
Mikrokreditë?
Çela: Është fenomen shqetësues janë disa kallëzime që u janë drejtuar prokurorive të juridiksionit të përgjithshme. Njëra nga çështjet ka pasur veprimet të prokurorisë. Mbetet të shikohet si do të shkojë hetimi apo gjykimi i çështjeve. Ajo që u është kërkuar prokurorive është nxitja për përshpejtimin e hetimeve.
Deputeti i opozitës Dash Sula ka kundërshtuar kohën që ka vendosur në dispozicion Kuvendi i Shqipërisë për raportimin e institucioneve të pavarura.
Sula u shpreh se secili nga institucionet duhet të kishte kohën e përcaktuar për raportim, dhe opozita të kishte më shumë kohë, jo vetëm 20 minuta.
“E vlerësoj raportimin e 5 institucioneve. Por jam i zhgënjyer me sjelljen e maxhorancës pasi jemi në gjysmën e korrikut dhe nuk kemi bërë asgjë për këto institucione, dhe ngelet gushti, kur është pushim. Institucionet e drejtësisë kanë paraqitur raportet e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, dhe është e pafalshme që mos të përfundojnë këto raportime. Vetëm këtu te ju ndodh. Ju injoroni gjithçka. E keni kthyer Parlamentin në Republikë Kryeministrore. Ju duhet t’i jepni të drejtë këtyre institucioneve dhe më pas të nisë debati. A mjaftojnë 25 minuta që të raportojnë ata? Kjo është tallje që bëni nga ana e maxhorancës. Maxhoranca ka ndritur me korrupsionin. Sjellja juaj nuk i bën nder shoqërisë dhe vendit.”, tha ai.
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela ka raportuar para Kuvendit raportin për vitin 2023, ndërsa theksin e vendosi sërish tek vakancat e prokurorëve, të cilët përballen edhe me ngarkesë të shtuar. Ndalur në shifra, Çela tha se ka një mungesë të prokurorëve me 38%. Pra, në vitin 2023 prokuroritë kanë pasur 198 prokurorë kundrejt numrit organik prej 321.
“Përgjatë vitit 2023 në të gjithë nivelet e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm ka vijuar krijimi i vakancave të përkohshme dhe të përhershme deri në 38 % të prokurorëve (rivlerësimi kalimtar). Megjithë problemet e krijuara nga këto mungesa të theksuara në organikë, prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm kanë ushtruar me përgjegjësi kompetencat bazuar në kuadrin ligjor në fuqi, rekomandimet e institucioneve kushtetuese dhe ndërkombëtare, si dhe në prioritetet e shtetit shqiptar që rrjedhin nga procesi i integrimit me Bashkimin Europian”, tha Çela.
Çela tha se “Gjatë vitit 2023, janë trajtuar 55253 materiale kallëzuese që përbën një ulje prej 9,4 % në krahasim me vitin 2022. Janë ndjekur gjithsej 45715 procedime penale, nga të cilat 24095 janë procedime penale të regjistruara, dhe janë mbartur 21011 procedime penale. Është vendosur mosfillimi për 9946 referime dhe kallëzime penale."
Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë me 35,12 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi; në fund janë prokuroritë Kukës 2,37 %; Dibër 2,31 % ,të numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi.
Koeficienti i kriminalitetit për procedimet penale të regjistruara, për 100,000 banorë në vitin 2023 është 872, ndërsa në vitin 2022 koefiçenti i kriminalitetit ka qenë 920. Në vitin 2022, përqindjen më të ulët të kriminalitetit për 100.000 banorë e ka qarku Dibër, ndërsa përqindjen më të lartë e ka qarku Vlorë.
Ndër grupveprat penale me numrin më të lartë të procedimeve të regjistruara, evidentohet se veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike përbëjnë numrin më të lartë të procedimeve penale të regjistruara me 31,71 %, por me një ulje 1,54 % krahasuar me vitin 2022; veprat penale vjedhja e pasurisë përbëjnë 23,64 % të numrit të përgjithshëm të procedimeve të regjistruara, të cilat kanë ulje 16.39 % krahasuar me vitin 2022; sërish me një tendencë ulje të ndjeshme si në vitin e kaluar; veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes 6,2%, me një ulje prej 4.68 % në krahasim me vitin 2022.
Çela u ndal edhe tek pasuritë e sekuestruara dhe konfiskuara përgjatë vitit 2023.
"Rezulton se janë sekuestruar rreth 97 prona të paluajtshme, 16 340 m2 truall, 28 746 m2 arë, 11 llogari bankare në vlerën rreth 2,53 milionë euro dhe 434 milionë lekë, në total rreth 6.87 milionë euro etj. Ndërkohë është kryer konfisikimi për 19 pasuri të paluajtshme dhe rreth 500 000 euro", tha Çela.
E PLOTË/ Raporti Prokurorisë së Përgjithshme për veprimtarinë për Vitin 2023
Kuvendi i ka hapur rrugën shqyrtimit me procedurë të përshpejtuar të pr/ligjit për prodhimin dhe tregtimin e armëve. Kjo kërkesë e qeverisë u kundërshtua nga opozita, e cila kërkoi shpjegime nëse ka urgjencë për këtë projektligj. Po ashtu, PD kërkoi që të futet në kalendarin e punimeve të Kuvendit, “Mocioni me Debat” për bllokimin e fondeve të IPARD. Shqyrtimi i projektligjit do të bëhet me 25 korrik.
Felaj: Këshilli i Ministrave ka kërkuar shqyrtim me procedurë të përshpejtuar për Projektligjin "Për Krijimin e Shoqërisë Shtetërore për Prodhimin dhe Tregtimin e Armëve, Municioneve, Pajisjeve dhe Teknologjive Ushtarake".
Bardhi: Kemi kërkuar një mocion me debat për fondet e IPARD dhe hetimet nga OLAF. Ngritjen e një komisioni të posaçëm për adresimin e masave për të zhbllokuar fondet e IPARD III.
Felaj: Jemi në kohë për ta shqyrtuar kërkesën për mocion në konferencën e kryetarëve sepse e keni depozituar të premten.
Bardhi: Çfarë nevoje apo urgjence ka Këshilli i Ministrave për të shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar këtë projektligj.
Tabaku: A ka ndonjë operator tjetër që kërkon ndryshim ligji?
Tabaku: Ligji i armëve u ndryshua para dy muajsh sepse një operator që merrej me shpërndarje e tre kërkoi që në listë të futeshin 2 lloje të ndryshme armësh municionesh. Pra dy muajsh gjithë Parlamenti e ndryshoi ligjin me këtë kërkesë, komisionet brenda ditës u mblodhëm. Po ky ligj është ndryshuar para 6 muajsh. Çfarë është kaq urgjente për ligjin e armëve që nuk u ndryshuar nga një operator tjetër që e ka kërkuar këtë? Pyetje legjitime, U mblodh parlamenti sepse një ofrues që shiste armë kërkoi ndryshimin e listës. Tani po kërkoni sërish parlamenti të mblidhet. Si mund të mblidhemi me kërkesë të një operatori? Kush janë arsyet që nuk u ndryshuan dot para dy muajsh e po kërkohet të ndryshohet tani. Ky është një ligj jo i thjeshtë ka debat dhe prek shumë interesa, është i përafruar me legjislacionin e BE.
Gogu: Rregullorja është e qartë një folës pro dhe një kundër. Rregullorja e Kuvendit ka parashikuar që ti kërkojë Kuvendit një procedurë të përshpejtuar. Ka sjellë një projektligj të ri. Do të keni gjithë kohën që të denonconi në komisione. Sot ne vendosim dhe kjo seancë plenare ka diskreditonit ta vendose. Tani na mbetet të gjithë neve ta votojmë. Vazhdojmë me votimin.
Felaj: Nuk bëhet fjalë në ndryshimet në ligjin për armët, është një ligj i ri. Jo më kot e kërkova për rregullimin e provimit tregtimit dhe zhvillimit të armëve. Nuk ka të bëjë me ligjin për armët. Është projektligj i ri. Jemi të qartë edhe me procedurën që na imponon rregullorja. Ka të drejtë Këshilli i ministrave të paraqesë një kërkesë të tillë. Komision përgjegjës për këtë projektligj do të jete komisioni për Sigurinë Kombëtare. Shqyrtimi i projektligjit do të bëhet me 25 korrik.
Gazmend Bardhi harroj te pyesi kur do arrestohet krimineli Elbasanit dmth deputeti shpifanjosi Bardhi dhe harroj prap te pyesi kur do merret ne hetim miliardiera deputete e opozites oligarja Sude Jorida Tabaku per dosjen qe e pret ne Spak!!Flamur Noka trafikanti nderkombetar cubi i forti i familjes Berisha duhet te ishte ne burg jo ne kuvend!!Drejtesia shqiptare te vazhdoj punen sic e ka nisur se delenxhinjve te opozites ketyre hajduteve dhe dembela ua tregon vendin populli ne kutit e votimit!
PërgjigjuSHBA të bëjë Dumanin kryeministër dhe mbaron filmi....
PërgjigjuO Zoti dumani vazhdoni punen se u mbeshtet populli sa per noken hetojeni per 30 vite shkaterim te keti vendi dhe dhe lidhe me grupet e kuksit dhe sa per bujare arapashin hetoje se eshte drejtusi e gjithe bandes se vlores dhe ta shifni
PërgjigjuO ti qē kritikon tasimin pēr drejtē shkrim ti je prefesor me fakultet tē bler ? ? ? Patjetēr se kur hiqesh kaq esnaf ska diskutim o biri im.
Përgjigjunuk jep llogari kryetari i spakut para deputeteve....ku eshte pare kjo...
PërgjigjuBoll se lat nom spaku bkh po ju po villni me ameriken e europiant e ca jan ne karrike aty
PërgjigjuDuhet "Vidhni" dhe jo "villni".. Ti, Talim që s’di këndim, Je vezir për arësim;