Politikë

‘Drejtimi i PD, fitore e pandershme, por e vetmja për Bashën’, analistët: ‘ Analiza e PD’, fushatë spastrimi

25 Qershor 2021, 21:15| Përditesimi: 26 Qershor 2021, 13:17

  • Share

Analizën e verës 2021, të cilët demokratët e kanë përcaktuar si rrugën që do t’i tregojë përse humbën zgjedhjet e 25 prillit, analistët e shohin si një përpjekje të lidershipit të selisë blu, për të deleguar përgjegjësinë e humbjes.

 “Zakonisht kryetarët për shkak të etikës politike, mbajnë përgjegjësi, por Basha e ka shmangur.  Analiza është e mirë kur nis nga premisa të drejta, por kjo nuk ka ndodhur. Analiza e PD ishte i vetmi proces që duhej bërë si duhej, por nuk është nisur nga premisa të drejtë", thotë analisti Ben Andoni.

Për analistin Ben Andoni analiza e PD do të pasohet nga fushatë e drejtpërdrejtë pastrimi nëpërmjet Kuvendit Kombëtar më 17 korrik.

“Akti që parashihet, do jetë një akt i pastër spastrimi dhe kjo nuk është e shëndetshme për PD. Sido që të jetë Nishani është një njeri me kontribute dhe i vlen PD-së. Djerrja që po i bën PD-së nuk thotë asgjë më shumë se ajo që do të ndodhë më 17 korrik, më shqetësuese është ikja e atyre që nuk gjejnë më frymëzim dhe ide në këtë parti, sesa rikonceptimi”, vijon Andoni.

Kryedemokratin Basha e konsideron një njeri të ngopur me pushtet, ndonëse pa pushtet. I ndodhur në pozicionin komod të kryetarit të partisë më të madhe opozitare, Andoni thotë se humbja e garës elektorale Bashës nuk i krijon shqetësim.

 “Basha është i ngopur me pushtet, pa pushtet, që dmth që është në krye të PD, ka fituar për herë të tretë, janë fitoret e vetme që mund të gëzojë, por janë fitore jo të ndershme. Ai po shijon momentet më të këndshme në karrierën e tij politike. Ka humbur, por nuk i krijon shqetësime sepse ka shmangur  ata që mund ta kritikojnë. Do mbretërojë edhe për katër vitet e ardhshme, por nuk po prodhon asnjë alternativë”, thotë Ben Andoni.

Edhe raportin e kryedemokratit Basha me aleatët, Andoni e sheh si të pasinqertë, përsa kohë pas humbjes së zgjedhjeve, krerët e partive të vogla u mjaftuan me marrjen e mandatit dhe ndaluan kritikat e tyre në drejtim të udhëheqësit të opozitës.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?