Titulli 'Qytetar Nderi' për Bashkim Finon (pas vdekjes) dhuruar vajzës së tij Megi Fino

Drejtoi qeverinë gjatë periudhës së Pajtimit Kombëtar në '97, Bashkia e Kuçovës i jep titullin 'Qytetar Nderi' (pas vdekjes) Bashkim Finos

24 Maj, 21:52| Përditesimi: 24 Maj, 22:06

  • Share

Sot në qytetin e Kuçovës u zhvillua aktiviteti për t’i akorduar ish-kryeministrit Bashkim Fino, titullin e lartë “Qytetar Nderi” (pas vdekjes).

Përfaqësuesve nga Bashkia dhe Këshilli Bashkiak i Kuçovës ju bashkuan kolegë të shumtë socialistë si dhe qytetarë të Kuçovës për të nderuar ish-kryeministrin.

Ndër pjesëmarrësit ishin Kryetari i PS i Qarkut të Beratit, Bledi Çuçi, Kryetarët e Bashkive të qarkut të Beratit, Namik Dokle, Musa Ulqini, Arben Malaj, Arta Dade, Spartak Braho, e shumë politikanë të tjerë të majtë.

Të pranishëm ishin dhe familjarë e miq të ish-kryeministrit dhe njeriut që bëri bashkë politikën shqiptare në ditët më të vështira të saj.

Në emër të familjes, vajza e Bashkim Fino, Megi Fino mes falenderimeve dhe mirënjohjes për titullin e akorduar babait të saj theksoi se megjithëse Bashkim Fino ishte rritur në kalldrëmet e Gjirokastrës, Kuçovën e mbante gjithmonë në zemër si shtëpinë e tij të dytë, si vendin ku punoi me pasion dhe përgjegjësi për tre mandate dhe si vendi që i dha mandatin e deputetit për herë të parë për të vazhduar më pas si deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për 6 legjislatura.

Kabineti i drejtuar prej tij gjatë periudhës 9 Mars 1997-29 qershor 1997 mori emrin Qeveria e Pajtimit Kombëtar.

Kjo qeveri u krijua falë vullnetit politik të partive kryesore të vendit dhe ndërhyrjes ndërkombëtare. Në datat 6 dhe 9 Mars 1997, në kulmin e trazirave në vend, forcat politike nënshkruan marrëveshjen për krijimin e qeverisë së re, me pjesëmarrje të gjerë politike. Kryetar i saj u zgjodh socialisti Bashkim Fino.

Ish-kryeministri dhe një nga deputetët më të spikatur në radhët e Partisë Socialiste, ka ndërruar jetë në moshën 58 vjeçare, më 29 Mars 2021. Prej më shumë se 1 muaji, Bashkim Fino ishte infektuar me Covid-19 dhe fatkeqësisht ai nuk e fitoi dot betejën për jetën.

Për kontributin e tij të madh në shërbim të vendit, Bashkia e Kuçovës i ka akorduar titullin e lartë "Qytetar Nderi", pas vdekjes.

G.K//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?