TIRANË- Prokuroria e Posaçme ka goditur sërish organizatën kriminale të Çopjave me bazë në Elbasan, duke u sekuestruar pasuri me dyshimet që janë vënë nga aktiviteti kriminal i kësaj organizate me në krye Franc e Hajdar Çopja. Konkretisht, SPAK ka vënë në sekuestro Solis Farm, një pikë agroturizmi në Mumajes të Baldushk-ut, godinën dhe sipërfaqen e tokës në të cilën ky operator ekonomik ushtron aktivitetin.
Godina e ‘Solis Farm’ përbëhet nga dy kate, kati i parë nga kuzhina, restoranti, ambienti i restorantit, veranda, etj dhe kati i dytë i përbërë nga dy dhoma, sallon etj. Në sekuestro janë vënë tavolina, karrige shërbimi, një kënd lojërash për fëmijë, një ambient ku mbahen shpendë të ndryshëm të cilat ndodheshin në oborr.
"Prokuroria e Posaçme përmes njoftimeve të publikuar më 01.08.2024 dhe 21.01.2025 informoi mbi procedim penal të një organizate kriminale, e cila e kishte bazën në qytetin e Elbasanit dhe drejtohej nga vëllëzërit Franc Çopja dhe Hajdar Çopja si dhe sekuestrimin e pasurive të luajtshme dhe paluajtshme, që dyshohet se janë produkt i veprës penale.
Prokuroria e Posaçme ka vijuar me kryerjen e hetimeve në drejtim të evidentimit dhe sekuestrimit të pasurive të luajtshme dhe paluajtshme, të cilat dyshohet se kanë origjinë kriminale. Pas kryerjes së veprimeve të shumta hetimore është bërë e mundur evidentimi i një pasurie të paluajtshme e vlera e së cilës është e konsiderueshme.
Më datë 18.02.2025, në zbatim të vendimit nr. 115, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, është vendosur ‘’sekuestro preventive’’ për operatorin ekonomik “Solis FARM” (me aktivitet në fushën e agroturizmit, shërbime akomodimi në struktura hotelerie, bujtinë, shtëpi pushimi, vila, shërbim bar-restorant-kafe etj), si dhe për godinën dhe tokën, në sipërfaqen e të cilës ky operator ekonomik ushtron aktivitetin, konkretisht, pasuria e paluajtshme në Mumajes, Baldushk, Tiranë", njofton SPAK.
Vendimi për sekuestrot është firmosur më datë 18 shkurt 2025 dhe po në të njëjtën ditë është arrestuar edhe administratori i ‘Solis Farm’, Petrit Lakatos për dy akuza “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
"Në po të njëjtën datë, (18.02.2025), në orën 18:45 u procedua nga prokurori me ndalimin e shtetasit P.L., në cilësinë e administratorit të operatorit ekonomik “Solis FARM”, si person i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunimin e posaçëm, në formën e organizatës kriminale, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 287 – 28/1, 333, 334 të Kodit Penal", njofton SPAK.
Po ashtu, gjatë kontrollit personal ndaj Petrit Lakatos u gjetën dhe u sekuestruan 2940 euro, 203 mijë lekë të rinj, orë e markës luksoze Rolex, një varëse floriri me 3 diamante dhe 4 telefonë.
Vetëm një muaj më parë krerëve të organizatës kriminale të Çopjave SPAK, mes dhjetëra pasurive, u sekuestroi edhe 10 milionë $ në kripto, në bashkëpunim me policitë e disa shteteve ku ata dyshohet se vepronin me trafikun e kokainës, dhe pagesat i bënin me monedha virtuale.
Komente

Ja, ketij i thone investim strategjik ne fushen e turizmit!!!
Përgjigju