Mimoza Kaçi, drejtoresha e AMF

Ekonomi

Drejtoresha e AMF në Forumin e NAIC në SHBA: Digjitalizimi dhe rritja e përfshirjes, kyçe për zhvillimin e tregjeve financiare! Rol strategjik kombëtar

30 Maj, 18:01| Përditesimi: 30 Maj, 18:07

  • Share

Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Mimoza Kaçi, mori pjesë në Forumin Ndërkombëtar të Sigurimeve 2025, organizuar nga Shoqata Kombëtare e Komisionerëve të Sigurimeve (NAIC) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky forum, ndër më prestigjiozët në industrinë globale të sigurimeve, mblodhi drejtues të lartë të autoriteteve rregullatore, ekspertë ndërkombëtarë dhe liderë të industrisë për të trajtuar sfidat dhe zhvillimet më të fundit në tregjet e sigurimeve.

Në panelin me temë “Zhvillimi i Produkteve dhe Teknologjisë”, Kaçi ndau perspektivën dhe përvojën shqiptare në drejtim të dixhitalizimit të tregut të sigurimeve dhe përfshirjes financiare. Ajo theksoi rëndësinë e ndjekjes së standardeve ndërkombëtare dhe përshtatjen e modeleve rregullatore me specifikat e vendeve në zhvillim, për të garantuar një treg më të sigurt, më transparent dhe me mbrojtje të lartë për konsumatorin.

“Shqipëria dhe rregullatorët e Evropës Juglindore mund të japin një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin digjital të tregjeve të sigurimeve, duke vepruar si ura lidhëse mes realiteteve lokale dhe praktikave më të mira ndërkombëtare”, deklaroi drejtoresha e AMF gjatë fjalës së saj.

Ajo shtoi gjithashtu se në Shqipëri, dixhitalizimi ka një rol strategjik kombëtar, jo vetëm si përmirësim teknologjik, por si nxitës i zhvillimit të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirjes financiare, duke ndikuar pozitivisht në funksionin mbrojtës që ka tregu i sigurimeve.

Paneli u drejtua nga Justin Zimmerman, Komisioner i Departamentit të Bankave dhe Sigurimeve të shtetit të New Jersey, dhe përfshiu pjesëmarrjen e figurave të shquara ndërkombëtare, përfshirë Ekhosuehi Iyahen, Sekretare e Përgjithshme e Forumit për Zhvillimin e Sigurimeve, dhe Suzette Vogelsang, Eksperte e Lartë në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

“Ky angazhim i AMF-së në një forum të këtij niveli nënvizon rolin proaktiv të institucionit në mbështetje të inovacionit teknologjik dhe forcimit të mbikëqyrjes financiare në përputhje me tendencat globale”, theksohet në reagimin e institucionit për këtë forum.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?