Drejtoresha e ISHP-së Albana Fico, ka humbur babain e saj, albanologun e njohur Agron Fico. Me anë të një postimi në “Facebook”, Fico shpreh vlerësimet më të larta për të atin, duke thënë se ishte një njeri i veçantë që ka lënë shumë kujtime të mira pas.
“Ishte babai që na kuptoi pa na gjykuar, që emancipimin tonë e gjeti tek shkollimi dhe dija. Njeriu që më shoqëroi çdo 1 shtator në shkollë. Njeriu që e deshi pafund dhe shkroi intensivisht për gjuhën, folklorin dhe kulturën shqiptare. Botoi libra dhe hapi katedra dhe programe të gjuhës shqipe në të tre kontinentet, duke u bërë si rrallë herë profesor në tre kontinente”, thotë ndër të tjera Drejtoresha e ISHP.
Mesazhi i drejtoreshës së ISHP-së Albana Fico
“Të dashur miq e të afërm ! Mua që nuk më mungojnë fjalët, sot më ka rënë barra që të flas për Babanë tim që ishte mjeshtër i fjalës.
Për ata që e njohën nga afër dhe për ata që nuk arritën ta njihnin aq mire, do të desha t’u them: Se ishte dhe mbetet një njeri i veçantë që me përpjekje të stërmundimshme nga fillime të dhimbshme, erdhi deri në ditën që lamë pas, me një sërë gjërash për t’u kujtuar.
Ishte Babai që na kuptoi pa na gjykuar, që emancipimin tonë e gjeti tek shkollimi dhe dija. Njeriu që më shoqëroi çdo 1 shtator në shkollë. Njeriu që e deshi pafund dhe shkroi intensivisht për gjuhën, folklorin dhe kulturën shqiptare.
Botoi libra dhe hapi katedra dhe programe të gjuhës shqipe në të tre kontinentet, duke u bërë si rrallë herë profesor në tre kontinente. Ishte dhe do të mbetet pinjoll i Ficatëve, që e deshi Gjirokastrën së cilës i kushtonte poezi e i këndonte këngë si pak kush.
Njeriu që i adhuronte vajzat dhe nipin Martinin në një mënyrë të atillë që pak kund e kam gjetur duke qenë njëherësh sa kërkues, aq dhe i emancipuar.
Jam e sigurt, që në këtë ditë qershori plot diell, kemi shumë herë më tepër arësye ta kujtojmë Babin për çfarë la pas në trajtën e punës dhe përpjekjeve të tij personale, faqeve të shumta të shkrimeve për gjuhën dhe kulturën, dashurisë dhe hapësirës shpirtërore që na krijoi ne, fëmijëve të tij. Ndjeshmërisë ndaj edukimit si një dritare e pashoq për të kuptuar botën që na rrethon, adrenalinën për të shkuar përpara dhe besimit tek Ne dhe Lirka e tij e dashur, se sa të humbasim në terrin e dhimbjes së largimit të tij.
Prandaj në emër të Lirkës së tij të shtrenjtë, Delës, Martinit dhe timin personal, ju falenderoj me zemër që na u gjendët pranë në këtë kohë ku COVID -19 gjunjëzoi botën, sfidoi dhe ritualet mortore dhe na kërkon që të ndahemi këtu pranë varrit të këtij burri, Babait tim të shtrenjtë, për t’u takuar së shpejti kur të na mundësohet, për të bërë një ceremoni përkujtimore ashtu siç dimë ne ta bëjmë. Deri atëherë, lamtumirë babai im i shtrenjtë! të qoftë i lehtë dheu!