ARABIA SAUDITE - Drejtori ekzekutiv i Al Hilal, Esteve Calzada, ka konfirmuar se marrëveshja me trajnerin Simone Inzaghi ishte finalizuar që para finales së Champions League, ndonëse firma zyrtare u shty për disa ditë për të respektuar angazhimin e trajnerit me Interin.
Në një intervistë për BBC, Calzada dha detaje për mënyrën sesi u arrit marrëveshja dhe synimet e klubit saudit për sezonin e ardhshëm.
“Gjithçka ishte vendosur më parë. Nuk firmosëm para finales, sepse Inzaghi na kërkoi të prisnim për respekt ndaj Interit. Mund të duket si diçka e papritur, por ishte rezultat i një pune të gjatë e të kujdesshme”, deklaroi Calzada.
Al Hilal e mbylli sezonin e kaluar në vendin e dytë në kampionatin saudit dhe pret që ardhja e Inzaghit të sjellë kthimin në majën e futbollit vendas.
“Sezonin që u mbyll u renditëm të dytët, një rezultat që nuk shkon me ambiciet tona. Ajo që presim nga trajneri i ri është që të rikthehemi te titulli kampion”, theksoi drejtori.
Përveç kampionatit vendas, objektiv madhor mbetet edhe Botërori i Klubeve, ku Al Hilal kërkon të tregojë forcën e projektit të vet ambicioz.
“Nuk jemi këtu për të shkëmbyer fanella me lojtarët e Real Madridit. Kemi një ekip të talentuar, një trajner me famë botërore dhe vijmë me synime të qarta”, shtoi Calzada.
Esteve Calzada
Komente
