Drejtori i Burgjeve takohet me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar: Seanca gjyqësore me video-konferenca, synojnë modernizimin e sistemit

21 Nëntor, 15:09| Përditesimi: 21 Nëntor, 15:10

  • Share

Sot, në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Drejtori i Përgjithshëm, Klevis Qose, pati kënaqësinë të mirëpriste Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott. Takimi u fokusua në bashkëpunimin e deritanishëm dhe perspektivave për përmirësimin e mëtejshëm të sistemit penitenciar shqiptar. 

Gjatë takimit, u theksua roli i rëndësishëm që mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar ka pasur në avancimin e sistemit penitenciar në vendin tonë, veçanërisht në përmirësimin e infrastrukturës, logjistikës dhe burimeve njerëzore. 

Ndër çështjet e diskutuara ishin projektet e reja që synojnë modernizimin e sistemit, duke përfshirë implementimin e sistemeve të komunikimit virtual, si video-konferencat mes institucioneve penitenciare dhe gjykatave. Ky projekt do të ndihmojë në rritjen e sigurisë, uljen e kostove dhe lehtësimin e proceseve gjyqësore. 

Në takim, Qose vlerësoi gjithashtu përparimin e sistemit penitenciar shqiptar drejt një modeli modern, i cili jo vetëm garanton sigurinë, por gjithashtu fokusohet në rehabilitimin dhe riintegrimin e të dënuarve në shoqëri. 

“Mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar ka sjellë ndryshime të prekshme për sistemin tonë penitenciar. Ky partneritet është një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe përpjekjeve të përbashkëta për të ndërtuar një sistem të sigurt,” u shpreh Qose. 

Ambasadori Abbott, nga ana e tij, konfirmoi angazhimin e vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur financiarisht në këtë proces. Ai vlerësoi masat dhe reformat që po zbatohen, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit dypalësh në arritjen e rezultateve të qëndrueshme. 

Ky takim përforcoi angazhimin e ndërsjellë për të forcuar më tej bashkëpunimin në interes të përmirësimit të sistemit penitenciar dhe të respektimit të të drejtave të njeriut.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?