Lufta kundër krimit ishte qendra e diskutimeve në asamblenë rajonale të Shoqatës të Shefave të Policisë së Evropës Juglindore, që mbahet në Berat. Kryepolici Ilir Proda, në rolin e presidentit të SEPCA-s, ngriti shqetësimin se krimi nuk po njeh kufij.
“Fenomenet kriminale nuk njohin më kufij. Krimi i organizuar, trafikimi i narkotikëve, kontrabandimi i emigrantëve, trafikimi i qenieve njerëzore, terrorizmi, krimi financiar dhe ai kibernetik janë sfida tashmë globale dhe vetëm së bashku mund t'i përballojmë", tha Proda.
Proda përmendi bashkëpunimin e ngushtë me INTERPOL dhe EUROPOL që vendi ynë ka në luftën kundër krimit. Ballkani sipas tij e ka mundësinë por edhe përgjegjësinë që të shndërrohet në një zonë sigurie kolektive.
Shoqata e Shefave të Policisë së Evropës Juglindore ka 9 organizata policore nga 8 shtete në total, por pjesë e saj nuk është Kosova.
“SEPCA-s i mungon dhe një vend anëtar dhe do ishte në interesin e luftës së përbashkët ndaj krimit, që Kosova të ishte anëtare dhe pjesë e kësaj nisme rajonale”, tha Proda.
Kosova gjithsesi sot ishte në Berat si e ftuar, e përfaqësuar nga kryepolici Gazmend Hoxha.
Tematikat kryesore që u diskutuan ishin lufta kundër krimit të organizuar, përballja me krimin kibernetik në rritje, goditja e rrjeteve të kontrabandës së emigrantëve dhe sidomos forcimi i bashkëpunimit ndërmjet strukturave hetimore dhe operacionale.
Asambleja vjetore e Shoqatës së Shefave të Policive të Evropës Juglindore (SEPCA) për vitin 2025 ka mbyllur punimet, duke lënë pas një mesazh të fortë për bashkëpunim rajonal dhe luftë të përbashkët kundër krimit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, në cilësinë e Presidentit të SEPCA-s, gjatë fjalës përmbyllëse, u shpreh me tone të qarta dhe të vendosura:
“Asnjë justifikim dhe asnjë barrierë nuk duhet të pengojë bashkëpunimin në luftën kundër krimeve globale. Kemi një mision fisnik dhe të vështirë, por jo të pamundur: të luftojmë krimin dhe të garantojmë rend e siguri për qytetarët tanë.”
Duke theksuar rëndësinë e unitetit ndërmjet agjencive ligjzbatuese, Proda përsëriti filozofinë udhëheqëse të SEPCA-s:
“Bashkëpunimi i hapur dhe i sinqertë ndërmjet policive dhe agjencive ligjzbatuese është mesazhi më i fortë kundër krimit. Përderisa krimi nuk njeh kufij apo ngjyrë, as ne nuk duhet të veprojmë me emocione apo ngjyrime. Ligji është bibla jonë. Qytetarët janë thesari ynë!”
Në një thirrje të drejtpërdrejtë për zgjerim të organizatës dhe përfshirje më të gjerë rajonale, ai nënvizoi domosdoshmërinë e anëtarësimit të plotë të Policisë së Kosovës në SEPCA:
“Le ta thellojmë bashkëpunimin për sundimin e ligjit dhe për të mirën e qytetarëve të vendeve tona! SEPCA-s i mungon një anëtare e domosdoshme, Policia e Kosovës. Shpresoj që, me mirëkuptimin dhe mbështetjen e të gjithë pjesëmarrësve, ajo të bëhet sa më shpejt anëtare e plotë dhe jo vetëm në statusin e ftuarit.”
Mbyllja e Asamblesë shënon një tjetër moment kyç për bashkëpunimin ndërpolicor në rajon, ndërsa mesazhet e dërguara nga drejtuesit e saj pritet të kenë jehonë përtej sallës së konferencës.
Komente
