Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi në një intervistë për Report Tv ka dhënë shifra sa i përket situatës së COVID. Fatkeqësisht kanë humbur këtë betejë me virusin 3 policë në Komisariatet në Tiranë, teksa 70 të tjerë janë të karantinuar në banesë.
"Ka pasur efektivë të infektuar me keqardhje them që 3 punonjës policie të Tiranës kanë humbur jetën nga virusi, aktualisht rreth 70 punonjës policie për shkak të simptomave që kanë shfaqur janë karantinuar në banesë për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të COVID. Kjo shifër është aktualisht", tha Jaupi.
Numri një i policisë së kryeqytetit ka dhënë detaje se si janë zëvendësuar këta policë të prekur me COVID.
"Natyrisht që ne kemi marrë masa të kalimit në shërbimin 12 orë për ato komisariate që kanë pasur raste më të shumta të efektivëve, e kemi dupluar dhe me shërbime të tjera të Shigjetave dhe Shqiponja, për të mbuluar territorin ku kemi pasur mundësi, nuk kemi lënë territor pa mbuluar. Dhe natën, lëvizja dhe për shkak të kufizimit, ne marrim masa që të mbulojmë territorin në të gjithë komisariatet. Edhe pse kemi njerëz të infektuar kemi marrë masa që të mos lëmë territor pa u mbuluar", shtoi ai.
Ndalur te gjobat e vendosura për shkelje të orës policore, Jaupi tha në intervistën me gazetarin Sokol Dema se qëllimi nuk është ndëshkimi i qytetareve dhe ka theksuar se policia është treguar tolerante në këtë drejtim.
"Nëse kanë qenë në kufi të mbylljes, ne i kemi toleruar. Ato që lëvizin pas orës 22:300 janë ushtruar dhe masa e gjobës, që të mos jenë përsëritës në lëvizje jo të domosdoshme. Kemi qenë dhe për ato rastet që për shkaqe të domosdoshme kanë lëvizur, policia i ka toleruar dhe disa herë edhe i ka shoqëruar në destinacion", përfundoi Jaupi në Report Tv.
Lajmi kryesor:
Jaupi për Report Tv: 550 krime më pak gjatë pandemisë COVID! Ulen vjedhjet e banesave dhe makinave! I pazbardhur ende atentati ndaj Preng Gjinit
B.K./ReportTv.al