Nxënes në Shkodrën e vitit 1948

'Drejtori thirri disa profesorë reaksionarë, njërin e kapi për gryke, kurse nxënësve ua përplasi kokën për muri'/ Zbulohet dokumenti tronditës, për Shkodrën e vitit 1948

4 Gusht 2023, 08:36| Përditesimi: 4 Gusht 2023, 08:46

  • Share

Dëshmia për fushatën e dhunës që ushtrohej në shkollat e Shkodrës, ndaj fëmijëve të kundërshtarëve politikë, në vitet e para të pas luftës!

Kush kishte një të shkuar opozitare me komunistët, apo kush nuk i përqafoi format e regjimit komunist, në vitet e para të pas Luftës, futej në kategorinë e reaksionarëve, armiqve të popullit, apo siç cilësoheshin ndryshe elementi armik. Një fëmijë shkolle që vinte nga një familje e tillë, nuk gëzonte të njëjtat të drejta si fëmijët e komunistëve. Madje regjimi, kishte përgatitur terrenin se si do t’i thyenin, përmes dhunës e formave të tjera, të gjithë fëmijët e shkollave që vinin nga familjet që kundërshtuan regjimin komunist. Dokumenti që sjellim sot, i përket vitit 1948 dhe është një relacion i Ministrisë së Punëve të Brendshme, dërguar Komitetit Qendror, për një fushatë dhune që po ushtronin në shkollat e Shkodrës, ndaj fëmijëve të kundërshtarëve politikë.

Regjimi komunist kishte shpallur luftë të hapur ndaj kësaj kategorie, sidomos në Shkodër dhe përmes kësaj shkrese të Ministrisë së Brendshme, bëhet e ditur se deri më atëherë, pra në vitin 1948, nuk ishin treguar të ashpër sa duhej me këta “elementë”.

Pas këtij konstatimi, strukturat e Partisë Komuniste në Shkodër, ishin konsultuar edhe me seksionin e Sigurimit dhe ishte parë e arsyeshme, që të merreshin masa rigoroze dhe më efikase. nga ato që ishin ndërmarrë deri më atëherë.

Nga i gjithë raporti informative, ku flitet për këtë problem, vihet re se si e ushqenin dhunën në shkollë, si mjet për të nxitur e forcuar luftën e klasave, ku fjala rrahje, kapje për gryke, përplasja e kokës për muri, etj., artikulohet nga njerëzit e partisë, si diçka e zakonshme dhe normale.Në një fragment të raportit, shkruhet: “U vendos që të përjashtoheshin, deri 6 elementë reaksionarë nga organizata dhe të përgatitej terreni për rrahjen e këtyre elementëve, nga nxënësit.

Pas kësaj, elementët e tjerë reaksionarë më në dukje, të kapeshin nga nxënësit e mirë të organizatës dhe të kërcënoheshin ashpër.Edhe drejtori duhej të kërcënonte disa profesorë reaksionarë dhe pas kësaj, duhej t’i dorëzoheshin Komitetit Ekzekutiv, që t’u hiqte vërejtjen edhe ky. Për të gjitha këto vendime, Sekretariati i shkollës, duhej të bënte planin se si do të procedonte”.

Pas këtij plani, rrahja publike dhe kërcënimet, kishin sunduar shkollat e Shkodrës. “…disa nxënës të rinj komunistë dhe anëtarë Partie në oborrin e shkollës, kapin dhe rrahin disa elementë reaksionarë në dukje. Pas kësaj, në dhomën e sekretariatit të shkollës nga presidenti, sekretari organizativ dhe shokë të tjerë të sekretariatit, u thirrën afro 13 elementë reaksionarë, ku u kërcënuan, duke iu përpjekur kokën pas murit, ose duke i zënë për gryke…” – shkruhet në raport, duke shtuar se dhuna ishte shtrirë edhe tek profesorët, që cilësoheshin si element armik. “Drejtori thirri disa profesorë reaksionarë dhe njërin e kërcënoi, duke e kapur për hunde ose për gryke…”!

Por në raportin e Ministrisë së Brendshme, ngrihej problemi se në këtë fushatë dhune, ishin bërë disa gabime, se duhet të kishin qenë më të organizuar në këto akte dhune dhe më të vendosur. Se kishte qenë e gabuar thirrja në shkollë dhe rrahja e tyre, ndërkohë që mund t’i kishin kapur dhe rrahur në rrugë.

Fushata ishte pasuar me kundërshtimet që kishin hasur me familjet e këtyre nxënësve, të cilët e kishin ndaluar vajtjen në shkollë të fëmijëve të tyre, duke kërkuar siguri për ta.

Ndërsa Ministria e Brendshme propozon nje plan masash për vitin e ardhshëm, që të kishin më shumë efikasitet në këto fushata dhune ndaj kundërshtarëve politik të regjimit, në të vërtetë të fëmijëve të tyre në shkolla. Më poshtë e sjellim të plotë dokumentin e vitit 1948.

                                            Dokumenti i plotë

 RELACION PËR ELEMENTIN KUNDËRSHTAR NË SHKOLLËN E SHKODRËS

Në kohët e fundit, elementi kundërshtar në shkollën e Shkodrës, kishte marrë mjaft kurajë dhe kishte shtuar aktivitetin në gjithë punët. Kjo shkaktohej se lufta që iu bënte këtyre organizata nuk ishte efikase.

Demaskimi i gjithë veprimeve të tyre para nxënësve si dhe këshillimet që iu bëheshin atyre elementëve që ishin në radhët e organizatës, nuk i trembnin. Këtë qëndrim të organizatës ata e quanin si dobësi, mbasi ajo nuk mundej të merrte masa të tjera.

Kësaj i shtohet edhe gabimi i bërë nga sekretariati i qytetit, që nuk kishte aprovuar vendimin e aktivit të shkollës, për përjashtimin e elementëve reaksionarë nga organizata, nën pretekstin se “nuk e kishin mbushur kupën”!

Për një qëndrim te këtillë, sekretariati i qytetit qe konsultuar edhe me Seksionin e Sigurimit. Këtë qëndrim, elementi reaksionar e shfrytëzoi si dobësi të organizatës, se kjo nuk mundej të merrte masa kundrejt atyre.

Ata shtuan aktivitetin e tyre pa frikë, flisnin hapur kundër organizatës dhe rregullit në shkollë, merrnin vendime në mbledhjet e tyre, për të rrahur shokët e organizatës, etj.

Përpara kësaj gjendjeje, nevojitej të merreshin masa rigoroze dhe më efikase, nga ato që ishin marrë deri atëherë kundër elementit kundërshtar.

Për këtë, Komiteti i Partisë i qytetit dhe një i deleguar i Komitetit Qendror të Partisë që ndodhej në Shkodër, mblodhi celulën e shkollës për të shqyrtuar këtë çështje.

Këtu u vendos që të përjashtoheshin deri 6 elementë reaksionarë nga organizata dhe të përgatitej terreni për rrahjen e këtyre elementëve nga nxënësit.

Pas kësaj, elementët e tjerë reaksionarë më në dukje, të kapeshin nga nxënësit e mirë të organizatës dhe të kërcënoheshin ashpër.

Edhe drejtori duhej të kërcënonte disa profesorë reaksionarë dhe pas kësaj, duhej t’i dorëzoheshin Komitetit Ekzekutiv që t’u hiqte vërejtjen edhe ky. Për të gjitha këto vendime Sekretariati i shkollës, duhej të bënte planin se si do të procedonte.

Shokët e shkollës, filluan menjëherë t’i zbatojnë këto vendime, por rruga që ndoqën, nuk ka qenë ajo që u tha më lart, por ka pasur gabime.

Pa u bërë asnjë përgatitje në masën e nxënësve, që pasditen që u mblodh celula, presidenti dhe sekretari organizativ i shkollës, tentuan të rrihnin një nxënës reaksionar, që u iku nga duart. Të nesërmen, një shok i këtij, në informacionin politik të klasës, foli kundër udhëheqësve, duke thënë:

“Në ç’pikë të Statutit të Republikës Popullore, thuhet që të rrihen anëtarët e organizatës”?! Kryetari i grup­-aktivit, pa sqaruar këtë thënie të tij para nxënësve, i tha të dilte jashtë, duke e ndjekur nga pas.

Në këtë kohë elementët e tjerë reaksionarë, duke kujtuar se kryetari i klasës do të godiste shokun e tyre, u çuan kundër kryetarit të klasës. Menjëherë pas kësaj, disa nxënës të rinj komunistë dhe anëtarë Partie, në oborrin e shkollës, kapin dhe rrahin disa elementë reaksionarë në dukje.

Pas kësaj, në dhomën e sekretariatit të shkollës nga presidenti, sekretari organizativ dhe shokë të tjerë të sekretariatit, u thirrën afro 13 elementë reaksionarë, ku u kërcënuan duke iu përpjekur kokën pas muri,t ose duke i zënë për gryke.

Po kështu dhe drejtori, thirri disa profesorë reaksionarë dhe njërin e kërcënoi, duke e kapur për hunde ose për gryke. Vonë, pas 4­5 ditësh, elementët reaksionarë u përjashtuan nga organizata.

Gjatë procedimit, u bënë mjaft gabime. Këto masa që do të merreshin kundër elementit reaksionar, nuk u shfrytëzuan mirë dhe sekretariati i shkollës, nuk bëri një plan si të procedohej, por u veprua në mënyrë të çrregullt, si i erdhi për dore secilit.

Vendimet e celulës, nuk u zbatuan sipas radhës që u caktuan. Nuk qe e drejtë që të nxirrej nga informacioni politik, ai nxënësi reaksionar, por të goditej pikëpamja e tij dhe të përgatitej kështu terreni, për ta rrahur.Nuk qe e drejtë gjithashtu që nga presidenti dhe sekretari i shkollës, kapet një nxënës reaksionar, për ta rrahur, se kjo i lejoi elementët reaksionarë, për të goditur organizatën.

Aq më shumë rrahja e elementëve reaksionarë në oborrin e shkollës, ka qenë e gabuar, pse ata elementë reaksionarë, e shfrytëzojnë duke thënë se; “në shkollë ka anarki dhe terror, atje drejtoria nuk drejton por organizata, dhe drejtoria nuk mban dot rregullin”, etj.

Veç kësaj, pas rrahjes shumica e elementëve reaksionarë nuk shkonin në shkollë dhe prindërit e tyre, kërkuan nga drejtoria që të siguroheshin se iu ngjiste gjë fëmijëve të tyre, pastaj t’i lejonin të vinin në shkollë.

Duke u thirrur elementët reaksionarë në dhomën e sekretariatit dhe duke iu përpjekur kokën për murit, organizata u bë tamam si policia, ndërsa këta elementë reaksionarë, mund të kërcënoheshim fare mirë nga anëtarë të mirë të organizatës, duke u kapur në rrugë.

I njëjti ka qenë dhe gjesti i drejtorisë, kur ka kërcënuar dhe kapur për hunde, një profesor reaksionar. Rrahja e elementëve reaksionarë, është shfrytëzuar nga organizata, për të kërcënuar elementët e tjerë reaksionarë.Tani këta, kanë prerë aktivitetin e tyre si më përpara, por megjithatë pas rrahjes, janë shkruar dy parulla në muret e shkollës.

Sekretariati i shkollës, ka gabuar gjithashtu pse ai për marrjen e gjithë këtyre masave, nuk është konsultuar aspak me sekretariatin e qytetit, as për ta njoftuar se çfarë bëhet në shkollë.

Për këtë edhe Sekretari Politik i Komitetit të Partisë, pranon gabimin që ata nuk vunë në dijeni sekretariatin e rinisë të qytetit, për të ndihmuar edhe ky shokët e shkollës që vendimet e marra, të zbatoheshin drejt.Reaksioni përgatitet për të pasur baza edhe vitin tjetër në shkolla. Për këtë, elementët reaksionarë punojnë me vëllezërit ose kushërinjtë e tyre, me qëllim që këta t’i ketë për vitin e ardhshëm në shkollat e mesme.

Për të mos qenë kjo gjendje edhe në vitin e ardhshëm, në shkollat e Shkodrës dhe për të mos futur elementë të tjerë reaksionarë në shkollë, është e nevojshme të merren këto masa:

Vitin e ardhshëm, 20­-30 nga elementët më reaksionarë, të mos pranohen në shkollë. Këta këtë vit, do të mbesin edhe në klasë, pse nuk kanë mësuar me qëllim dhe veç kësaj, ata kanë qenë më të padisiplinuarit në shkollë.

Të mos pranohen në shkollë gjithë ata elementë reaksionarë, që vijnë nga uniket.Të hiqen gjithë ata profesorë reaksionarë, që janë vendas dhe të çohen profesorë nga qytetet e tjera.Të përmirësohet përbërja e klasave të para, duke futur këtu gjithë elementët e shëndoshë që janë në uniket e Shkodrës.

Këta të mos lejohen të shkojnë në shkolla të tjera, si p.sh. në Institutin Teknik, etj./Memorie.al

M.T/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pjerini: 04/08/2023 12:14

    Pak kush i ka njohur dhe i njeh shkodranet.As nje Parti apo qeveri nuk ka luajtur me shkodranet.Ajo ka perkrah partite e qeverite qe kane punuar per popullin dhe kane ndryeshuar Shkodren dhe jeten e shkodranve.Keshtu ka ndodhur edhe ne nje periudhe te socializmit e aq me teper ne demokraci.Fakti eshte qe ne demokraci Shkodra ka qene me e presekutuar se ne socializem.Nuk eshte e vertete se votat e fundit jane manipuluar,vjedhur,blere etj.qe propogandohet.Shkodrani nuk manipulohet ,shitet apo blihet lehte,e aq ma pak frikesohet nga te ashtuquajturat banda e bandit.Votat per PS jane nje denim per PD qe doli kunder Amerikes e perendimit qe shkodranet kane enderruar,por edhe nje prove per PS.Te shohim sa do i mbaj premtimet.Shkodranet nuk jane budallenj,as servila e frikacake.

    Përgjigju
  • Gënjeshtari: 04/08/2023 09:04

    Doto faksimilen të leexushme.Mjaftë me interpretime.

    Përgjigju
  • Gazepi: 04/08/2023 09:03

    Dhe Shkodra voton birin e nje komunisti te thekur qe me banden tomes, bajrave, pellumbit etj etj moren vitat me dhune

    Përgjigju
    • Madhi: 04/08/2023 10:11

      Njesoj si 32 vjet qe i vodhet votat me Zef Gjonin. Dhe shum Zefa te tjere qe Shkodranet injofin mir o Gazep

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?