Me rastin e 9-vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) hapi dyert për një mbrëmje poetike, që përmes krijimeve të publikut, risolli në kujtesë jetën dhe veprën e nobelistes shqiptare.
Në këtë aktivitet, të zhvilluar në hapësirën e DPA-së dedikuar aktiviteteve kulturore, qenë të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm në detyrë i DPA-së, Endrit Musaj, presidenti i projektit “Shpresa”, Luigj Mila, ambasadori i Republikës së Kosovës në Shqipëri, Skënder Durmishi, si edhe përfaqësues të komuniteteve fetare në vend.
Në fjalën e mbajtur, Musaj tha se ky aktivitet është një thirrje për të mos e parë Nënë Terezën vetëm si një figurë të shenjtë, por si një shembull që duhet ndjekur.
"Nënë Tereza është një figurë që i ka dhënë njerëzimit më shumë sesa mund të përfytyrojë një brez i tërë. E lindur në një familje në Shkup, trashëgoi vlerat më të çmuara të kulturës sonë: besimin, mikpritjen dhe dhembshurinë. Këto vlera, i shndërroi në një mision global, që i kaloi kufijtë e gjuhës sonë. Për ne shqiptarët, Nënë Tereza është krenaria më e madhe. Ai i tregoi botës se edhe nga një komb i vogël, por me shpirt të madh, mund të lindë një figurë që bëhet nënë për njerëzimin", përfundoi Musaj.
Fjalën e mori edhe ambasadori Durmishi, i cili e vlerësoi organizimin e kësaj mbrëmjeje poetike, si të nevojshëm për të nxjerrë mësime nga angazhimi humanitar i Nënë Terezës.
"Ju përgëzoj për organizimin e këtij aktiviteti. Jeta dhe vepra e Nënë Terezës janë thesare të përvojës së saj. Ajo ka thënë se me gjak është shqiptare, me bindje fetare e krishterë, por si vokacion i përket njerëzimit. Është shprehur se do lutej gjithmonë për popullin shqiptar. Kemi pra të drejtën e ligjshme të krenohemi me Nënë Terezën", u shpreh Durmishi.
Të ftuarit dhe pjesëmarrësit shkëmbyen fjalë të ndjera, poezi, krijime letrare dhe përshtypje, në shenjë nderimi ndaj Shenjte Terezës për angazhimin dhe kontributin e saj si humaniste, në ndihmë të nevojtarëve. Gjatë aktivitetit, u shfaq një ekspozitë dokumentare dhe fotografike me materialet e DPA-së mbi veprimtarinë fetare dhe mirëbërëse të “ambasadores së paqes”, duke shpalosur dorëshkrime të rralla të saj me fragmente në shqip.
Komente
