Një grup deputetësh të Partisë Demokratike kanë zhvilluar një takim të veçantë raporteren për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabelle Santos, e cila është duke zhvilluar një vizitë në Tiranë.
Sipas njoftimit të shpërndarë për mediat nga Partia Demokratike bëhet me dije se deputetët demokratë i shprehën raporteres shqetësimin e opozitës për mungesën e sundimit të ligjit të Shqipëri dhe aktet autoritariste të qeverisë. Sipas tyre mjë nga treguesit është shpërfillja e rekomandimit të institucioneve të BE për ligjin antidemokratik të mediave online, të cilin qeveria vazhdon ta risjellë në Kuvend.
Nënkryetarët e PD, Alfred Rushaj dhe Korida Tabaku njohën raporteren për Shqipërinë në PE me nismat reformuese të ndërmarra nga PD, duke nisur me vetingun e politikanëve dhe zyrtarëve të lartë, reformën zgjedhore dhe reformën administrative territoriale. Sipas tyre të treja nismat janë në shërbim të qytetarëve për të arritur standardet europiane të zgjedhjeve të qeverisjes dhe të shërbimit ndaj qytetarëve”- u shprehën përfaqësuesit e PD.
Gjithashtu ata i thanë Santos se vetingu përbën një akt jetik për pastrimin e politikës nga pjesa e korruptuar dhe e lidhur me krimin e organizuar.
"Raporterja për Shqipërinë, Isabelle Santos u shpreh se procesi i integrimit për Ballkanin Perëndimor është në fokusin e Parlamentit Europian dhe se hapat e ndjekura nga vendet kandidate do të ndiqen me imtësi. Ajo shprehu kënaqësinë për këtë takim me opozitën dhe përgëzoi PD për nismat parlamentare të ndërmarra", thuhet në njoftimin e PD.
Raporterja për Shqipipërinë në BE ka zhvilluar këto ditë takime edhe me kreun e grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, si dhe Presidentin e Republikës, Ilir Meta.