Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, zhvilloi një vizitë zyrtare në Uashington DC në datat 15-17 maj 2025.
Gjatë qëndrimit në SHBA, ajo u takua me përfaqësues të lartë të institucioneve amerikane të sigurisë dhe inteligjencës, përfshirë Zyrën e Inteligjencës Kombëtare (ODNI),
Departamentin e Shtetit dhe Agjencinë Qendrore të Inteligjencës (CIA). Bisedimet u përqendruan në zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe forcimin e partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas një komunikate për shtyp të SHISH, një nga takimet më të rëndësishme ishte ai me Drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së, Tulsi Gabbard, ku u trajtuan çështje që lidhen me sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe inteligjencës, duke vënë në pah rëndësinë e bashkëpunimit për sigurinë kombëtare të të dy vendeve.
Gjatë këtyre takimeve, u shkëmbyen mendime për zhvillimet më të fundit në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare. SHISH thekson se u vlerësua kontributi i Shqipërisë në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan, ndërsa vetë agjencia shqiptare u konsiderua një partner i qëndrueshëm dhe i besueshëm.
Në diskutimin me Drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, u theksua bashkëpunimi i frytshëm mes dy strukturave dhe rëndësia e përbashkët për identifikimin dhe ndalimin e kërcënimeve që cenojnë sigurinë. U ra dakord për të avancuar më tej në fushën e inteligjencës dhe për të forcuar kapacitetet e SHISH në këtë drejtim.
Vizita u konsiderua si një tregues i angazhimit të ndërsjellë për të forcuar vendimmarrjen strategjike përmes shkëmbimit të informacionit cilësor dhe të saktë, duke kontribuar kështu në sigurinë rajonale dhe atë globale.
Komente

Te me falni per kontekstin, kur une flas me dorashke...!
Përgjigju