SHKODËR- Tashmë në Liqenin e Shkodrës ka nisur lundrimi me dy varkat turistike ‘Drini’ dhe ‘Buna’. Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci dhe kryeministri Edi Rama kanë ndarë një video, ku turistët po shijojnë magjinë e liqenit më të madh në Ballkan.
"Dy anijet e para turistike “BUNA" dhe "DRINI" kanë nisur shërbimin e tyre, duke ofruar një panoramë të pashijuar më parë nga shumëkush në zonën e bukur të Liqenit të Shkodrës", shkruan Rama.
Këto janë dy varkat e para që ofrojnë mundësinë për të vizituar liqenin e Shkodrës përmes lundrimit. Një investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Qeverisë Shqiptare. Secila prej varkave ka një kapacitet prej 33 vende secila.
Varkat i janë shtuar një rrjeti ndërhyrjesh që ka nisur me krijimin e 3 moleve përgjatë liqenit dhe lumit Buna. Dy molet ne Shirokë dhe Zogaj kanë përfunduar ndërkohë që në një kohë të shkurtër do të përfundojë edhe ajo pranë Urës së Bunës, të cilat së bashku krijojnë një rrjet molesh për ankorimin e varkave turistike dhe rikthimin e lundrimit elitar në këtë pasuri ujore të Shkodrës në shërbim të turizmit.