Drita 2-1 Differdange, ekipi shqiptar feston suksesin në 'Fadil Vokrri'

Sport

Drita e Gjilanit pranë historisë në Conference League, mposht 2-1 Differdange në 'Fadil Vokrri'

22 Gusht, 09:33| Përditesimi: 22 Gusht, 09:35

  • Share

PRISHTINË - Në një atmosferë elektrizuese në stadiumin “Fadil Vokrri”, Drita ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt fazës së grupeve të Conference League, duke fituar 2-1 ndaj Differdange në ndeshjen e parë play-off.

Skuadra gjilanase e nisi ndeshjen në mënyrë agresive, duke krijuar raste të pastra me Dabiqaj dhe Manaj, por pa sukses. Megjithatë, në minutën e 30-të ishte pikërisht Albert Dabiqaj që gjeti golin e epërsisë pas asistit të Veton Tushës, duke ndezur festën në tribuna.

Pjesa e dytë solli reagimin e miqve. Në minutën e 65-të, Andreas Buch barazoi shifrat, duke rihapur sfidën. Por Drita nuk u dorëzua dhe dhjetë minuta nga fundi fitoi një penallti vendimtare, të cilën Besnik Krasniqi e shndërroi në gol me qetësi për rezultatin 2-1.

Minutat shtesë ishin të nxehta dhe me nervozizëm. Pas ndërhyrjes së VAR-it, Boris Mfoumou i Differdange u largua me karton të kuq për një faull të rëndë, duke e lënë ekipin e tij me një lojtar më pak.

Me këtë fitore, Drita udhëton në Luksemburg javën që vjen me një avantazh të çmuar dhe me ëndrrën e madhe për të siguruar për herë të parë një vend në fazën e grupeve të një gare evropiane, diçka historike për kampionët në fuqi të Kosovës.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Agjencitë e Entet Rregullatore do kalojnë në varësi të Ministrive, si iu duket?