KOSOVË - Skuadra e Dritës ka fituar minimalisht ndaj Llapit me rezultatin 1-0, për t’u bërë edhe zyrtarisht kampione në sezonin 2024-25 në Superligën e Kosovës në futboll.
Drita fitoi me golin e vetëm të shënuar nga Zulfiji në minutën e 81-të të duelit. Drita shpallet kampioni i Kosovës pas pesë vitesh, ku gjilanasit kanë 69 pikë, duke e lënë Ballkanin me 12 pikë pas kur kanë mbetur edhe katër ndeshje.
Një meritë për këtë rezultat ka edhe trajneri Zekerija Ramadani, i cili edhe njëherë tregoi se është i duhuri për titullin kampion në Kosovë, pasi më herët i ka fituar me Trepçën '89, Feronikelin dhe Prishtinën.
"E rikthejmë titullin në qytet pas një sezoni të jashtëzakonshëm. Drita është kampion i Kosovës me plot meritë. Faleminderit futbollistëve dhe stafit për gjithçka që kanë dhënë në fushë, faleminderit tifozëve tanë 'Intelektualëve' dhe gjithë mbështetësve që na kanë përkrahur gjithmonë. Na presin gjëra edhe më të mira, fillimisht në Evropë pastaj edhe trofe të tjerë. Drita, krenaria e qytetit", tha Flamur Bunjaku, presidenti i Dritës.
Komente
