Nuk hyj tek ata që besoj në pro-amerikanizmin e shqiptarëve. Jemi një popull si gjithë të tjerët, ku gjen nga të gjithë rreshtimet, madje me tepri. Kemi qejfli të Amerikës sikurse të Rusisë, dashnorë të Shqipërisë sikurse jaranë të Greqisë apo të Turqisë.
Më shumë sesa pro-amerikanë shqiptarët janë pragmatistë. Duke qenë popull i vogël, historia i ka bërë të tillë që përpara se të bëjnë një trimëri, të mendojnë shtatë hile. Jo më kot kemi shprehjen që duhen shtatë hile dhe një trimëri.
E si rrjedhojë e këtij instinkti të rrënjosur në shekuj e pa terma të stërholluar diplomatikë, shqiptarët e kuptuan që në vitet ‘90-të vendi kaloi në zonën e influencës amerikane. Si e tillë, kush udhëhiqte këtë vend, patjetër që duhet të ishte në një linjë politike me Uashingtonin.
Natyrisht që marzhi i lirisë është më i madh sesa ai që mund të kishte nga Moska apo Pekini, sikurse sa më larg prej tyre, aq më komod ndjehesh që të bësh politikat e tua. Uashingtoni është një perandori sui generis, e pangjashme nga shtrirja territoriale me perandoritë e së shkuarës që ishin të definuara territorialisht dhe e ngjashme nga pikëpamja shtetërore vetëm me Romën republikane. Kjo duket edhe në simbolikat e fashios, cilësimit të institucioneve apo godinave të tyre. Por vetëm kaq. Ajo është sui generis edhe në ushtrimin e pushtetit, ku vasalëve të saj ju lë pushtetin, diplomacinë, ushtrinë, me kusht që të mos prekin vijat strategjike të saj. Kjo e shpjegon edhe tolerimin ndaj hungarezëve, polakëve, francezëve.
Si çdo perandori ajo ka domenin e saj. Nuk quhen më “limes” sikurse në Romën e lashtë, por janë kufij holografikë ideologjikë, për të cilët është po aq xheloze sa perandorët romakë, dhe të cilët ajo nuk lejon që të preken. E tillë është Evropa klasike, Amerika e Veriut, Japonia, Koreja e Jugut, Australia, Zelanda e Re. Për këto shkon në luftë. Më tej nuk ia vlen të zgjatesh, pasi duhet libër.
Shqipëria hyn tashmë brenda kufijve perandorakë amerikanë. Madje është në thellësi të territorit. Si e tillë, ajo ka një marzh lirie në përcaktimin e politikave të saj të brendshme dhe të jashtme, por kurrë përtej atyre që mund të përcaktojnë interesat jetike amerikane. Për shembull, nëse Shqipëria do provojë të dalë nga NATO (kjo është edhe një kujtesë për ata sharlatanë që mendojnë se ne u futëm në NATO për shkak të arritjeve të qeverisë Berisha, ku më domethënësja ishte hedhja në erë në Gërdec e 26 personave), dhe të kërkojë të futet në sferën e influencës ruse apo kineze, ajo qeveri që do përpiqet ta bëjë, nuk e kap muajin. Ose ca më keq, mund të çojë në ndarjen e vendit.
Natyrisht që Amerika nuk ka metodat e perandorive klasike ku vasalët rebelë i tërhiqte zvarrë nën Harkun e Triumfit, por ka metoda më civile dhe një ndër ato është “nongrata”. Do ishte naive të mendohej që ky status iu jepej atyre që i kanë bërë keq vendit të tyre duke vjedhur ca lekë, si në rastin e familjes Berisha. Statusi është dhënë për shkak se zullumi është trashur aq shumë brenda vendit saqë qelbi rrezikon edhe ata që janë rrotull.
Cila mund të jetë arsyeja e vërtetë e “nongratës”?
Më shumë sesa korrupsioni, i cili është komplementar, me siguri dosja ka fakte për bashkëpunim të Berishës me fuqi armiqësore apo konkurrentë të SHBA. Ka fakte kur ky i ka ndërhyrë, p.sh siç ishte rasti i Kosovës në 1996-ën, duke prishur hartën amerikane të Dejtonit. Shpallja “nongrata” nuk ka lidhje me një aferë fantazmagorike që një nëpunës i FBI i quajtur McGonigall paska bërë kundër Berishës, ndërkohë që kompetenca e statusit është e Departamentit të Shtetit, i cili ka edhe burime dhe agjenci të tjera që e informojnë, dhe procedura është më komplekse sesa ajo e një përralle orientale tiranase ku një tropojan ka dhënë ca dollarë për hatër të Ramës dhe e shpall Berishën “nongrata”.
Statusi “nongrata” ka lidhje me shkelje të interesave të SHBA. Citimi i korrupsionit të tyre është për garniturë dhe konsum publik. Përpjekjet e ndjekësve të Berishës për të treguar që statusi do hiqet me sot e me nesër, po i kthen në qesharakë. Natyrisht që në një tip si Trampi i cili ka më shumë qasje perandorake sesa republikane, që kërkon më shumë t’i ngjajë një Cezari sesa një diarkie konsullore, ndikimi personal është jo pa rëndësi.
Por një ndryshim tjetër i SHBA ndaj Romës është pikërisht ajo që quajmë Deep State, administrata, e cila nuk lejon që të ketë shmangie nga shinat strategjike. Ndaj nuk do shohim që një ditë në senatin e Uashingtonit Trumpi të imitojë Caligulën dhe të emërojë qenin senator, apo t’i heqë “nongratën” një xhambazi oriental ballkanik. Pasi Uashingtoni nga Roma antike mori simbolikat por nxori edhe mësimet sesi një perandori mund të bjerë./Dritare
Komente

Nqs Berisha eshte shpallur n.g. per arsyet qe mendoni ju,z D.Hila.,atehere Rama do ishte shpallur shume me pare. Mendoj se Rama eshte me shume antiamerikan i kamufluar.
PërgjigjuTe lumte! Ke vene pikat mbi i. Kam disa here qe e kam shkruar kete te vertete ne komentet e mia ne gazeta te ndyshme. Amerika eshte pragmatiste. Kjo monstra jone SB, i ka shkelur ne interesa strategjike te saj ne Ballkan dhe me gjere. Ai si agjent i UDB, Moskes, grekut minon interesat amarikane. Non-grata do ti ‘hiqet’ kur te ngordhi, dhe do tja vendosin dekretin tek pllaka evarrit.
Përgjigju