Sali Berisha

Opinion

Dritan Hila: Nuk ka vdekur demokracia, thjesht ka humbur Saliu

14 Maj, 13:21| Përditesimi: 14 Maj, 13:23

  • Share

Asgjë që nuk pritej: Sali Berisha nuk njohu zgjedhjet dhe nisi avazin që ka bërë gjithmonë. E ka bërë kur vendi do merrte statusin e vendit kandidat duke bërë akuza të fandaksura me avionë supersonikë që sillnin drogë nga Kolumbia, kur vinin gjithë shefat e vendeve të BE në Tiranë dhe nxirrte gjashtë kukuvajka që qanin, do ta bëjë prapë të enjten. Është njeriu që veten e identifikon me demokracinë megjithëse demokratike nuk ka asgjë në gjithë qenien e tij dhe çfarë ka ndërtuar.

Berishës nuk i është vjedhur asnjë votë. Berisha dhe koalicioni i tij me Metën dhe vargun e Shqipërisë Qesharake thjesht është refuzuar dhe përbuzur. Askush nuk ju ka prekur votat. Nëse dikush do të kishte këtë synim, mund ta bënte fare kollaj tek votat e “Mundësia” dhe “Shqipëria Bëhet”, të dyja parti pa komisioner. Nëse do synohej përvetësimi i votës së PD, nuk shpjegohet që ka të njëjtin rezultat në diasporë. Sali Berisha dhe karvani rrangullave thjesht janë refuzuar.

Nuk mund t’ju bënte derman asnjë makiazh apo strategjist, pasi koha e tyre ka mbaruar. Gjuha e vjetërsuar, historia e tyre e përfolur politike, klientelizmi i cili u shfaq edhe në listat e deputetëve, dhe qindra arsye, janë shkaqet e refuzimit. 500 mijë votat, janë një gur në dishezën e tyre politike të cilën e ka ngadalësuar përkohësisht që mos të shkonte në rrokullisje prania e figurave të moderuara.

Ilir Alimehmeti, Jorida Tabaku, apo të rinj emergjentë si Marash Logu, Besart Xhaferri, Andi Mustafaj, janë profile të cilat konkurrojnë apo mund të konkurrojnë denjësisht në tregun politik, por këta ose duhet të zbresin nga rrangalla që drejton tandemi Berisha, ose do përfundojnë në humnerën e harresës dhe humbjes. Përndryshe, siç edhe thonë nga anët e Saliut, “atij që vret veten, as i kërkohet e as i merret gjaku”.

500 mijë votat për Saliun dhe varganin pas tij, janë thjesht të përkohshme dhe shumë shpejt do të kalojnë tek formacionet e sapo futura në fushë ose tek të reja që mund të dalin. Gjithmonë e më pak do jenë në të ardhmen ata që do votojnë të ashtuquajturat parti por që në fakt tashmë janë biznese familjare dhe që quhen PD dhe PL, të cilat tashmë janë zyra avokatore të pronarëve të tyre, sesa organizma politikë.

Refuzimi i Berishës dhe Metës është edhe ndërkombëtar. Urgjenca e BE, Italisë, Spanjës, Britanisë, Francës për të përgëzuar Ramën, është tregues se Berisha dhe Meta është një dyshe e papranueshme edhe nga perëndimorët. Rama ka problemet e tij, dhe perëndimorët janë në dijeni, sikurse e kanë të qartë kalbëzimin e opozitës dhe problemet e saj, të cilën e kanë damkosur njërin me “nongrata” dhe tjetrin, Metën, me refuzim total kontaktesh.

Ndaj dhe Edi Rama për një kohë të gjatë do të jetë interlokutori i tyre i preferuar; ndaj edhe kush është në opozitë ose duhet të arkivojë Berishën & Metën, ose të përgatiten për një dimër shuuuuumë të gjatë, që do të zgjasë përtej 2029-ës dhe paralajmërimi i Ramës kur ju tha që “s’keni parë gjë akoma”, do tejkalojë edhe vetë fantazinë e Ramës./Dritare.net

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A do ndikojë vota diasporës në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve?