Kultura

Dritëroi dhe Migjeni 'festojnë' bashkë ditëlindjen në Akademinë e Shkencave! Botohet për herë të parë vepra e Dritëro Agollit për Migjenin

13 Tetor 2021, 20:44| Përditesimi: 8 Nëntor 2021, 16:32

  • Share

Studiues, akademikë dhe familjarë janë mbledhur në Akademinë e Shkencave të festojnë një përvjetor të dyfishtë të dy jubilarëve tepër të veçantë, 110-vjetorin e lindjes së Migjenit dhe 90-vjetorin të lindjes së Dritëroit.

Konferencën shkencore me temë 'Migjeni dhe Dritëroi - dy shkrimtarë me vështrim nga e ardhmja.' e përshëndeti Kryetari i Akademisë Skënder Gjinushi .

“Dritëroin dhe Migjenin nuk i lidhi rastësia në një ditë lindjeje. Ata ishin të dy poetë me vështrim nga e ardhmja,  poetë që u lartësuan në shkallën e përfaqësimit e nderimit të brezit të tyre: Migjeni si kryeemër i brezit të viteve 1930 dhe Dritëro Agolli si fytyrë e brezit të viteve 1960.”, tha akademik Skënder Gjinushi

Konferenca që u mbajt sot në Akademinë e Shkencave u drejtua nga zëvendëskryetari i Akademisë Vasil Tole, Bajram Kosumi dhe Pëllumb Kulla

“Janë të paktë dhe të rrallë ata njerëz si Dritëro Agolli, tek i cili karakteri njerëzor dhe vepra vitale janë të lidhura aq fort tek i njëjti person”.

E veçanta e kësaj konference, veç kumtesave të pëzgjedhura, është paraqitja e librit "Skicat dhe tregimet e shkrimtarit revolucionar shqiptar Migjeni", botimi shqip i tezës së diplomës të shkrimtarit Dritëro Agolli, mbrojtur më 1957 në Petersburg, që rrëfen një fill të bukur lidhës mes talentit dhe shpirtit të ndjeshëm të dy shkrimtarëve.

Një dorëshkrimi i çmuar i Dritëro Agollit i është dhuruar sot Akademisë së Shkencave nga e bija e shkrimtarit Elona Agolli. I titulluar nga shkrimtari “Fletorka e mesnatës”, ky dorëshkrim iu dorëzua Kryetarit të Akademisë së Shkencave. Elona Agolli u shpreh se nuk e pati të lehtë ta hiqte nga shtëpia këtë kujtim të vyer

“Me shpirt të dridhur e dorëzova, më vinte keq ta hiqja nga dora dhe nga sytë, por e bëra për disa arsye. E para babai ka qenë akademik dhe ka luftuar fort për mbrojtjen e këtij institucioni dhe mendoj se vepra e tij ka vendin e duhur në këtë institucion”, tha vajza e shkrimtarit.

Për 90-vjetorin në Akademi është çelur edhe nje ekspozitë me portrete nga piktorë të njohur dhe miq të Dritëro Agollit, i cili së bashku me Migjenin meritojnë të hyjnë nga dera e madhe e këtij institucioni.

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?