Droga në shkolla, avokati: Të gjendet kush e sjell lëndën narkotike nga Kanadaja! Janaqi: Brenda perimetrit të shkollave siguria maksimale

15 Shtator 2023, 14:45| Përditesimi: 15 Shtator 2023, 15:49

  • Share

Goditja e 23 grupeve kriminale që merreshin me shpërndarjen e lëndëve narkotike afër shkollave në lokale dhe blloqe banimi në disa qytete të vendit, ka ngritur alarmin social për përdorimin e drogës nga adoleshentët. Në emisionin ‘Përballje’ në Report Tv me gazetaren Besmira Pelushi, avokati Idajet Beqiri tha se policia po godet ‘gradën e fundit’. Sipas avokatit duhet të goditen trafikantët që sjellin drogën nga Kanadaja në vendin tonë.

‘Afërisht 30% të të burgosurve të Shqipërisë i kemi për kanabis ose kultivim ose trafik. Është shifër e madhe sikurse janë edhe krimet kundër jetës e shëndetit dhe pastaj dhuna në familje. Bëjmë arrestime gjithmonë ku është fundi. Ne kapim përdorues... Duke qenë e tillë situata, problemi është nga vjen kjo drogë, kush janë shpërndarësit. Të na thonë kush e solli nga Kanadaja këtë drogë. Kush i sjellë me çfarë rrugë dhe mjeti i sjellin. Është një problem mbarë shoqëror. Duhet ti gjejmë forcat të gjithë pa përjashtim.’- tha Beqiri.

Gerti Janaqi, nga agjencia e sigurimit të cilësisë së Arsmit Parauniversitar, u shpreh në shkolla ka një strukturë ekstra të krijuar nga ministria e Brendshme për të monitoruar e krijuar një mjedis komfort nëpër shkolla. Sipas Janaqit brenda perimetrit të shkollës siguria është maksimale.

‘U shtua një strukturë ekstra nga ministria e Brendshme për rritjen e sigurisë në shkolla. Detyra e tyre është të monitorojnë të krijojnë një mjedis komfort. Duhet të sinjalizojnë oficerin e policisë së zonës nëse risku është maksimal.  Ligji është i domosdoshëm, por mjedisi apo klima në shkolla i dedikon më shumë element parandalimit. Brenda perimetrit të shkollës ju siguroj siguria është maksimale. Tirana Durrësi, Fieri, Lesh, Elbasani janë qytete që kanë numër t më të lartë të përdoruesve të lëndëve narkotike në shkolla. Sa më i vogël qyteti aq më i kontrollueshëm fenomeni.’- tha Janaqi.

Një operacion masiv policor në pesë qytetet kryesore të vendit që u ndërmor gjatë natës deri në orët e para të mëngjesit (14 shtator) çoi në pranga 233 persona të akuzuar për shpërndarje droge në shkolla e lokale. Grupi sillte nga Kanadaja një lloj droge 5 herë më të fortë se kanabisi ndërsa ka shpërndarë edhe lëndë narkotike sintektike, shumë e rrezikshme për shëndetin. 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?