Mbrëmjen e djeshme RENEA zhvilloi disa kontrolle blic në qytete të ndryshme të vendit. Kontrollet nisen për shkak të ekzekutimit në mes të Lushnjes të Bledar Muçës, por edhe për gjetjen e personave të shpallur në kërkim dhe goditjen e paligjshmërisë. Nga kontrollet RENEA arrestoi 2 persona, ndaloi Astrit Seferin i shpallur në kërkim për plagosjen e 4 personave dhe ka shoqëruar 21 persona me precedentë penalë.
Kontrollet u zhvilluan në Durrës, Lezhë, Mamurras e Elbasan, në lokale, banesa, ambiente të ndryshme dhe vende të dyshuara për fshehje apo përdorim të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrolleve në Durrës u arrestua Dashamir Tafili, 38 vjeç, pasi u kap me armë zjarri pa leje në makinën e tij. Gjatë kontrollit të mjetit të tij "Range Rover", që ishte parkuar para një lokali, në kroskot është gjetur një armë zjarri pistoletë dhe 1 krehër me 13 fishekë. Ndërsa gjatë kontrolleve në lokal u gjetën çipsa dhe letra bixhozi, ku u nis hetim në gjendje të lirë për Elvis Doçi, 43 vjeç, për veprën penale "Organizimi i lotarive të palejuara". Po në Durrës, është arrestuar në flagrancë shtetasi Lorenc Habilaj, 24 vjeç, banues në Durrës, shpërndarës i lëndëve narkotike, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën një sasi dozash lëndë narkotike dhe një peshore elektronike, ndërsa në banesë iu gjet një sasi fishekësh.
Në Mamurras është arrestuar Astrit Seferi, 36 vjeç, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, autor i plagosjes së 4-fishtë në 2017. Ai ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata Tiranë i ka vendosur masën e sigurimit personal ‘’Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese’’, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas, në vitin 2017, në Laprakë, në bashkëpunim dhe me vëllain e tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri 4 shtetas.
Po gjatë kontrolleve, janë shoqëruar për verifikim në ambientet e Komisariateve të Policisë, 21 persona me precedent të mëparshëm penal, të cilët ishin pa dokument identifikimi me vete.