Policia greke pas një operacioni policor, i cili zgjati 2 ditë ka “goditur” dhe arrestuar bandën kriminale të përbërë nga 7 persona, 6 prej të cilëve janë me origjinë shqiptare nga mosha 27-38 vjeç.
Sipas mediave greke, të arrestuarit janë pjesëtarë të një prej bandave më të pamëshirshme dhe të rrezikshme të vendit.
Ndaj tyre rëndojnë një sërë akuzash si tentativë për vrasje, ushtrim dhune, trafikim të lëndëve narkotike dhe armëve të zjarrit.
Siç rezultoi nga hetimet e policisë greke, banda kishte një organizim të brendshëm me role, ku secili prej tyre ishte i ngarkuar me një detyrë të ndryshme kriminale.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar, armë zjarri, 468 gram kanabis, 5 gram kokainë, 6 automjete, peshore, pajisje të ndryshme të cilat shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.
Sipas policisë, pjesëtarët e bandës kanë një të shkuar kriminale dhe nuk është hera e parë që arrestohen.