Shkatërrime nga sulmet në Iran

Bota

Dronë, hakerë dhe furgonë me eksploziv: 'Paranoja' e regjimit të Teheranit ndaj spiunëve të Mossad-it

20 Qershor, 08:09| Përditesimi: 20 Qershor, 08:11

  • Share

Froni i dytë i luftës është ai i brendshëm, brenda dy vendeve. Intensiv, me plot të papritura, por edhe me propagandë.

Sulmet

Shërbimet iraniane të sigurisë u kanë bërë thirrje qytetarëve të raportojnë sjellje të çuditshme, “këdo që merr pako natën” apo lëvizje të dyshimta furgonësh. Disa media lokale, më zell më tepër, kanë shtuar në listë edhe ata që lëvizin “të maskuar” apo me “syze nate”. Kjo është pasojë e çfarë ndodhi në fillim të Operacionit 'Rising Lion', kur njësi të Mossad-it — ndoshta të përbëra nga elementë vendas dhe ndonjë “i jashtëm” — vepruan “pas vijave” duke shkatërruar lëshues raketash dhe duke vrarë persona kyç. Në Teheran besojnë se ato njësi janë ende aktive, gati për të goditur sërish. Dhe i “shohin” gjithkund.

Sipas autoriteteve iraniane, “izraelitët” janë infiltruar në kompani transporti për të lëvizur lirisht me mjete të përshtatura si platforma për dronë. Janë publikuar foto të “pick-up”-ëve, të ngjashëm me atë që u përdor për vrasjen e kreut të programit bërthamor Mohsen Fakhrizadeh: në bagazh ishte fshehur një mitraloz i komanduar nga distanca.

Kësaj here, me të njëjtin sistem, pretendohet se janë përdorur raketa anti-tank Spike 2: janë publikuar imazhe të pozicioneve të qitjes me pjesë të hedhura — një antenë, një trekëmbësh. Mendohet se ky mund të ketë qenë mekanizmi për të goditur banesat e ndonjë shkencëtari. Burime të ndryshme, edhe ato izraelite në mënyrë anonime, thonë se misioni ka nisur që në tetor, me mobilizimin e ekipeve të para për të pritur pajisjet: eksplozivët, dronët e vegjël, sistemet e komunikimit. Më pas është zgjeruar rrjeti mbështetës në pritje të urdhrave.

Operacionet e arrestimeve

Autoritetet kanë njoftuar ekzekutimin me varje të një spiuni të arrestuar në vitin 2023 (kishte përdorur një dron), si dhe një sërë arrestimesh. Një operacion në Kurdistan ndaj të dyshuarve si bashkëpunëtorë të Mossad-it, ndalime të personave që fotografonin ndërtesa, arrestime për shpërndarje informacioni denigrues apo kërcënues për sigurinë kombëtare. E gjithë kjo është dokumentuar me pamje për të theksuar reagimin: njerëz të shtrirë përdhe e të lidhur, ndjekja e një “pick-up”-i që transportonte “eksploziv” poshtë dyshemesë (paketim i ngjashëm me drogë). Municione, radio komunikimi, por edhe një palë shigjeta u sekuestruan në një celulë në veri-perëndim. Po ashtu edhe disa dronë e një laborator i vogël.

Kjo “gjueti agjentësh 007” është gjithashtu një pretekst për të shtypur çdo formë opozite, për të mbyllur gojën atyre që nuk rreshtohen me vijën patriotike të shpallur nga Khamenei. Një qëndrim i përbashkët si nga pjesa e popullsisë që ende beson te regjimi, ashtu edhe nga ata që mbrojnë sovranitetin e Republikës. Ndër të ndaluarit mendohet të jetë edhe reperi disident Tommaj Salehi.

Alarmet justifikohen nga ajo që ndodh çdo ditë. Tel Avivi ka deklaruar se ka eliminuar shefin e ri të komandës së emergjencës, Ali Shadmani, në një vend që mendohej sekret dhe i sigurt. Fati i gjeneralit Sayed Mousavi, shefit të ri të shtabit, gjithashtu është i paqartë — edhe ai një objektiv i mundshëm i një goditjeje. Të dy sapo kishin marrë detyrën. Lajme të tilla ushqejnë “paranojën” dhe shërbejnë në luftën psikologjike.

Në Izrael gjithashtu nuk nënvlerësohet kundërshtari. Shërbimi i sigurisë Shin Bet ka arrestuar dy shtetas të dyshuar për bashkëpunim me “rojtarët” iranianë — pjesë e një sërë “gurësh shahu” të rekrutuar kundrejt pagesës dhe të gatshëm për të vrarë. Kurrë më parë kërcënimi nuk ka qenë kaq i pranishëm si gjatë dy viteve të fundit. Censura është shtrënguar për të ndaluar përhapjen e videove me objektiva ushtarake.

Hakerat

Beteja është shtrirë edhe në botën digjitale. Hakerë kanë penguar transmetimet e televizionit shtetëror. Grupi Predatory Sparrow ka marrë përgjegjësinë për një sulm që bllokoi bankomatet dhe më pas ka thyer kodet e një depoje kriptomonedhash të lidhur me Iranin. Grupi paralajmëron sulme të tjera. Në të njëjtën kohë, edhe “piratë” digjitalë që simpatizojnë me Teheranin janë në gadishmëri për veprime të ngjashme. Jemi vetëm në fillim./Corriere della Sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?