Dorëzimi i dronëve kamikazë nga Turqia në Kosovë hijezoi “epokën e artë” të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Turqisë.
Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, madje e akuzoi Turqinë - njërën prej anëtarëve më të fuqishme të NATO-s - se “ëndërron ringjalljen e Perandorisë Osmane”.
Paralelen me Perandorinë Osmane, e cila dikur shtrihej në tri kontinente dhe përfshinte pjesë të mëdha të Ballkanit, e tërhoqi presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.
Ky është një gjest i keq, thotë Vedran Xhihiç nga Fakulteti i Shkencave Politike në Universitetin e Vjenës.
Ai pret pasoja afatmesme dhe afatgjate për “marrëdhëniet midis Serbisë së Vuçiqit dhe Turqisë së Erdoganit”.
“Të përdorësh një argument kaq të rëndë dhe emocional nga e kaluara e Serbisë, vetëm për të komentuar një vendim të Qeverisë turke, është një veprim i pasjellshëm ndaj Turqisë”, thotë Xhihiç për Radion Evropa e Lirë.
Më 8 tetor, Prishtina njoftoi se kishte marrë nga Turqia “mijëra” dronë kamikazë, të llojit Skydagger - gjë që shqetësoi Qeverinë në Beograd.
Ambasada e Turqisë në Serbi nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me komentet e presidentit të Serbisë.
Vuçiç punoi me vite për të forcuar bashkëpunimin me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.
Vetëm një vit më parë në Beograd, Erdogan tha se marrëdhëniet mes Turqisë dhe Serbisë janë aq të mira, saqë mund të përshkruhen si “epoka e artë” mes dy vendeve.
Marrëdhëniet e Ankarasë me Kosovën, të cilën Turqia e njohu si shtet fare në fillim, edhe më herët ishin pengesë për Beogradin.
Një prej rasteve ndodhi në vitin 2013, kur Erdogan, atëherë si kryeministër, deklaroi se “Kosova është Turqi” dhe “Turqia është Kosovë”.
Tensionet Beograd-Ankara u rritën edhe në mes të vitit 2021, për shkak të paralajmërimit të Erdoganit se do të punonte që edhe vende të tjera ta njihnin Kosovën.
Tani, pasi Turqia dërgoi armatim dhe pajisje ushtarake në Kosovë, Vuçiq tha se ky vend anëtar i NATO-s nuk do stabilitet në Ballkanin Perëndimor.
Për Xhihiqin, pyetja më e rëndësishme tani është nëse pas qëndrimit të presidentit serb ka një riorientim strategjik dhe afatgjatë në kuptimin gjeopolitik.
“A është ky veprim paralajmërim për një afrim më të madh me Rusinë dhe Kinën, apo me disa vende të tjera?”, pyetet Xhihiç.
Vuçiç, ndërkohë, pranoi se ka reaguar ashpër dhe i bëri thirrje Turqisë, si partnere dhe mike, që t’i marrë parasysh interesat e Serbisë dhe të popullit serb në Kosovë.
Në një reagim më të butë, ai theksoi se Erdogani është i mirëpritur në Serbi dhe se bëhet fjalë për “një udhëheqës të madh dhe një vend të madh”.
Por, ai gjithashtu këmbënguli se dërgesa e armëve dhe pajisjeve ushtarake nga Turqia në Kosovë, është “e paligjshme”.
Edhe Serbia do armë nga Turqia
Ndërsa kritikon fqinjët për blerjen e armatimit, Serbia edhe vetë po armatoset.
Ajo është vendi që shpenzon më së shumti në rajon për ushtrinë, ndërsa Vuçiç e arsyeton këtë me “kërcënimet e reja nga fqinjësia”.
“Të gjithë po armatosen deri në dhëmbë - edhe në rajon. Detyra jonë është të mos mbetemi pas”, tha Vuçiç në janar të vitit 2024.
Më herët, Serbia shprehu interesim për të blerë dronët turq “Bayraktar”, por marrëveshja nuk u realizua kurrë.
Për bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes u diskutua edhe gjatë vizitës së presidentit turk, Erdogan, në Beograd, në tetor të vitit 2024.
Atëkohë, Erdogan tha se kapacitetet e Turqisë në fushën e dronëve mund të shërbejnë si bazë për bashkëpunim dhe shtoi se partneriteti në industrinë e mbrojtjes është i nevojshëm për ruajtjen e paqes.
Serbia, ndërkohë, vazhdon të blejë armatim si nga Perëndimi, ashtu edhe nga Lindja, duke ruajtur qëndrimin e saj të “neutralitetit ushtarak”, edhe pse është e rrethuar nga vende anëtare të NATO-s.
Cili është interesi i Turqisë në Ballkan?
Xhihiç thotë se në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe pjesërisht në Kosovë dhe Shqipëri, ka pritje joreale se miqësia historike me popullin turk do të materializohet dhe do të shndërrohet në mbështetje politike.
“Shikoni sasinë e parave që Turqia po investon në Bosnje dhe Hercegovinë dhe krahasojeni atë me disa vende të tjera, do të shihni se nuk është shumë proporcionale”, thotë ai.
Sipas të dhënave nga Banka Qendrore e Bosnje dhe Hercegovinës për investimet e huaja direkte për vitin 2024, fluksi më i madh i investimeve ishte nga Kroacia, pastaj nga Gjermania dhe Sllovenia.
Investimet turke në Serbi janë në rënie që nga viti 2021.
Sipas të dhënave nga Banka Kombëtare e Serbisë, investimet turke arritën në 17.1 milionë euro vitin e kaluar. Kjo është pesë herë më pak se në vitin 2021, kur ato ishin rreth 86.6 milionë.
Të dhënat e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Turqisë, deri në maj të vitit 2022, tregojnë se investimet turke në Kosovë kanë arritur në rreth 296.5 milionë euro, ndërsa kompanitë turke në vend kanë siguruar punësim për afërsisht 10 mijë persona.
Xhihiç vlerëson se Turqia, si fuqi rajonale, e konsideron Ballkanin Perëndimor të rëndësishëm, por thekson se, aktualisht, ajo nuk ka asnjë synim ekspansionist./REL
Komente
