Ora 23:30 e së martës, 9 shtator, radari polak zbuloi hyrjen e parë ndërkufitare të një droni nga Bjellorusia. Që nga ai moment, gjendja e alarmit u kthye në reagim të menjëhershëm.
Mburoja e NATO-s
Forcat ajrore kombëtare janë gati për të ndërhyrë. Dy avionë luftarakë F-16 dhe një aeroplan Saab Aew&C për mbikëqyrje ajrore ngrihen menjëherë në fluturim. Kryeministri Donald Tusk njoftohet në çast dhe menjëherë fillon koordinimi me forcat e NATO-s. Prej muajsh Polonia është shndërruar në një lloj “shteti llogore”, i mbrojtur, ndër të tjera, nga 10 mijë ushtarë amerikanë. Në minutat e para të shkeljes, autoritetet e Varshavës kërkojnë shpjegime nga qeveria e Bjellorusisë, de facto një vend vasal i Moskës, por pa marrë përgjigje. Pastaj i drejtohen Kievit, prej nga vijnë informacione shqetësuese: në ato orë Ukraina po sulmohej nga tufa dronësh, madje edhe pranë kufirit me Poloninë. Më pas lidhen me "Komandën Aleate për Operacionet", të vendosur në selinë e "Shape", Komandës Supreme, në Mons, Belgjikë.
Reagimi ushtarak, siç raportoi më pas vetë Tusk, ishte i përbashkët. Në operacionin mbrojtës morën pjesë dy avionë F-16 polakë, dy F-35 holandezë, një aeroplan zbulimi italian Awacs, i cili u ngrit 47 minuta pas mesnatës nga baza e Amarit në Estoni. U mobilizuan gjithashtu helikopterët luftarakë dhe bateritë raketore Patriot të vendosura nga Gjermania në pozicionet polake. Inkursioni zgjati deri në orën 6:30 të mëngjesit të së mërkurës.
Pasditen e së mërkurës, në Parlament, Tusk deklaroi se hapësira ajrore ishte shkelur 19 herë, duke shtuar se "ndoshta tre ose katër dronë ishin rrëzuar". Një numër shumë i vogël, pra, që bie ndesh me deklaratat e mëngjesit, si nga Varshava ashtu edhe nga Brukseli: "e kemi neutralizuar kërcënimin". Dronë të tjerë u rrëzuan në tokë nga mungesa e karburantit. Më vonë, ministria e Brendshme bëri të ditur se kishte identifikuar fragmentin e një rakete dhe mbetjet e 15 dhjetë dronëve në po aq lokalitete, shumë prej tyre në rajonin e Lublinit, rreth 100 kilometra nga kufiri me Ukrainën.
Nuk pati viktima dhe as dëme të mëdha, përveç shembjes së çatisë së një shtëpie. Por cili do të ishte bilanci nëse do të goditeshin zona të banuara? Dronët ishin një version i thjeshtuar, i quajtur "Gerbera", i modelit iranian Shahed-136. Sipas ukrainasve, kjo lloj arme është zhvilluar nga kompania kineze Skywalker Technology.
Të gjithë në Bruksel
Të mërkurën në mëngjes u mblodh Këshilli i Atlantikut të Veriut në Bruksel. Polonia iu referua nenit 4 të Traktatit të Aleancës: konsultime mes partnerëve për të përcaktuar nëse një vend është nën sulm. Teza e Varshavës është e qartë: inkursioni nuk ishte një gabim, siç pretendon ministria ruse e Mbrojtjes. Por debati mes partnerëve nuk ishte i lehtë. Përfaqësuesit e vendeve baltike dhe Gjermania mbështetën pozicionin polak. Të tjerë, mes të cilëve u dallua Spanja, rekomanduan kujdes: ende nuk ka prova të sigurta që Kremlini kishte synim të godiste qëllimisht Poloninë. Në fund, Sekretari i Përgjithshëm Mark Rutte kërkoi kohë, duke thënë se "hetimi është ende në vijim»"
Katër pikat polake
Qeveria e Varshavës tani i nxit partnerët të rrisin nivelin e vigjilencës. Konkretisht, përfaqësuesi polak paraqiti katër kërkesa, të cilat më pas u përsëritën nga kryeministri Tusk gjatë një video-thirrjeje me Rutte, Volodymyr Zelensky, Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni.
Lista e ndërhyrjeve që duhet të realizohen urgjentisht në gjithë territorin polak është: forcimi i aparaturave të inteligjencës dhe të survejimit; rritja e mbrojtjes ajrore; ngarkimi i strukturave ushtarake të NATO-s për të studiuar forcimin e përgjithshëm të mbrojtjes ushtarake; përfshirja e strukturave të NATO-s për të monitoruar lëvizjet e mëtejshme të Kremlinit.
Polonia, pra, argumenton se është e nevojshme të “blindohen” edhe më shumë krahët lindorë të Aleancës. Ka frikë se, siç ka thënë dje Ben Hodges, ish-komandant i forcave amerikane në Evropë, "NATO nuk është e përgatitur për të përballuar një sulm masiv ajror".
Ankimi i Rutte
Shtytja e Varshavës u mbështet nga Rutte. Sipas informacioneve të mbledhura nga Corriere, në mbledhjen e së mërkurës në mëngjes Sekretari i Përgjithshëm përdori pak a shumë këto fjalë: inkursioni rus tregon sa urgjente është vazhdimi i përpjekjeve për të mbështetur rezistencën ukrainase; diferenca mes vendeve që po angazhohen dhe atyre që po bëjnë pak ose aspak po bëhet "e papranueshme"./Corriere della sera
Komente
