Droni në Burgun e Peqinit/ U hodhën dy pako me 380 gramë hashash, rreth 58 gramë kokainë, 2 celularë dhe 8 fisha karikimi! Rriten masat e sigurisë

13 Shtator, 12:20| Përditesimi: 13 Shtator, 14:07

  • Share

Elbasan- Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve reagoi sot (13 Shtator) për ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Burgun e Peqinit, kur rreth orës 20:37 shërbimet e sigurisë në institucion konstatuan një mjet fluturues, dron.

Nga një lartësi prej 100-150 metrash në territorin e burgut, për 1 minutë e 20 sekonda nga mjeti u hodhën dy kuti qumështi brenda ambienteve të burgut.

“Pasi u identifikua mjeti fluturues, u njoftuan menjëherë forcat e sigurisë të IEVP Peqin, të cilët, së bashku me Forcat Speciale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve realizuan kontrolle të hollësishme në zonën e hapur dhe të mbyllur të institucionit të regjimit të IEVP Peqin”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Pas kontrolleve të detajuara, u zbulua dhe se çfarë ishin sendet e paligjshme në fjalë.

“Një nga pakot përmbante dy aparate celularë, një iPhone 11 dhe një iPhone 11 Pro Max, si dhe tetë fisha për karikimin e telefonave. Në një tjetër pako u gjetën 380 gramë të dyshuar kanabis sativa, të ndara në doza të vogla nga 0.13-0.15 gramë, si dhe 33 doza të vogla me lëndë të dyshuar si kokainë, me një peshë totale prej 57.7 gramë”, sqaroi drejtoria.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, pas këtij rasti ka forcuar menjëherë edhe masat e sigurisë.

Në to është përfshirë “shtimi i forcave të specializuara për monitorimin e hapësirave të jashtme dhe kontrollin e aktiviteteve të dyshimta, kontrollin e plotë të të gjitha zonave të hapura dhe të mbyllura të IEVP-së, si dhe analizimin e ngjarjes për përfshirjen e të dënuarve apo të paraburgosurve”.

Po ashtu, është parashikuar që “të gjithë të burgosurit ose të paraburgosurit që do të dyshohen për përfshirje në ngjarjen e mësipërme, do të transferohen menjëherë në institucione të tjera për të parandaluar ndonjë përfshirje të mëtejshme në aktivitetet e paligjshme”.

“Policia e Shtetit dhe Prokuroria po hetojnë ngjarjen për të identifikuar personat përgjegjës dhe për të vënë përpara drejtësisë organizatorët e kësaj veprimtarie të paligjshme”, theksohet në njoftim.

Të gjitha provat e gjetura kanë shkuar për ekspertim të mëtejshme në laboratorin shkencor, teksa është përfshirë në hetime edhe Prokuroria e Elbasanit.

Kjo ngjarje pason atë të datës 8 Shtator, kur një tjetër dron është kapur mbi Burgun e Burrelit duke filmuar dhe dhënë alarmin në sistemin e sigurisë. Drejtoria e Burgjeve, në bazë të informacioneve tha se "kishte të bënte me një grup kriminal, i cili ka tentuar të fusë sende të paligjshme në burgun e Burrelit, për të realizuar qëllimet e tyre kriminale".

Një person, 36 vjeç, u ndalua më pas si i dyshuar pas identifikimit, por që dësmhmoi se droni drejtohej nga fëmija i tij i mitur.

Ora 13:16
VIDEOLAJM/ Momenti kur kamerat e burgut të Peqinit kapin dronin kur hodhi 2 kuti qumështi! Njëra me kokainë e hashash, tjetra me 2 telefona iPhone

Drejtoria e Burgjeve ka publikuar pamjet e momentit kur kamerat e sigurisë kanë filmuar dronin teksa po hidhte brenda burgut të Peqinit drogë, telefon dhe fisha karikimi.

Ka qenë ora 20:37 e mbrëmjes së 12 shtatorit, kur shërbimet e sigurisë në burgun e Peqinit, konstatuan dronin në rreth150 metra lartësi, i cili për 1 minutë, hodhi 2 pako brenda ambienteve të burgut.

Forcat e sigurisë së burgjeve ushtruan kontrolle të hollësishme dhe zbuluan se në pako, brenda 2 kutive kartoni qumështi, 'ajka', kishte 2 celularë, 8 fisha karikimi, 380 gr kanabis dhe 33 doza kokainë, rreth 60 gram në total.

Një nga pakot e qumështit brenda ishin vendosur dy aparate celularë, një iPhone 11 dhe një iPhone 11 Pro Max, si dhe tetë fisha për karikimin e telefonave. 

Ndërsa në pakon tjetër u gjetën 380 gramë të dyshuar kanabis sativa, të ndara në doza të vogla nga 0.13-0.15 gramë, si dhe 33 doza të vogla me lëndë të dyshuar si kokainë, me një peshë totale prej 57.7 gramë.

Pas ngjarjes, drejtoria e Burgjeve thotë se shtoi forcat e specializuara për monitorimin e hapësirave brenda e jashtë burgut, ndërsa policia nisi një hetim për të zbuluar të dënuarit apo të paraburgosurit e përfshirë në këtë ngjarje.

A.Q//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?