Doloreza Musabelliu

DSIK raport kundër gruas së hekurt të SPAK-ut, prokurorja: Jam e shokuar, nuk mund të njolloset puna ime 15-vjeçare me dy rreshta  

3 Dhjetor 2019, 11:04| Përditesimi: 3 Dhjetor 2019, 11:07

  • Share

Prokurorja pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Doloreza Musabelliu, kandidate për Prokurorinë e Posaçme, u përball me disa të papritura gjatë seancës dëgjimore, ku u njoh me rezultatet e verifikimit ndaj saj nga Komisioni i Vetingut. Prokurorja që konsiderohet si ‘gruaja e hekurt’ e SPAK-ut për shkak të dosjeve që ka çuar në gjykatë, hetimit për herë të parë të Emiljano Shullazit dhe të asnjë pasurie të paluajtshme, vetëm pagën si prokurore, u njoh me përmbajtjen e një raporti të Drejtorisë për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar ndaj saj. Në raport shprehen dyshime për për përfshirje të prokurores Musabelliu në korrupsion pasiv në një çështje dhe dekonspirim të informacioneve sekrete në Prokurorinë për Krime të Rënda. Por, trupa gjykuese e përbërë nga Alma Faskaj, Pamela Qirko, Firdes Shuli tha se nuk mund të dilej në një konkluzion nëse raporti i DSIK ishte apo jo i bazuar në prova dhe fakte, pasi kjo çështje vijon të jetë nën hetim.

Ndërsa prokurorja Doloreza Musabelliu hodhi poshtë si të pavërtetë raportin, ndërsa tha se ishte tronditur. “Lidhur me raportin e dytë të DSIK për pastërtisë së figurës kam pësuar shok.  Kjo si pasojë e një raporti të paligjshëm. Ka dashakeqësi dhe abuzivitet. Punonjësit e DSIK duhet të kishin kryer të paktën dy verifikime, nëse unë isha njohur me informacionin e klasifikuar të M.M. dhe nëse kam hetuar atë. DSIK në këtë rast nuk ka qenë institucion ndihmës, por ç’ndihmës. Kontrolli i figurës nga ana e tyre nuk ka qenë objektiv, por subjektiv. Raporti është i paplotë dhe abuziv pasi janë futur të dhëna që nuk kanë të bëjnë me mua, por me një prokuror tjetër. Raporti DSIK është i pabazuar pasi nuk kam disponuar asnjë informacion të klasifikuar sekret shtetëror. Sipas DSIK paskam dekonspiruar kur kam kryer shpalljen e moskompetencës për çështjen në fjalë, por këtë e ka kryer një prokuror tjetër. Punonjësit e DSIK duhet të bëhen të përgjegjshëm. Nuk mund të cenojnë punën ime 15 vjeçare me dy radhë të paverifikuara”.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konstatoi edhe disa mospërputhje në pasurinë e bashkëjetuesit të prokurores Doloreza Musabelliu, pasi vetë prokurorja nuk ka asnjë pasuri të paluajtshme, por vetëm pagën. Problemi më serioz kishte të bënte me mosjustifikimin e një makine tip Volkswagen të blerë në vitin 2009 nga bashkëjetuesi në vlerën 10 mijë euro. Një pjesë të parave për këtë makinë dhe dy apartamente, bashkëjetuesi i prokurores ia kishte marrë babait të tij, por sipas KPK jo të gjitha shumat mbuloheshin me të ardhura të ligjshme nga babai. Prokurorja për këto gjetje tha se: “Pasuria ime përbëhet vetëm nga 1.5 milionë lekë depozitë bankare dhe 500 mijë lekë në gjendje cash. Pasuritë e hetuara janë krijuar me të ardhurat e babait të bashkëjetuesit tim dhe unë nuk kam pasur asnjë kontribut. Gjatë punës së tij si noter babai i bashkëjetuesit ka pasur rreth 25 milionë lekë të ardhura dhe ka pasur mundësi për huanë 85 mijë euro që i ka dhënë të birit”.

Me rezultatet e hetimit për të tre kriteret është njohur edhe gjyqtarja e Krimeve të Rënda, Iliriana Olldashi. Kjo fundit është gjyqtarja e parë që ka firmosur vendimin për caktimin e masës së sigurisë në mungesë ‘arrest me burg’, për Klemend Balilin, i ashtuquajturi ‘Eskobari i Ballakanit’. Ashtu siç paralajmëroi një ditë më parë, Shqiptarja.com dhe Report Tv, gjyqtarja Olldashit iu konfirmua pasuria modeste, por KPK konstatoi probleme me një hua që i kanë falur prindërit me vlerë 9 mijë euro, për blerjen e një apartamenti. Sipas Komisionit të Vetingut gjyqtarja nuk e justifikon me dokumentacion ligjor këtë hua të falur. Vendimi për fatin e gjyqtaret do të merret nesër, në 4 dhjetor.

Komento

Komente

  • Santa Quaranta: 03/12/2019 21:24

    Ka te drejte prokurorja!! I teket nje punonjesi te SHISH te shkruaje nje leter dhe nuk merr persiper njeri m epas t`a verifikoje, provoje, apo dokumentoje ate cka thuhet ne informacion! Ne fund te fundit informacion eshte dhe per deri sa te provohet ajo cka eshte rrefyer dyshimet jane ne favor te subjektit!

    Përgjigju
  • Loti: 03/12/2019 12:41

    Mbaroni hetimet pastaj jepni konkluzjonet. Gjer te kthjellohet kjo çeshtje gjyqtarja duhet te qendroj ku eshte.

    Përgjigju
  • BRSS: 03/12/2019 11:17

    I KONTROLLONI SHTEPINE KESAJ SE I KA ME THASE LEKET KJO E NDERSHMJA

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?