Pas një fundjave të mbushur me muzikë dhe energji Dua Lipa ka ndarë emocionet e saj pas përfundimit të edicionit të këtij viti të Sunny Hill Festival.
Në një postim në rrjetet sociale, artistja shqiptare me famë botërore shprehu mirënjohje për të gjithë ata që e bënë festivalin e sivjetshëm kaq të veçantë, nga familja dhe ekipi organizator, te artistët pjesëmarrës, e deri te fansat që ndezën atmosferën në Prishtinë.
“Jam e mbushur me mirënjohje dhe dashuri për familjen time të mrekullueshme dhe për ekipet e jashtëzakonshme që dhanë zemrën për këto net të paharrueshme. Për të gjithë artistët dhe miqtë tanë të dashur - faleminderit që ndriçuat çdo moment. Dhe për fansat tanë të bukur - WOW - ju e bëtë këtë festival të paharrueshëm. Nga thellësia e zemrës ju falënderojmë. Ju duam pafund. Deri vitin tjetër!” shkroi Dua ndër të tjera.
Prishtina u shndërrua në kryeqendrën e muzikës botërore që prej mbrëmjes së të premtes (1 gusht). Ylli me famë ndërkombëtare, dhuroi një performancë të jashtëzakonshme në hapjen e edicionit të pestë të festivalit “Sunny Hill”. Dua interpretoi këngë nga albumi i saj më i fundit Radical Optimism, si dhe disa nga hitet më të mëdha të dy albumeve të saj të para.
Komente
