Gazmir Hoti me dy vajzat e tij të mitura

‘Dua që babi të kthehet, s’mund të fle pa të!’, Franca dëbon për herë të dytë 41-vjeçarin shqiptar, indinjohen shoqata dhe komuniteti! Historia dhe kalvari

30 Gusht, 08:37| Përditesimi: 30 Gusht, 08:55

  • Share

Franca ka dëbuar një tjetër shqiptar, duke e ndarë nga gruaja dhe dy fëmijët e tij (vajza të mitura), teksa shoqata “Solidarite”, të afërmit dhe banorët dënojnë aktin e autoriteteve dhe kërkuan anulimin e vendimit, në mbështetje të familjes shqiptare.

Gazmir Hoti, 41 vjeç, u deportua në Shqipëri të martën (27 Gusht). Në një situatë të parregullt, babai që jetonte në Surgères dhe punonte në La Rochelle, u arrestua në mëngjes në shtëpinë e tij dhe më pas u kthye në vendin e origjinës, raportoi “France Blue”. Ky ishte dëbimi i dytë ndaj tij në dy vite.

Mbështetësit e Gazmirit kanë kërkuar takim edhe me autoritetet në La Rochelle, teksa media në fjalë i kontakton në restorantin ku Hoti punonte prej muajit prill si kuzhinier, zona e portit.

Në njërën nga tavolinat janë fotot me fëmijët e tij. Për më tepër, një nga vajzat, 6 vjeçe, i shkoi gazetarëve me një letër të shkruar në duart e saj dhe e drejtuar ndaj prefektit, me këtë mesazh:

"Dua që babi të kthehet, nuk mund të fle pa të!".

Vajza 6-vjeçare e Gazmirit apelon për kthimin e tij

Ky baba shqiptar 41-vjeçar që jetonte në Charente-Maritime, u kthye në Shqipëri, vend nga i cili u largua vite më parëë, pasi u kërcënua nga ish-bashkëshorti i motrës së tij.

Dëbimi i dytë në dy vjet për Gazmirin

Në Francë, që nga viti 2015, Gazmiri rindërtoi jetën e tij dhe takoi partneren aktuale, gjithashtu shqiptare, në një situatë të parregullt emigracioni, e cila vinte me dy fëmijët e saj të lindur nga një martesë e parë. Teksa nga martesa e tyre, erdhën në jetë edhe dy vajza, 4 dhe 6 vjeçe.

I vendosur nën OQTF, një detyrim për t'u larguar nga territori francez, Gazmiri u dëbua për herë të parë në vitin 2022, përpara se të kthehej në Francë disa ditë më vonë.

Gjatë muajve në vijim u bënë edhe dy tentativa për dëbim, por në dy raste ai “u rebelua” në avionin që do ta kthente në Shqipëri dhe në fund nuk u largua. Prefektura saktëson gjithashtu se ai është dënuar në vitin 2023 me 500 euro gjobë nga gjykata gjyqësore e Bordosë, për “pengim largimi”.

“Këtë herë ai u dëbua në vendin e tij, ku fshihet në kryeqytet nga frika për sigurinë e tij”, sqaron shoqata e emigrantëve Solidarité, e cila është në kontakt me të.

“Jemi të traumatizuar nga situata”

Ndërsa gruaja flet për të kërkuar kthimin e tij, në sytë e saj ka lotë dhe dëshpërim.

“Nuk ndihemi mirë, jemi të traumatizuar nga situata”, thotë gruaja e Gazmirit. Dhe shton më tej: "Ne vuajmë për asgjë, punojmë të dy, është shumë e vështirë, nuk i shoh dot fëmijët duke qarë".

Ka trishtim, por edhe zemërim për Eric Joyaux, anëtar i shoqatës së migrantëve “Solidarité”.

"Është një humbje e pabesueshme, do të kishte çdo arsye për të vepruar në mënyrë koherente sepse ne nuk mund t'i parandalojmë njerëzit që ikin nga vendi i tyre për të ruajtur jetën e tyre, është e pamundur. Unë jam i indinjuar, e di që është një problem politik, shteti dhe Ministri i Brendshëm duhet të japë shifra dhe fakte”.

Nga ana e tij, Patrice Modolo thotë se është "i frikësuar". Ai është pronar i restorantit La Marie Galante, ku Gazmir punon prej muajit prill.

“Ai e ka integruar veten në një mënyrë të jashtëzakonshme dhe është bërë një vëlla i madh për punonjësit e mi të rinj, do të kisha dashur të kisha kaluar një pjesë të rrugës me të, sepse ai është vërtet shumë interesant”, u shpreh ai.

Foto të Gazmirit dhe familjes së tij, në një nga tavolinat e restorantit ku punonte

I kontaktuar nga “France Bleu La Rochelle”, prefekti i Charente-Maritime shpjegoi situatën e pazakontë.

“Kërkesat e tij për azil u refuzuan, jo nga prefektura, por nga OFPRA, zyra franceze për mbrojtjen e refugjatëve dhe personave pa shtetësi”, thotë Brice Blondel.

Prefekti megjithatë dëshiron të sqarojë se:

“Kjo nuk do të thotë se nuk e kuptojmë situatën e tij, por unë insistoj në një pikë: nëse ky zotëri i ka të gjitha levat për integrim në këtë vend meqë flet gjuhën dhe ka një punë, ai duhet të aplikojë për vizë për t'u kthyer si punonjës. Emigracioni i ligjshëm ekziston, kërkon energji dhe kohë, por ekziston. Është ligji dhe duhet zbatuar".

Prefekti kujton se në Charente-Maritime bëhen 50 “dëbime në vit” dhe se njëkohësisht jepen 5000 leje qëndrimi.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?