Shqiptarët e Luginës së Preshevës dalin në protestë kundër qeverisë serbe: Duam libra shqip!

12 Gusht, 13:26| Përditesimi: 12 Gusht, 16:37

  • Share

Banorë shqiptarë nga Lugina e Preshevës në jug të Serbisë kanë protestuar të hënën për “identitet dhe dinjitet”, duke e akuzuar Qeverinë serbe për diskriminim ndaj tyre.

Ata protestuan në Bujanoc duke mbajtur në duar flamuj kombëtarë shqiptarë dhe amerikanë, si dhe pankarta me mbishkrime si: “Stop pasivizmit selektiv”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo” dhe “kthema adresën”, si dhe të veshur me fanella me mbishkrimin “Për identitet dhe dinjitet”.

Përfaqësuesi i komunitetit shqiptar në jug të Serbisë, Shaip Kamberi, e akuzoi Qeverinë serbe për mohimin e të drejtave të pakicës shqiptare, duke thënë se ajo “nuk dëshiron integrimin e tyre në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”.

Protesta u thirr të shtunën nga kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Nevzad Lutfiu, nëpërmjet një postimi në Facebook, nën sloganin “Për identitet dhe dinjitet”.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe në Serbi, përkatësisht në këtë shtet jetojnë 61.687 shqiptarë.

“Beogradi vazhdon me avazin e vjetër, t’i trajtojë shqiptarët si armiq, si popull të rendit të dytë, i cili nuk meriton pjesëmarrje institucionale. Ka vazhduar me diskriminim duke mos i njohur diplomat, dhe me mosintegrimin dhe me pasivizimin (e adresave)”, tha Kamberi.

Kamberi, i cili e fitoi edhe një mandat në Parlamentin e Serbisë në zgjedhjet serbe të 17 dhjetorit, i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare t’i bëjë trysni Serbisë për, siç tha, ndaljen e diskriminimit ndaj shqiptarëve në Luginë.

“Ftoj Qeverinë që të fillojë në mënyrë urgjente dhe të pakushtëzuar realizimin e obligimeve të marra nga marrëveshjet e nënshkruara, mbi të gjitha ftoj bashkësinë ndërkombëtare të reagojë sa më shpejt për ta ndërprerë aparteidin dhe diskriminim klasik, sepse që nga Marrëveshja e Konçulit 2001 e deri te plani 7-pikësh 2013, ne kemi pasur besim jo në Beogradin, por në vlerat demokratike perëndimore", tha Kamberi.

Marrëveshja e Konçulit u arrit në vitin 2001 për çmilitarizim e Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB) dhe për integrimin e pakicës shqiptare përmes një procesi demokratik.

Në korrik 2013, Qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiq e miratoi planin shtatë pikësh, i cili ishte pothuajse i njëjtë si marrëveshjet e mëparshme.

Kamberi e la të hapur mundësinë për protesta të tjera pas kësaj.

Në sheshin ku u mbajt protesta, të hënën, u pa një numër i madh i policëve me uniforma dhe veshje civile. Nuk u raportua për ndonjë incident gjatë protestës.

Përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit – komuna që njihen edhe me termin Lugina e Preshevës – shpesh janë ankuar se diskriminohen nga autoritetet në Serbi.

Në fund të vitit të kaluar, ata u ankuan për një rritje të numrit të çaktivizimit të adresave të tyre nga policia serbe, duke e akuzuar atë se i ka fshirë ato në mënyrë të paligjshme, për t’ua mohuar të drejtat elementare.

Problemi i çaktivizimit të adresave është përmendur në raportin e Komisionit Evropian për Serbinë më 2022, në pjesën që ka të bëjë me respektimin e të drejtave të pakicave.

Serbia dhe Kosova kanë arritur disa herë marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të diplomave universitare, ndërsa më 2020 ato e ritheksuan përkushtimin e tyre për njohjen e diplomave dhe certifikatave profesionale, por deri tani nuk janë bërë hapa për zbatimin e tyre./ REL

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Fatosi-kosove: 12/08/2024 17:53

    Edhe kengetari goldag e ka te qarte se shqiptaret e Presheves i kan lane pa abetare, kurse qeveria superpopullore e allbin kurrcit pikrisht sot kur Presheva proteston ai organizon nje proteste popullore me nja 30 veta si ata te rruges se sali berishes dhe kerkon diçka!!! Po çfar kerkon nuk e kuptuan as ata qe ishin tubuar reth nje te semuri psiqik me te cilin qeshin edhe ata te KQZ-s sepse harron se Ku eshte dhe per çfar duhet te flet, e nese zotni Dehari pret diç nga njerez te tille gjynah dhe vértet me vjen keq, pra ne vend se sot qeveria e kosoves te ishte ne mbeshtetje te Preshevareve dhe te thot se do kembengul qe ato qe kerkon serbia per serbet e veriut aq kerkojme edhe ne per Presheven ata dalin dhe bajne spektakel para dyerve te qeverise,pra kunder vetvehtes, ajo qe me befason eshte prania e zotni Deharit aty si ka mundesi qe edhe kaq vite pas vrasjes se tbirit i shkon pas nje klike qe perdor vrasjen e tij edhe tash kur ka pushtetin dhe po vet kjo qeveri i ka zhdukur mostrat e tij, pra kujt i kerkojne pergjegjsi keta horra apo duan te duken para mergimtareve se ja kurrteshi me ne fund u kthjell, vertet turp.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?