Në foto Presidenti Begaj dhe Kryeministri në detyrë i Bangladeshit

Politikë

“Duam punëtorë nga Bangladeshi”, Begaj takohet me Kryeministrin Yunus: Lehtësojmë procedurat për vizat

26 Shtator, 16:06| Përditesimi: 26 Shtator, 16:08

  • Share

Shqipëria ka shprehur interes të lartë për të rekrutuar punëtorë të kualifikuar dhe gjysmë të kualifikuar nga Bangladeshi, për të përmbushur nevojat në rritje të tregut të saj të punës.

Kjo kërkesë është bërë nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, gjatë një takimi që pati me Kryeministrin e qeverisë teknike të Bangladeshit, Muhammad Yunus, në kuadër të punimeve të sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që po zhvillohet në New York, sipas mediave të Bangladeshit.

“Na duhen punëtorë për vendin tonë dhe disa kompani shqiptare kanë paraqitur tashmë kërkesat për të punësuar qytetarë nga Bangladeshi,” u shpreh Presidenti Begaj.

Ai theksoi se bashkëpunimi dypalësh mund të zgjerohet më tej, veçanërisht në sektorin e turizmit, duke nënvizuar potencialin e rivierës shqiptare si një destinacion tërheqës për vizitorët nga Bangladeshi, sipas zëdhënësit për shtyp të Kryeministrit në detyrë, Muhammad Yunus.

Ky i fundit mirëpriti iniciativën, duke theksuar se Bangladeshi me fuqinë punëtore në moshë të re dhe dinamike, është i gatshëm të kontribuojë në rritjen ekonomike të Shqipërisë.

Ai gjithashtu kërkoi lehtësim të procedurave të vizave, duke theksuar se aktualisht qytetarët nga Bangladeshi duhet të udhëtojnë deri në Nju Delhi për të aplikuar për vizë shqiptare.

Në këtë drejtim, Presidenti Begaj bëri me dije se Shqipëria po shqyrton mundësinë e vendosjes së vizave elektronike (e-visa) për qytetarët e Bangladeshit.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit institucional, përfshirë vizitat zyrtare në nivele të larta, për të avancuar bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Ndërkohë, ministri bangladeshas për Mirëqenien e Emigrantëve, konfirmoi gatishmërinë e Bangladeshit për të ofruar një gamë të gjerë fuqie punëtore, nga mjekë dhe infermierë, te punëtorë fabrikash dhe bujqësie.

Ai nënvizoi rëndësinë e nënshkrimit të një memorandumi mirëkuptimi mes dy vendeve, për të lehtësuar dhe formalizuar procesin e rekrutimit.

Presidenti Begaj bëri gjithashtu të ditur se universitetet shqiptare janë të gatshme të mirëpresin studentë nga Bangladeshi, përmes skemave ekzistuese të pranimeve ndërkombëtare.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?