Në Donofrosë të Dimalit, 70 nxënës të arsimit 9-vjeçar zhvillojnë mësimin prej 5 vitesh në kushte të papërshtatshme, në një lokal të marrë me qira nga bashkia, pasi shkolla është shembur nga termeti i 26 nëntorit 2019.
“Duam shkollë”, thonë nxënësit që sapo dalin nga mësimi në lokalin e fshatit.
Ndërkohë, 40 fëmijë të tjerë udhëtojnë çdo ditë drejt një shkolle private në Roskovec, për të ndjekur mësimin, duke i detyruar prindërit të paguajne tarifën prej 15 mijë lekësh në muaj për çdo fëmijë.
“Une e kam çuar në Roskovec, në shkolle private, nga halli se shkolla këtu është mbyllur prej 5 vitesh”, tha një prind.
Prindërit shprehen të revoltuar se ambientet e lokalit, ku mësojnë fëmijët e tyre nuk janë të përshtatshme dhe nga zhurmat ata nuk përqendrohen në mesim.
"Fëmijët tanë venë kot në shkollë, nuk kuptojnë asgjë", thotë një prind.
Për më tepër, lokali ndodhet pranë rrugës kryesore, ç’ka përbën rrezik për fëmijët që e kalojnë atë çdo ditë.
“Duhet t’i çojme e ti marrim se ndryshe rrezikohen nga makinat se janë te vegjel”, thanë ata.
Duke iu përgjigjur interesimit të Report tv, Bashkia e Dimalit tha se ka hartuar projektin për ndërtimin e shkollës "Haxhi Rustemi" dhe e ka paraqitur pranë Ministrisë së Arsimit por është refuzuar pa një shkak të qartë.
“Bashkia Dimal i është përgjigjur thirrjes së Ministrisë së Arsimit dhe Sportit "Për financimin projekteve të reja më cikël finanacimi 2024-2025". Nga ana e tyre kjo kërkesë e jona u refuzua”, thuhet ne reagim.
Për ndërtimin e kësaj shkolle, njësia vendore vazhdon të kërkojë mbështetje nga Qeveria qendrore, duke theksuar se ka një kosto relativisht të lartë dhe të pamundur për tu përballuar me të ardhuar e saj.
Banorët kërkojnë gjithashtu që institucionet të mbajnë premtimin dhe të nisin ndërtimin e shkollës së re, në mënyrë që fëmijët të kenë mundësi të barabartë në arsim cilësor, si gjithë bashkëmoshatarët e tyre në vend.
Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë
Komente

Si nuk kane mundesi te financojne ndertimin e nje shkolle fshati?! Po ne japim miliona dollare per Giro d'Italia e satelite e nuk paskemi mundesi te ndertojme nje shkolle fshati per 70 nxenes!!!
Përgjigju