Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i ka drejtuar sot një kërkesë anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës, që të jetë i pranishëm në mbledhjen e këtij këshilli që është planifikuar për të martë (23 shtator) ku do diskutohet për shkarkimin e tij.
Në kërkesën e tij, kryebashkiaku Veliaj sqaron se mungesa për mbi 6 muaj nuk është pasojë e vullnetit të tij, por rrjedhojë e një mase sigurie disproporcionale, për të cilën shprehet se do ta kundërshtojë në çdo instancë gjyqësore, deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“Shkaktar i saj nuk është as Kryetari i Partisë Socialiste, as Partia Socialiste, as ju këshilltarë, por një vendimmarrje gjyqësore që ka ndërprerë në mënyrë të padrejtë një mandat kushtetues”, shprehet Veliaj në kërkesën që ka bërë.
Kryebashkiaku i Tiranës kërkon që të dëgjohet në këtë mbledhje, siç thotë ai, përpara se të merret një vendim për shkarkimin e tij.
Veliaj thotë që kjo zgjidhje politike që po tentohet të vihet në zbatim, nuk mund të bëhet me një tjetër shkelje nga pushteti vendor, duke iu referuar kështu shkarkimit të tij, që nëse ndodh, siç thotë ai, do të shkaktonte precedent të rrezikshëm për pushtetin vendor.
Erion Veliaj qëndron në paraburgim me masë sigurie “arrest në burg” që prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua me urdhër të GJKKO pasi akuzohet nga SPAK për 13 akuza, mes të cilave 9 raste korrupsioni.
Këshilltarët socialistë në Bashkinë e Tiranës u vunë në lëvizje duke nisur procedurën për shkarkimin e Veliajt pas kërkesës së Edi Ramës në Asamblenë e PS, duke u mbështetur në shkeljen e nenit 62, gërma C, të Ligjit 139/2015 "Për Vetëqeverisjen Vendore", që ka të bëjë me mosparaqitjen në detyrë për të paktën 3 muaj.
Sipas ligjit, Këshilli Bashkiak propozon për shkarkimin nga detyra të Erion Veliajt, ndërsa firmën përfundimtare e ka Kryeministri.
Socialistët e kanë gati kandidaten me të cilën do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës, ajo është Ogerta Manastirliu.
Por nëse vendimin e shkarkimit nga detyra, kryebashkiaku Erion Veliaj zgjedh ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, atëherë i gjithë procesi do të pezullohet dhe Presidenti nuk do të mund të shpallë dekretin për zgjedhje të pjesshme në Bashkinë e Tiranës, deri në një vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese.
(Letra e Erion Veliajt dërguar Këshillit Bashkiak të Tiranës)
Teksti i plotë i letrës drejtuar Anëtarëve të Këshillit Bashkiak të Tiranës:
E nderuar kryetare dhe anëtarë të Këshillit Bashkiak,
Jam informuar nga media se, më datë 23 shtator 2025, do të mbahet mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës, me objekt miratimin e propozimit drejtuar Këshillit të Ministrave për shkarkimin tim nga funksioni i Kryetarit të Bashkisë, me arsyetimin e mungesës mbi tre muaj në detyrë.
Dua të theksoj qartë se kjo mungesë nuk është pasojë e vullnetit tim, por rrjedhojë e një mase sigurie disproporcionale dhe që do të kundërshtohet në çdo instancë gjyqësore, deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Kjo masë nuk ka izoluar vetëm qytetarin Erion Veliaj, por ka paralizuar qeverisjen e kryeqytetit, duke lënë pa drejtues të zgjedhur mbi 1 milion qytetarë të Tiranës. Sistemi gjyqësor, në mungesë të një përgjegjësie të plotë për fuqinë dhe pasojat e vendimeve të tij, nuk mori parasysh se masa e sigurimit duhej të balanconte interesin publik të hetimit penal me interesin po aq madhor të garantimit të qeverisjes vendore. Kjo është arsyeja reale që ka prodhuar krizën e sotme politike, institucionale dhe kushtetuese. Shkaktar i saj nuk është as Kryetari i Partisë Socialiste, as Partia Socialiste, as ju këshilltarë, por një vendimmarrje gjyqësore që ka ndërprerë në mënyrë të padrejtë një mandat kushtetues. Çdo përpjekje për ta fshehur këtë të vërtetë nuk i shërben zgjidhjes, por e devijon atë.
Mungesa e imponuar nga një masë paraprake, jo nga një vendim përfundimtar fajësie, nuk është as mungesë e vullnetshme, as shkelje e rëndë kushtetuese, por cenim i hapur i parimit të përfaqësimit demokratik dhe një precedent i rrezikshëm për qeverisjen vendore.
E mirëkuptoj shqetësimin tuaj për të kërkuar një zgjidhje politike. Por nuk mund të mirëkuptoj që kjo krizë, e shkaktuar nga gjykata dhe ku “viktimë” është vetëqeverisja vendore, të “zgjidhet” me një tjetër shkelje të Kushtetutës po nga vetë pushteti vendor. Një vendim i tillë do të zëvendësonte vullnetin e 160 mijë zgjedhësve, të cilët kanë folur politikisht, me një akt të pajustifikuar juridikisht, duke krijuar precedent të rrezikshëm për demokracinë vendore.
E kam thënë dhe e përsëris, dhe dua të më besoni siç keni bërë gjithë këto vite: nuk bëhet fjalë për interesin tim personal. Mandati nuk është i imi, por i qytetarëve të Tiranës, të cilët për herë të tretë më kanë dhënë nderin e jetës sime duke më besuar drejtimin e qytetit. Mandati nuk më ka mbrojtur mua, përkundrazi, është arsyeja pse unë sot jam i izoluar, por ai më detyron të mbroj kontratën katërvjeçare që qytetarët kanë firmosur me votën e tyre. Kam detyrimin të mbroj çdo pikë djerse që kemi derdhur së bashku për ta fituar atë besim.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës është organ kushtetues që ka të drejtën dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës ka detyrimin të respektojë procesin e rregullt ligjor në çdo vendimmarrje që bën. Për këto arsye dhe në respekt të parimit kushtetues të procesit të rregullt ligjor dhe të së drejtës për t’u dëgjuar, kërkoj të jem i pranishëm dhe të dëgjohem në mbledhjen e këshillit bashkiak, për të dhënë sqarimet e nevojshme para se të merret vendimi për propozimin e shkarkimit tim.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës,
Erion Veliaj
Komente

Redion vere veten ne kepucet e Erionit , deri tani ai eshte i pafajshem por ne burg. Perse Duhet te kap doreheqjen? Doreheqjen Duhet ta japin prokuroret, nuk mundet te permiresojme situaten duke bërë nje padrejtesi tjeter.
PërgjigjuPra ky po po vepron dryshe nga rekomandon KM, ne vend qe te kerkoje doreheqje dhe te merret me hallet e veta, kerkon te drejtoje bashkine nga burgu, gje qe se ben dot! Mendoj se Rama duhet te reagoje ne kete pike.
Përgjigjuakoma beson Ramushin ti? Ti rruaje bishtin Ramushi….