TIRANË- Pas më shumë se një dekade në arrati dhe i strehuar prej të paktën 7 vitesh në Dubai, Florenc Çapja, një prej emrave më të njohur të botës së krimit, jo vetëm në qytetin e Elbasanit por edhe në disa vende të botës, më në fund u ekstradua në Shqipëri.
Report Tv solli pamjet e momentit kur i shumëkërkuari Florenc Çapja, zbret në Aeroportin e Rinasit nën masa të forta sigurie. 44-vjeçari, i dënuar me burgim të përjetshëm se porositi një vrasje të dyfishtë dhe i akuzuar për një sërë ngjarjesh të rënda kriminale, mbërriti pasditen e kësaj të premteje në aeroportin e Rinasit.
I shoqëruar nga forcat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pamjet tregojnë momentin kur ai dërgohet me shpejtësi nga shkallët e avionit, në automjetin e policisë.
"The Wanted", e ka koduar Policia e Shtetit operacionin i cili u finalizua me autoritetet emiratase, duke e çuar kështu në 3 numrin e të shumëkërkuarve të mbërritur nga Dubai, pas Julian Mecajt dhe Plarent Dervishit.
"Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, me partnerët e Policisë së Shtetit, nëpërmjet strukturave të INTERPOL-it, në kuadër të fazës së radhës të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua me sukses arrestimi për herë të dytë në Dubai dhe ekstradimi në Shqipëri, i të shumëkërkuarit ndërkombëtarisht, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit F. Ç., 44 vjeç, të lindur në Elbasan", njofton policia.
44-vjeçari është i akuzuar nga SPAK dhe Gjykata e Elbasanit, si porositës i 3 vrasjeve. Florenc Çapja, së bashku me xhaxhain e tij Ardian Çapja, që është kreu i grupit kriminal të njohur të Çapjave të Elbasanit, janë të dënuar me burgim të përjetshëm me vendim të formës së prerë nga Apeli i GJKKO për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqirit në vitin 2012.
Gjithashtu ndaj 44-vjeçarit kishte një tjetër mandat për kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet se ka porositur vrasjen e Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut Qazim Sejdini, plan që nuk u realizua. Kjo akuzë u formulua nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të operacionin “Plumbi i Artë”.
Ardian Çapja është i burgosur prej disa vitesh, por Florenci mundi t'i shpëtonte arrestimit, pas rrëfimeve të kreut të grupit të vrasësve me pagesë, Nuredin Dumani, duke u fshehur në Dubai, ku dhe nisën procedurat për arrestim dhe ekstradim. Vitet e fundit grupi "Çapja" sipas përgjimeve, hetimeve dhe rrëfimeve të Dumanit, kishte hyrë në 'konflikt të përgjakshëm' edhe me organizatën e Suel Çelës, po në Elbasan.
Gjithashtu Florenc Çapja është nën akuzë për një atentat të mbetur në tentativë ndaj ish-efektivit të rrugores në Elbasan Fadil Mema, ngjarje e ndodhur në vitin 2006. Kjo dosje aktualisht ndodhet për rigjykim në Gjykatën e Elbasanit pasi Gjykata e Lartë zhbëri një vendim të vitit 2019 që pushoi çështjen.
Në fillim të janarit të këtij viti SPAK kërkoi konfiskimin e pasurive të sekuestruara Florenc Çapjas pasi që prej vitit 2022 nisi një hetim pasuror. Nga 10 pasuri të sekuestruara dhe që SPAK kërkon që t’i kalojnë në shtetit, 8 janë në emër të babait dhe nënës së Florenc Çapjas, të gjitha në Lagjen “Emin Matraxhiu në Elbasan, që konsiderohet si bazë e grupit të strukturuar kriminal të Capjave.
Si ndodhi vrasja e Gentian dhe Nezir Beqirit?
Babë e bir u vranë në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, pasi akuzohej si autor i vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga fisi i Çelajve.
Vrasja e Gentian Beqirit, është kryer në ambientet e brendshme të banesës së tij, që ndodhet në lagjen “Sporti i vjetër” në Elbasan, ku teksa qëndronte i shtrirë në krevat pasi ishte i paralizuar është qëlluar për vdekje me 7 plumba të një pistolete me silenciator dhe më pas mbytën edhe babanë e tij Nezir Beqiri. Kjo ndodhi ndërkohë që jashtë derës së shtëpisë ruanin dy efektivat e policisë, të cilët u akuzuan më pas për “Shpërdorim detyre”. Të arrestuar për këtë ngjarje janë i penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi, Olsi Leku, Etjen Cani, Klajdi Dokoli.
Florenc Çapja (majtas si ka qenë) dhe djathtas si ka ndryshuar ndër vite
Florenc Çapja, një nga emrat më të njohur të botës së krimit u ekstradua sot nga Dubai. Report Tv ka siguruar edhe foton se si duket sot Florenc Çapja, në të cilin dallohet edhe ndryshimi ndër vite i nipit të Ardian Çapjas, koka e grupit kriminal Çapja në Elbasan.
Në foto dallohet se si ndër vite, Çapja ka lënë mjekër, ndërsa flokët i kanë rënë. Prej të paktën 7 vitesh fshihej në Dubai, një vend që shumë personazhe të botës së krimit e përdorin për t’u fshehur dhe për t’i shpëtuar drejtësisë shqiptare.
Çapja është personi i tretë që ekstradohet nga Dubai, pas Julian Mecajt dhe Plarent Dervishit.
Policia e Shtetit ka ndarë të plotë videon e plotë të momentit të ekstradimit të Florenc Çapjas në Rinas. Forca të shumta policie e RENEA të armatosur ‘gjer në dhëmbë’ blinduan Rinasin për ekstradimin e të fortit të Elbasanit.
"Ekstradohet nga Dubai, një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore. 44-vjeçari, i akuzuar nga SPAK dhe Gjykata e Elbasanit, si porositës i 3 vrasjeve. Si rezultat i shkëmbimit të informacionit dhe koordinimit të veprimeve, me partnerët e Policisë së Shtetit, nëpërmjet strukturave të INTERPOL-it, në kuadër të fazës së radhës të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua me sukses arrestimi për herë të dytë në Dubai dhe ekstradimi në Shqipëri, i të shumëkërkuarit ndërkombëtarisht, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shtetasit F. Ç., 44 vjeç, të lindur në Elbasan.
44-vjeçari është me masë sigurie “Arrest në burg”, nga GjKKO-ja, në vitin 2022, për veprën penale "Sigurimi i kushteve dhe mjeteve për të kryer vrasje”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe nga Gjykata e Elbasanit, në vitin 2021, për veprat penale ”Vrasja në rrethana cilësuese”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ekstradimi i shtetasit të shumëkërkuar F. Ç., dëshmi e bashkëpunimit shumë të mirë të Policisë së Shtetit
me partnerët ndërkombëtarë. Policia e Shtetit mbetet maksimalisht e angazhuar, për vijimin e operacioneve policore me objektiv lokalizimin, kapjen dhe arrestimin, me qëllim ekstradimin, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar", njoftoi Policia.
Report Tv sjell pamjet e momentit të ekstradimit të Florenç Çapjas nga Dubai. Ky është momenti kur Çapja i dorëzohet autoriteteve shqiptare nën masa të rrepta sigurie.
Komente

iku dhe lenci killeri i fisit bashk me bled mucen gollobortsin. shteti e kap leprin e qerre thoshin te vjetrit.
PërgjigjuPO ATE CELEN PSE NUK E ARRESTONI,,,APO NUK E DINI SE KU ESHTE.....???APO AI ESHTE BANDA E PS...
PërgjigjuI mbyti me shtet sueli keto
PërgjigjuKjo shenon edhe fundin e perandorise kriminale Çapja. Tashme le te jetoje si qen burgjeve jeten qe nuk donte ta gezonte si njeri. Por eshte e pandershme mos te goditet njelloj Suel Cela me banden tij. Burgim te perjetshem te gjithe horrave dhe konfiskim te cdo pasurie. Kete drejtesia ja ka borxh shqiperise.
Përgjigju