Vllaznia dhe Tirana luajnë nesër (e shtunë) në orën 17:00 në "Loro Boriçi", sfidë kjo e vlefshme për raundin e 26-të në Superligë. Të dyja skuadrat këtë duel e kanë më shumë se veç rezultatin, teksa për rivalitetin ndër vite kjo është cilësuar si "Klasikja e Shqipërisë".
Përpara ndeshjes për mediet foli, Erbim Fagu, trajneri i Tiranës. Ai tha se kërkon tri pikë në Shkodër, teksa Najdovski është në dyshim dhe Meta mungesë e sigurt.
"Është ndeshje shumë e rëndësishme për kampionatin shqiptar. Ne vijmë nga një barazim me Laçin, por për ne është shumë e rëndësishme ndeshja e radhës, pavarësisht kundërshtarit. Ne e kemi përgatitur skuadrën me detyrat si çdo ndeshje tjetër", tha Fagu.
Më pas trajneri 36-vjeçar foli edhe për mungesat, duke konfirmuar se Meta do mungojë gjatë dhe Najdovski ende nuk është në gjendje për të luajtur.
"Nga ndeshja me Laçin kemi dy rikthime siç është Përgjoni dhe Deliu. Kemi pasur probleme me Najdovskin dhe Metën. Do të shohim si do të jetë vazhdimësia e Najdovskit më tepër, sepse Meta dihet do mungojë pak më gjatë. Por gjithsesi ne kemi një organikë që do të na bëjë punë në vazhdimësi. Nuk mendoj se ka avantazhe ose disavantazhe", tregoi ai.
Më pas Fagu foli edhe për rivalët në Superligë, duke thënë se nuk ka ende një skuadër që dominon rivalët.
"Nuk është se ka një skuadër që dominon. Çdo skuadër futet në fushë për të fituar ndeshjen. Nuk mendoj se ka avantazhe ose disavantazhe në këtë takim. Festë në Shkodër? Ata kanë idetë e tyre. Ne nuk është se na intereson kjo gjë, e dimë se çfarë kërkojmë dhe mezi po presim që të fillojë ndeshja nesër", shtoi trajneri.
Fagu më pas u ndal te formacioni, duke thënë se nuk do bëjnë ndryshime.
"Nuk mund të them që ka ndryshuar gjithçka, por kemi ndryshuar disa detaje që i përkasin çdo trajneri kur drejton një skuadër. Por ndryshimet do të jenë të vogla sepse e kam thënë që koha është e shkurtër. Meta ka qenë një lojtar kyç për skuadrën. Mendoj dhe lojtarët që kemi në organikë do e zëvendësojnë kështu që nuk është ndonjë problem. Nga sfida me Laçin ndryshojnë vetëm tri pikët që nuk morëm. Nuk është se kam ndonjë peng tjetër", tha Erbim Fagu.
Me 35 pikë pas javës së 25-të, Tirana mban vendin e katërt. Ndërkohë Vllaznia me 43 pikë ndodhet në vendin e dytë.