Tifozët ultras të Partizanit ‘Ultras Guerrils’ kanë reaguar ashpër në lidhje me shkarkimin e Ledio Panos, djalit të Panajot Panos, si trajner i ekipit U-17. Vetë Ledia më herët kishte deklaruar se për shkarkimin klubi e kishte njoftuar ‘me një telefonatë’ dhe se ‘nuk dinte arsyen e vërtetë’. Për të gjitha këto ‘Ultras Guerrils’ thonë se klubi po sillet si të ishte një ekip privat dhe se po largon tifozët dita ditës.
“Klubi Partizani ka marrë trajtat e një ekipi privat i cili dita ditës i largohet asaj që përfaqëson klubi më i madh dhe më popullor ne Shqipëri. Sa më shumë i largohet historisë dhe asaj çka përfaqëson fanella më e rëndë në vend aq më i madh bëhet hendeku që ka bërë shumë tifozë të largohen, ta refuzojnë dhe ta braktisin para një lloj arrogance të tillë.
Një arrogancë që fillon që me ndryshimin e simboleve të klubit për gusto personale, e mbaron në largimin nga klubi i simboleve që përbëjnë trashëgiminë e lavdisë së këtij klubi. Duhet guxim i madh që të shkarkosh dhe largosh nga klubi PARTIZANI një PANO.
PANO dhe PARTIZANI janë sinonime, dhe veprimet e klubit tregojnë të kundërtën e asaj që duhet të tregojë një klub i madh. Për disa në klub historia e Partizanit fillon në ditën kur kanë zënë zyrën, e ndoshta mbaron në ditën që e lënë, ndërsa në zemrat e tifozëve ngelin shenja të cilat nuk zhbëhen ashtu siç nuk mund të zhbëhet historia e as shija e hidhur që na lënë veprime te tilla.
Ledjo Pano i ka lënë shenjat e veta,”-shkruajnë në postimin e tyre në rrjetet sociale ‘ultras guerrils’.