Duka mbi përmbytjet në Shkodër: Duhet shpërngulja e banorëve nga zonat nën nivelin e detit! Situata në PD? Grupimi i Alibeajt të mos prishë punë nëse nuk kontribuon

21 Nëntor 2022, 18:43| Përditesimi: 22 Nëntor 2022, 07:14

  • Share

Kreu i partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka teksa foli për situatën e përmbytjeve në Shkodër, tha se duhej të kishte solidaritet dhe jo akuza politike mes palëve.

I ftuar në studion e Kontrast në Report TV, Duka tha se për situatën e krijuar në Shkodër duhej të gjendej një zgjidhje afatgjatë si shpërngulja e banorëve nga zonat të cilat janë nën nivelin e detit, duke theksuar se situata të tilla janë ciklike dhe se sipas tij faji nuk është vetëm i qeverisë.

“Unë mendoj se është momenti që të gjithë të jemi në solidaritet për këtë situatë dhe jo të gjejmë gjuhë që pengon punën. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për opozitën e sotme, e kam fjalën edhe për Edi Ramën se edhe ai atë punë ka bërë. Kjo mënyrë konfrontimi duhet të largohet. Ne kemi kohë për ta bërë këtë. Më para kur mund t’i thonim qeverisë për të marrë masa, por në këto momente mendoj se duhet patjetër të jemi së bashku për të përballuar këto momente. Situata të tilla nuk ndodhin vetëm për faj të qeverive, janë ciklike.

Unë mendoj se ndër masat që duhet të marrin qeveritë, është që ato njerëz të shpërngulen nga zonat që janë nën nivelin e detit. Pavarësisht se ata kullimin e bëjnë me hidrovore, gjithsesi këto të fundit nuk e përballojnë dot daljen e lumenjve dhe kjo u ndodh në mënyrë periodike një herë në 10 vite.  Pse nuk i thërrasin mendjes, edhe organet e pushtetit vendor edhe qeveria edhe vetë këta banorë që të shpërngulen nga ato zona sepse janë zona që gjithmonë paraqesin rrezik”- tha Duka.

Sa i përket situatës brenda Partisë Demokratike, deputeti tha se qëndrimi i tij kishte qenë i njëjtë dhe se do përpiqej të jepte kontributin në qytetin e Durrësit për zgjedhjet lokale. Ndërsa për ‘grupimin’ e Alibeajt, Duka u shpreh se nëse nuk do të jepnin kontributin e tyre, atëherë të mos prishnin punë.

“Unë nuk kam ndonjë ndryshim në marrëdhënie me PD-në. Jam i bindur që riciklimi i pushteteve u leverdis shqiptarëve. Pjesa më e madhe e opozitës udhëhiqen nga Meta dhe Berisha. Nuk është se kanë qenë shumë aktriv në marrëdhëniet me ne por kjo nuk më shqetëson fare. Unë mendoj se jemi në zgjedhjet vendore dhe ka ardhur koha që në Durrës të ketë një riciklim të pushtetit.

Pjesa e grupimit të Alibeajt edhe nëse nuk duan të japin kontribute aktive minimalisht të mos prishin punë dhe të japin edhe ata kandidatët e tyre në primare. Ndërsa për në Durrës, Iglit (kandidati i primareve në bashkinë e Durrësit) i jemi lutur ne në fakt. Unë e kam kontaktuar disa herë, nuk ishte i bindur edhe ai vetë sepse jemi përballë një pushteti që ka të gjithë administratën. Ka dy rrugë, rruga e parë do ishte ajo që i propozuam Berishës dhe PD-së që kandidati të dalë ose me sondazhe ose me negocim të paktën. Kjo nuk u pranua”- u shpreh kreu i PAA.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?