Kreu i PAA-së, Agron Duka nuk ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimin me qeverinë në të ardhmen për interesa të qytetarëve që e kanë votuar. Ai tha se nëse opozita do vijojë të ketë të njëjtat probleme, atëherë PAA nuk mund të rrijë peng i këtyre problematikave.
“Ka kohë për zgjedhjet parlamentare, por nëse opozita mund të ketë të njëjtat probleme është e hapur të bashkëpunojë me PS-në edhe nëse nuk dua unë. Nuk mund të rrimë peng të problematikave që mund të ketë opozita. Nëse qasjet që ne kemi do kenë zgjidhje pozitive nga qeveria, gjë që deri tani nuk na rezulton. Ne kemi cuar një projektligj për bujqësinë që u përkrah edhe nga deputetët e mazhorancës, por nuk u aprovua”- u shpreh Duka në Report TV.
Për Dukën situata brenda opozitës dhe përçarja në Partinë Demokratike do të përfundojë vetëm kur drejtuesit të lënë mënjanë egot e tyre personale. Sa i takon rezultatit të dobët të koalicionit Berisha-Meta në zgjedhjet e 14 majit, Duka tha se nuk e priste kurrë diçka të tillë, duke u shprehur se mendonte që opozita do të fitonte deri në 15 bashki.
“Problemi më madhor janë problemet renda PD-së, duhet të lënë egot e tyre veë udhëhqqësit e PD në mënyrë që vetë Partia Demokratike të bashkohet dhe të jetë gati për zgjedhjet parlamentare. Opozita ka qenë jashtë sistemit për fajet e veta sepse nuk hyri në zgjedhje. Tani opozita është në sistem, nuk kam thënë kurrë që fitojmë shumicën e bashkive, por kam thënë se marrim një numër të caktuar. Nuk kam menduar kurrë që do jenë 7 bashki, mendoja se do ishin 10 ose 15. Nëse opozita do përpiqet mos të shohë vetëm egon e vetë, mund të kemi zgjedhjet parlamentare ku opozita mund të marrë drejtimin”-shtoi Duka.
Lajmi kryesor:
Vendoret e 14 majit, Duka kundër Berishës: I njoh zgjedhjet, rezultati i pakontestueshëm! PAA e hapur për bashkëpunim me qeverinë
B.V//ReportTv.al