Takimi i ditës së premtes mes kryeministrit Rama dhe Presidentit të FSHF-së Armando Duka kishte sjellë optimizëm për rifillimin e futbollit, që është në bojkot që prej 5 gushtit, por mbledhja e ditës së hënë e Ligës Profesioniste ka prodhuar një vendim ndryshe. Sipas presidentit të Ligës Edvin Libohova bojkoti do të vazhdojë të paktën deri ditën e enjte.
“Presidentët e Ligës ri diskutuan edhe njëherë për situatën. Jemi në një situatë ku ne prisnim ditën e premte një përgjigje nga Ministria e Financave, që akoma nuk e kemi zyrtarisht. Duke parë sinjalet pozitive nga takimi i presidentit Duka me kryeministrin Rama, presidentët vendosën që ne do të presim deri ditën e enjte, nëse do të kemi një përgjigje nga qeveria. Më pas do mblidhemi për të vendosur për vazhdimin ose jo të bojkotit,"-deklaroi ai.
I pyetur përse presin një përgjigjje ditën e enjte, presidenti i Ligës Edvin Libohova është shprehur:
“Po i lëmë një afat tjetër, për të pasur një përgjigje dhe më pas do mblidhemi për të marrë vendimin përfundimtar,”-u shpreh ai.
Ndër të tjera Libohova u shpreh se në rast se ka një përgjigjje pozitive nga qeveria për Ligjin e Sponsorizimit, çështja e vetme ende e pazgjidhur, atëherë Liga do të mblidhet në kohë rekord për të vendosur për rifillimin e kampionatit. Përveç Ligjit të Sponsorizimit Liga ka kërkuar nga qeveria taksa 6% për shërbimet në sport, faljen e taksave për 10 vite si dhe zerimin e gjobave dhe të kamatë-vonesave për të gjitha detyrimet fiskale të prapambetura