Ç’është burgu? Është vendi ku mbahen ata që janë dënuar me heqje të lirisë, do të thoshim duke lexuar çdo fjalor. Por kaq është pak. Burgu dhe liria – dy të kundërta. Më parë: ç’është liria? Me pak fjalë: të jesh i lirë do të thotë të bësh atë që do, të mendosh e të veprosh sipas dëshirës në ushtrimin e përmbushjen e lirive e të drejtave të tua, si njeri e si shtetas, por gjithmonë pa cënuar e dhunuar të tjerët. Përsërit: të mendosh e të veprosh. Fjala është për liritë demokratike, nga ajo e fjalës, e shtypit, e tubimit dhe e organizimit në partira e shoqata të ndryshme, sigurimin e kushteve, ku të gjejnë shprehje e konkretizim idetë, kërkesat e vullnetet njerëzore, nga ato të planit biologjik-lidhur me vetë qenien, tek ato të planit social, lidhur me mënyrat e të jetuarit.
(Përgjigje një miku, gjatë një bisede)
Ky shkrim u dërgua për botim në “Drita” – tetor 1991, por për një kohë u zgjat, sepse gazeta nuk doli nga që nuk kish letër, prandaj në janar të ’92-IT e tërhoqa. Njëri nga miqtë e shokët e shumtë me të cilët, u takova kur dola nga burgu, pasi më kish ardhur dy herë, më erdhi edhe këto ditë. Porsa qe ulur, papritur m’u drejtua: “sot s’kam ardhur si herët e tjera”. E pashë disi i habitur dhe e pyeta: ç’të ka ndodhur?! “Mua asgjë – ma priti shkurt, – por kam ardhur të zihem me ty”.
Qesha. E përse? Dhe ai filloi.
AI: – Kam vënë re se del pak, nuk të shoh klubeve e kafeneve, rrallë edhe nëpër mbledhjet që bëhen. Kaq ka ndikuar jeta e burgut dhe vetmia e atjeshme, sa nuk po çmësohesh?
(E vura re që e kishte me gjithë mend, është një nga ata që nuk ta kursen fjalën dhe nuk ia përton kur i hipën, edhe ngulmues në te tijat. M’u desh t’i shtrohesha një bisedë, që zgjati jo pak.)
UNË: – Kam punë, prandaj, jam i zënë, nuk kam kohë të lirë, madje, nuk po di ku ta gjej atë. Fundja, ato pak vite që më kanë mbetur, dua t’i shfrytëzoj për të kaluar nëpër duar edhe njëherë ato që kam shkruar në burg – janë shumë, të zbraz edhe atë ngarkesë – një lloj mbarsjeje, që e ndiej se më rëndon. Pra nuk është fjala për ndonjë të ndikuar e të çmësuar. Deri 10 orë në ditë, i quaj të domosdoshme për punën, regjim ky që i jam përmbajtur prej vitesh. Mundet që unë e teproj, si mundet që edhe ti, të mos e kesh drejt, me këtë vërejtje tënden. Megjithatë do mendohem. E lëmë kështu: koha të thotë fjalën e saj.
(Nuk u bind e më kundërshtoi. Por ai të tijën, unë në të timen. “Kokë më vete ke qenë, gjithë jetën”, – me këto fjalë m’u duk se e mbylli, por jo. Aty për aty kuptova se nuk shprehte një mendim vetëm të tij.)
AI: – Po nga jeta politike pse rri si i mënjanuar, larg edhe partive? E kur, sot?! Tani që të gjithë merren me politikë, të tjerat – edhe krijimtaria, edhe puna shkencore, janë lënë disi mënjanë. Ti ndryshe, nuk të kuptoj?!
UNË: – Lidhet me të parën, me sa fola më lart. E shoh, prapë nuk të bind, me sa duket, më duhet të shpjegohem pak më gjatë:
– Jam shprehur që në ditët e para – e pata menduar që në burg. Për sa u përket partive politike, parapëlqej të mbetem i pavarur, sepse e quaj këtë si kusht, për ruajtjen e lirisë së mendimit dhe marrëdhënie të shpenguara me bashkëbiseduesit. Edhe nga një zhgënjim që më la e shkuara.
Gjendem, dhe dua ta përsërit, në këto koordinata: jashtë partive, por jo indiferent, as në hije – një zë në mbështetje e dobi të lirive themelore, të drejtave të njeriut dhe të demokratizimit të jetës së vendit; një zë edhe kundër, sa bien ndesh me këto. Kuptohet, me ç’të më jetë e mundur dhe në varësi, me zhvillimet e kohës.
Çmoj shumë lirinë, pra edhe dua të theksoj, se për krijuesit në fushën e letrave dhe të arteve, ajo është një domosdoshmëri. Kjo bindje m’u kristalizua dhe erdhi, duke m’u përforcuar në burg, ku në një vështrim, siç e kam trajtuar edhe në një intervistë të dhënë për shtypin, “e ndieja veten më të lirë e, më të pavarur, nga ç’isha më parë” (nuk e teproj dhe lutem, të mos merret si një paradoks: në burg më i lire, se jashtë tij?!
Po, se s’kisha ç’të humbisja tjetër më, nga kjo). Me si rrodhën punët, pas 73-së, kur me Plenumin e IV-ët famëkeq të Komitetit Qendror, mendimi i lirë u mbyt edhe më, frika i mpiu edhe më mendjet e vullnetet e njerëzve, regjimi totalitar godiste gjithandej, sa shpesh, ua kam qarë hallin shokëve e miqve të mi, që e dija se nuk pajtoheshin me sa ndodhnin, ndrynin përbrenda me zor të madh, gjithë sa i mundonte, vuanin aq shumë në heshtje.
-Nuk kam aspirata në fushën politike, as ndonjë pretendim. Me këtë dua të qetësoj edhe egoizmat e cilitdo, sepse jam me atë që fatet e vendit, t’i marrin në duar më të rinjtë, si më të aftë, më të pastër e, më energjikë – për ç’ka kam qenë nga hera dhe më janë bërë jo pak akuza, lidhur me “teorinë e brezave”. E dyta, prej vitesh – që para se të bija në burg, i jam kushtuar përherë e më shumë, krijimtarisë dhe më pak angazhimit politik – për ç’ka siç dihet, më janë bërë disa herë kritika në atë kohë.
Tani u përmbahem edhe më shumë. Lënien e diçkaje pas- një ambicie, kjo disi instiktive e njeriut, dikush e synon me trashëgiminë përmes lindjes së fëmijëve, të tjerë me emrin e kujtimin e mire, ato që bëjnë në dobi të njerëzve, e të vendit, ndonjë edhe në karrierën politike (duke përjashtuar arrivistët e matrapazët, që nuk mungojnë në këto sfera); kurse krijuesit në fushën letrare dhe njerëzit e shkencës në fushat e tyre, u mjafton aq.
AI: – Mirë, mirë këto, por a nuk është edhe ky një lloj egoizmi, njëheri, edhe një shmangie nga detyrimi, që ka sot çdo njeri ndaj shoqërisë e vendit, në këto kohë historike që po kalojmë? (Ç’të bëja, sfida qe e hapur, nuk mund ta kaloja me dy-tri fjalë. Pra edhe qëndrova. I fola si mendoja për ngjarjet në zhvillim, të cilat do të përpiqem t’i radhis më poshtë përmbledhtas.)
UNË: – Proceset e demokratizimit porsa kanë filluar, ato duhet të thellohen e të çohen më tej. Tashmë janë të pakthyeshme e, të pandalshme.
Socializmi totalitar i tipit Stalinist, dështoi kudo në vendet e Lindjes, u përmbys ai edhe tek ne. Priten ndryshime të thella dhe të përshpejtuara, në strukturat ekonomike, shtetërore e institucionale, mendësitë e mbetjet nga e shkuara, ato të ligjshmërisë e, me radhë. Pengesat janë të mëdha, rruga s’është aspak e shtruar, përkundrazi…! Duhet guxim, qartësi, dije dhe punë këmbëngulëse, me objektiva të përcaktuara. Vendimtare është këtu lufta, e veprimtaria e gjithanshme e partive politike, atyre që janë dhe të tjerave në formim, organeve ligjvënëse, ekzekutive e gjyqësore, të gjitha shtresave të popullsisë, grupimeve e kategorive shoqërore.
Rrugët dhe mjetet janë të shumta
– Ka mendime se gjithçka nis me ndryshimet në mbi strukturë, si ka edhe të tjera, se vëmendja do përqendruar në stabilitetin e ekonomisë dhe transformimin e saj, nga rrjedhin edhe ndryshimet në mbi strukturë. Moleksen këtu çështjet e rendit, probleme sociale kalimit të kësaj faze, me sa më pak dhimbje. Hapat që janë bërë e, janë vēnë në udhë – me reformën ekonomike për kalimin në ekonominë e tregut, privatizimin, futjen ne prodhim të kapaciteteve prodhuese të sferave të ndryshme, liberalizimin e çmimeve, etj., dhe legjislacionin përkatës – janë premtuese.
Puna është: të ecet pa u ndalur, pa ekstremizma dhe me programe perspektive. Njëheri koha dhe zhvillimet e sotme, në këtë fund shekulli – kanë nxjerrë në mënyrën më të mprehtë çështjen kombëtare gjithëshqiptare. Një shekull më parë, u ndodhëm, siç dihet, para: ose do të bëhet Shqipëria më vete, ose s’do të bëhet dhe…! Zgjidhja nuk qe e plotë: edhe u bë, edhe vendi u nda më dysh.
Çështja mbeti e hapur. U nëpërkëmb, u la në heshtje, doli e ridoli, pati dhe tradhtira. Tok me demokratizimin e vendit në Shqipërinë mëmë, zhvillimet e sotme në Kosovë – lëvizja mbarë- popullore për liri e demokraci, shpallja e republikës dhe referendumit, atë për këtë, rivunë në rend të ditës çështjen e unitetit të kombit, për zgjidhje të plotë e përfundimtare, por kësaj here, më me forcë, si një diçka e vonuar, që nuk mban më.
(Me duhet të theksoj, se mendimet këtu pajtoheshin. Të dy bëmë vërejtje mungesën e një strategjie unike dhe disa qëndrime jo të hapura e pak të qarta partiake e, të personave të veçantë që bien më sy herë pas here, e duhen kapërcyer.)
AI: – Erdhe atje ku e nisa unë – ja si zhvillimet dhe dinamika e ngjarjeve, kërkojnë angazhime më konkrete për të cilën të fola.
UNË: – Ku të lë ti! Edhe unë u shpjegova, më duket. Nuk them se kështu duhet të bëjnë të gjithë, as më duken me mend. (Pasi bëri edhe ndonjë pyetje e vërejtje plotësuese, arritëm të kuptoheshim, të paktën nuk më kundërshtoi. S’e di nëse munda t’i shprehja qartë gjithë sa pata më mendje. Nuk pretendoj se janë kështu e jo ndryshe. Thashë se do ta linte me aq, mirëpo jo – vazhdoi)
AI: – Më fole aty më parë për vitet e burgut, dua të bëj një pyetje: si e mendon sot futjen në burg dhe mbajtjen aq gjatë?
UNË: – Më saktë, nuk është një, por janë dy pyetje, por që lidhen… Kemi folur për këto një herë, s’po të kuptoj ku rreh?!
AI: – Thjesht: përse duhej?
UNË: – Për të parën, them të drejtën, nuk pata menduar se do të shkohej deri atje. Ti pyet përse? Këtë pyetje e kam bërë edhe unë dhe jo vetëm për veten. Por shpejt e mblodha mendjen: diktatorët të tillë janë, shiko t’i bësh ballë! Dhe sa herë u ndodha keq, i përsëritja vetes, duke gjetur forcë, këto vargje të burrit të mençur Luigj Gurakuqit:
“Veç një qëllim i naltë të ban me durue
e zemrën ta forcon
ndër kundërshtime nuk vyen me u ligështue
mjerë ai që nuk duron”!
Kaq të mjafton? Prit! dua të shtoj diçka. Duke kaluar atyre labirinteve të qelive, gjatë hetuesisë e më pas të burgut famëkeq të Burrelit, nën ato trysni torturuese fizike e psikike, mendoja shpesh se, shumë të tjerë kaluan nëpër ato tunele dhe më vinte keq, pse nuk kam ditur, për sa ndodhnin brenda tyre!
Diku thellë edhe e fajësoja veten për këtë. Kjo më bëri që prej andej, të mos heshtja, por disa herë u shkruajta atyre që ishin në fuqi, që të mos thoshin nesër, se nuk dinin gjë për ato padrejtësi, veprime të paligjshme e regjim terrori, të atyre viteve. Të rënda gjithë sa kanë ndodhur, të cilat duhen njohur, pranuar e ndrequr. Është kjo një kërkesë e një thirrje, që kjo të bëhet doemos e nga të gjithë – shteti e shoqëria, e ata që në një masë, ose tjetër, mbajnë barrë për sa kanë ndodhur aq egërsisht e shëmtuar.
– Për të dytën, vlen të qartësoj, se unë kam dalë nga burgu, me dekretin e fundit të Presidentit të Kuvendit Popullor (vetëm dy javë para zgjedhjeve të 31 marsit ’91) për lirimin e të burgosurve politikë, që u shpall nën presionin e partive politike të sapo krijuara e, të zgjedhësve në mitingjet masive brenda vendit, si dhe presioneve nga jashtë.
Nga ana tjetër, është revoltues fakti që; në dekretin e shpallur në shtyp, u përdor fjala “falje” e jo “lirim”, sipas ligjit edhe “pafajësi”? Nuk, është e njëjta.
Viktimat nuk falen, kurse këta po, mund të falin. Ata lirohen ose shpallen të pafajshëm dhe u kërkohet ndjese publikisht, çka pushtetmbajtësit në atë kohë, nuk e bënë, nuk e patën atë guxim. Kështu isha shprehur që më parë, sa u pat folur, se nuk pranon të dalë nga burgu me falje. Sikur nuk qenë mjaft, gjithë sa qenë bërë e, hequr qelive të burgjeve, kampeve skëterrë të punës dhe internimeve, por duhej t’u bëhej edhe kjo fyerje akoma, duke iu thënë: shkoni tani, dilni, ju kemi falur! Kurse duhet të pranohet, se janë shkelur ligjet, janë bërë krime.
(E pashë se këtu u prek dhe më dha të drejtë, dëgjoi me vëmendje, desh të dinte akoma dhe shpërthente gjithë mllef, më shumë se unë. Më kërkoi të falur për ngacmimet që më bëri, por nuk hoqi dorë nga e tija).
AI: – Prapë ngul këmbë. Sa më fole më bindin edhe më shumë se duhet, të dalësh nga ai rreth disi i ngushtë, kështu e mendoj. Ti më flet për punën krijuese dhe se i je futur asaj, por a nuk është kjo, një mbyllje brenda një sfere, pak si të ngushtë për kohën?
UNË: -Jo, pse? Nuk është ashtu – krijimtaria, atë mendoj edhe për punën shkencore, nuk janë aspak sfera të ngushta, përkundrazi. Meqë më ngacmove, më lër të shpjegohem:
– Kam vënë re nga biseda që kam patur rast të bëj, me shokë e miq të ndryshëm, se pak vëmendje i kushtohet punës krijuese – gjë që bie në sy edhe në shtypin letrar, botimet, skenat e teatrove, etj. Mbisundon mendimi, se tani është kohë tjetër – të gjithë e gjithçka, i kushtohen politikës. Ka edhe një ri-stepje. Shpesh pyetet, jo pa shqetësim, nga vetë autorët, që nga ata më të njohurit, jo pa keqdashje, edhe nga ata që vetë s’kanë dhënë gjë dhe duan të shfajësohen, duke a hedhur fajet të tjerëve, lidhur me krijimtarinë e derisotme: ç’do të mbetet e, ç’ka jo?
Të tjerë thonë, se duhet një periudhë refleksioni e meditimi, që edhe mund të zgjatë pak, derisa të marrin veten. Disave nga të vjetrit në moshë, u duket se nuk u mbetet kohë, për të fituar atë që humbën. Të rinjtë janë në kërkim, për të pozicionuar individualitetet e tyre. Një farë topitje shkakton edhe përgojimet, me doza nihilizmi e hakmarrjeje, që arrijnë edhe në shpifje e fyerje ,për persona të veçantë. I quaj pa vend të gjitha këto, deri kur do të vazhdojmë kështu? Diktatura na i la trashëgim, mendësi e praktika të tilla, t’i flakim tej, sa më parë, kjo na kërkohet dhe duhet ta bëjmë.
Si? Duke i lënë fjalët e tepërta, britmat, pritmëritë, ngurrimet, shfajësimet dhe duke iu vënë punës me ngulm.
– Jam i mendimit se para krijimtarisë, hapen sot fusha të pa anë dhe bien barrë historike. Do të përpiqem të argumentoj. A themi se vendi, shoqëria dhe njerëzit – këto janë edhe objekti ynë si krijues – kalojnë sot, nëpër një krizë të thellë ekonomike, politike, morale, të ndërgjegjes, të besimit, intelektualë, etj. Trauma të mëdha la periudha e diktaturës, me bëmat e kohëzgjatjen e saj. Në qoftë se ato do të shfaqeshin, në pamjet e jashtme të njeriut, në fytyrë e trup, do na dilte përpara një llahtar. Mirëpo traumat, për të cilat bëhet fjalë, janë psikike, të brendshme, jo të dukshme. Për të mos u zgjatur, po të lexoj diçka nga një shkrim që kam botuar aty më parë dhe pastaj vazhdojmë, (u ngrita, mora një gazetë “Zëri i Rinisë” që kisha në dosje dhe fillova të lexoj): “U takon shkrimtarëve e artistëve, mendoj, më shumë se kujtdo t’i gjurmojnë, të zbulojnë e t’i trajtojnë ato duke i ngritur në art.
Kjo është… e mund të bëhet, jashtë çdo recete e diktati, një nga fushat e pafund premtuese nga të marrin nxitje shumë tema, ngjarje, situata e personazhe komplekse, konflikte e analiza të mprehta psikologjike, morale e etike me mesazhe shumë dimensionale, që presin dorën e artistit, janë të sferës së tij. Sigurisht, krahas traumave, krizave nga më të ndryshmet, zhgënjimeve, vuajtjeve, dashurive e urrejtjeve, jetojnë e lindin edhe veti të tjera me tipare nga më cilësoret njerëzore për të nesërmen. Kemi këtu një ndërthurje e luftë të pandërprerë, edhe shpërthyese, të mirës me të keqen, të frikës me guximin, të protestës me nënshtrimin, të virtytit me vesin, të ligësisë me mirësinë, të ndershmërisë me poshtërsinë, etj., etj. Çfarë më shumë se këto, do të donte shkrimtari e artisti? Pra, të mos qahemi nesër për ato që nuk bëmë. Është ky një mendim, vlen mbase të diskutohet”.
AI – Të mora vesh, e kam të qartë. Në këtë fushë nuk ia dal në krye me ty, por unë s’e pata fjalën këtu.
UNË: – Dale, prit… meqë ndodhem në ujërat e mia, desha të ndalem pak edhe: – Te kriza e ndërgjegjes. Këtë e ndjejmë, në një mënyrë ose një tjetër, të gjithë si krijues. Pra, edhe paraqitet ajo aq komplekse, dukshëm edhe me ndjenja fajësie nga secili, kush më shumë e kush më pak. Përjeton i gjithë vendi një proces pastrimi, nga një e shkuar që e rëndoi aq shumë. Gjithçka, pra, zien rrotull nesh e në veten tonë – në shpirtrat njerëzorë. A ka fushë më të gjerë e më të begatë, njëheri me shumë të panjohura e të papritura për gjurmime, kërkime e zbulime se kjo për krijuesit, nga burojnë e mund të marrin udhë një pasuri e larmi e pafund temash, të mbingarkuara me procese tejet shpërthyese? Dramat njerëzore, konfliktet e kundërshtitë, ngjarjet tronditëse e personazhet komplekse, i kemi gjithandej, me përmasa e ngjyra nga më të ndryshmet. Një gjendje tejet e ngarkuar kjo, krejt e veçantë dhe e ndërthurur me plagë shpirtërore, zhgënjime, pasione e strese, ëndrra e shpresa. Një botë në përmbysje, një tjetër në lindje./Memorie.al