Vazhdojnë kontrollet në Rrugën e Kombit nëpërmjet makinave inteligjente dhe radarëve, me qëllim konstatimin e të gjitha shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, ku si rezultat janë pezulluar 82 leje drejtimi dhe janë vendosur 156 gjoba.
Gjatë paradites së djeshme deri në orët e vona të mbrëmjes, makina inteligjente dhe radari automatik kanë skanuar shpejtësi 100 km/h në rrugën Milot – Rrubik, si dhe nga 145 km/h deri në 191 km/h, në Rrugën e Kombit, në kushtet e lagështirës në rrugë, ku rreziku është akoma edhe më i madh, për t’u përfshirë në ngjarje rrugore.
Gjatë monitorimit janë konstatuar shumë drejtues mjetesh, të cilët, krahas qarkullimit me shpejtësi mbi normat e lejuara, përdornin dhe aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit, si dhe shumë prej tyre nuk kishin vendosur rripin e sigurimit, konkretisht:
٠39 drejtues mjetesh, krahas qarkullimit me shpejtësi mbi normën e lejuar, janë ndëshkuar edhe për mosvënie të rripit të sigurimit;
٠54 drejtues mjetesh, krahas qarkullimit me shpejtësi mbi normën e lejuar, janë ndëshkuar edhe për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit, si dhe
٠35 drejtues janë evidentuar duke i kryer të treja shkeljet njëkohësisht, qarkullim me shpejtësi mbi normën e lejuar, mosvënie të rripit të sigurimit, si dhe përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjetit. Masat administrative për këta drejtues mjetesh, kanë variuar nga 30.000 lekë të rinj deri në 100.000 lekë të rinj.
Policia Rrugore bën apel për zbatimin e rregullave të qarkullimit rrugor për të gjithë përdoruesit e rrugës.