Paraja është vetëm një mjet, që mund të të shëtisë ku të duash, por vendin e shoferit nuk ta jep, thoshte Ayn Rand. Kjo mesele duket se ka prekur opozitën e zjarreve dhe grevave, kur drejtohej nga marionetat e Sali Berishëas dhe Ilir Metës. Me duart në një thes të dyshimtë, si Basha ashtu edhe Kryemadhi paskan menduar se do të bëheshin ‘shoferë’ në vendin e tyre me paratë e Rusisë.
Kryetarja e LSI-së sot ndodhet para fakteve që kryesisht janë fatura që lidhin atë me oligarkë rusë. Është fat i madh që teksa KQZ-së ia hedhin prej vitesh duke mosdeklaruar burimet financiare, medias dhe opinionit publik nuk po i shpëton dot këtë herë. Zonja që ka në pronësi vilën me tualet edhe për macen e ka thelluar edhe më tej bindjen se është përlyer në financime të paligjshme të ardhura nga jasht vendit. Tre javë më parë, në studion e ‘Opinion’ gruaja e ish presidentit u betua se do t’i drejtohej SPAK-ut të zbardhte të vërtetën.
Nervoze para pyetjeve të gazetarit, Kryemadhi tha shprehimisht kështu: “Po ti, më thërret mua për koalicionin dhe më pyet për mashtrimet e kësaj? Unë do t’i drejtohem edhe prokurorisë së Tiranës, SPAK-ut që ta hetojë këtë çështje”…Nga 16 marsi e gjer më sot nuk kemi parë ende t’i drejtohet ndonjë organi hetimor për të pastruar figurën e saj.
Përballë këtyre betimeve bajate që i kemi dëgjuar që kur do kalonim sipër trupit të saj që në kohën e Teatrit, tashmë ka disa kërkesa të njëpasnjëshme nga mazhoranca e Kuvendit. Deputetët socialist po i bëjnë thirrje Drejtësisë të nisë hetimet, apo së paku të shprehet për faturat me emër, firmë e vulë.
Dhe në të vërtetë, interesi publik sot nuk është se çfarë do të bëjë opozita, por çfarë do të bëjë drejtësia. Jo vetëm për të treguar me vendim hipokritët, por edhe për t’i dhënë fund shit-blerjeve si kuislingë nga i huaji i parë që iu afrohet.