Dumani në krye të SPAK/ Lesi: Viti i prangave në nivele të larta, Mediu ‘peshk i vogël krahasuar me të tjerët! Vangjeli: Politikanët, të frikësuar, nuk dihet limiti i arrestimeve

12 Janar 2023, 18:58| Përditesimi: 12 Janar 2023, 22:33

  • Share

Rikthimi i akuzave dhe marrja në pyetje e ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu për tragjedinë e Gërdecit vetëm pak kohë pasi Altin Dumani u zgjodh në krye të SPAK, ka ngjallur shumë diskutime dhe pasiguri skenën politike shqiptare.

Analisti, Nikoll Lesi deklaroi se me Dumanin në krye të SPAK, gjatë këtij viti mund të kishte arrestime në nivele të larta të politikanëve që kanë dominuar skenën politike shqiptarëve gjatë 30 viteve të fundit. I ftuar në emisionin “Kontrast” me gazetarin, Denis Minga në Report TV, Lesi tha se Mediu do të ishte ‘peshk i vogël’ krahasuar me arrestimet që pritet të realizohen.

“Mund të them që Arben Kraja për mua është një personalitet që hodhi themelet e SPAK-ut ndërsa konturet e muret, do t’i realizojë Dumani. Siç pamë, Dumani mesa kam dëgjuar, është njeri korrekt, i pakorruptuar dhe besoj se ky vit do jetë viti i prangave deri në nivele të larta. Do ketë ndëshkime dhe penalizime të shumicës së politikanëve të këtyre 30 viteve. Mediu do jetë peshk i vogël në krahasim me ata që mendoj se do jenë përtej Mediut”- u shpreh analisti.

Lesi shtoi se interesat strategjike që SHBA ka ndaj Shqipërisë, kërkojnë që në krye të vendit të ketë një klasë politike të pakorruptuar dhe si rrjedhojë pritet të ketë ndëshkime të politikanëve të nivelit të lartë.

“Besoj se këtë vit, do kemi ndëshkime mbi ato nivele për të cilat kemi folur deri tani. Kjo është një reformë që është e iniciuar nga amerikanët. Kanë interesa strategjike në Shqipëri, duan vend pa një klasë politike të korruptuar siç është aktualisht në Shqipëri. Por nevojitet një periudhë 2 apo 3 vjecare që të bëhet një pastrim. Sipas meje nëse njëri njëri prej treshes që kanë dominuar politikën ‘Meta-Berisha-Rama", ikën tek vendi, atëherë këputet zinxhiri.

Ky mendim i Lesit u mbështet edhe nga analisti, Lorenc Vangjeli i cili u shpreh se figura e Dumanit si një prokuror i pakorruptuar, ka ngjallur shumë frikë tek politikanët e rangut të lartë në Tiranë. Ai tha se nuk dihet se ku mund të jetë limiti i SPAK me hetimet dhe arrestimet që mund të ndodhin në të ardhmen duke pasur parasysh se vite në Shqipëri, ka pasur pandëshkueshmëri të lartë.

“Mendoj se nuk do ketë limit. Fakti që do kemi pandëshkueshmëri të lartë ndër vite mund të ketë kthim pas të hetimeve por nuk dihet se ku do jetë limit. E rëndësishme është që drejtësia të jetë balancues i dy pushteteve të tjera, që deri më tani nuk kanë qenë në balancë. Unë jam dakord me Lesin edhe me portretizimin që i bëri kreut të SPAK-ut.

Dumani është një lloj prokurori që nëse do i dilte vetvetja përpara në shkelje, do i vinte prangat edhe vetes. Kjo është arsyeja pse në Tiranë ka frikë. Ne ndjejmë frikën dhe dridhjen pikërisht sepse nuk dihet se deri ku do shkojë puna e SPAK-ut me në krye Dumanin. Mund t’ju them se askush nuk është i papërjashtuar. Ky është thelbi i frikës që po ndjejmë në Tiranë”-tha Vangjeli.

Ora 19:14
Situata brenda PD-së dhe zgjedhjet e 14 majit/ Nikoll Lesi: Nëse vula i jepet Alibeajt, Shkodra mund të fitohet nga PS! Durrësi dhe Elbasani, bashki të diskutueshme

Për situatën brenda Partisë Demokratike, analisti Nikoll Lesi u shpreh në studion e emisionit ‘Kontrast’ në Report TV se gjykata e Apelit do t’i jepte përgjigjie jo më shpejt se pak ditë para se të përfundojë afati i regjistrimit në KQZ për zgjedhjet lokale të 14 Majit.

Sipas tij, bëhet fjalë për një lojë të qeverisë dhe disa prej ndërkombëtarëve për të shkatërruar partinë Demokratike.

“Vendimi i gjykatës së Apelit do jepet në kufijtë e fundit të regjistrimit në KQZ. Do ia japin mbase 3 ditë para mbarimit të afatit. Vulën do e marrë Enkelejd Alibeaj. Kjo është lojë e ndërkombëtarëve dhe qeverisë për ta shkatërruar PD-në”-tha Lesi.

Ndërkohë sa i takon Alibeajt, analisti u shpreh se ai nuk ka elektorat dhe shtoi më tutje se nëse ndodh që vula t’i jepet këtij të fundit, atëherë rrezikon që Partia Socialiste të fitojë për herë të parë bashkinë e Shkodrës që prej 32 vitesh njihet si bastion i PD-së.

“Alibeaj nuk ka elektorat, nuk ka logjikë të marrë ai vulën, për këtë punë nuk është. Po të jetë Alibeaj që ka vulën e PD-së, rrezikon që në 14 maj PS mund të marrë Shkodrën pas 32 viteve. Me një Benet Beci që ka shumë përkrahje dhe lëvizjen e Agron Çelës që ka shumë vota në Shkodër, rrezikon që  PS të marrë Shkodrën”-shtoi analisti.

Lidhur me parashikimet e tij për rezultatin në disa prej bashkive më të mëdha të vendit, Lesi tha se në Tiranë fitorja e Veliajt ishte e padikustueshme, në Shkodër PS ka mundësi të fitojë, ndërsa u shpreh se grupimi i Berishës ka mundësi të fitojë në Durrës dhe Elbasan.

B.V/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?