Dumani në krye të SPAK, Patozi: Më mirë të monitorojë Kim se politika jonë! Situata e PD? Keqardhje sesi është katandisur  

17 Dhjetor 2022, 12:18| Përditesimi: 17 Dhjetor 2022, 12:23

  • Share

Zgjedhja e Altin Dumanit si kreu i SPAK nuk ka sjellë vetëm interpretime për pritshmëritë e tij në Prokurorinë e Posaçme, vëmendje mori edhe prezenca e ambasadores së SHBA Yuri Kim në KLP.

Disa e kanë cilësuar si të panevojshme e disa të tjerë si të duhur, opinioni publik është ndarë në “kampe” ku një pjesë e sheh presion e një tjetër e sheh si edukim. I ndërmjetëm ka qenë opinioni i ish deputetit demokrat, Astrit Patozi në Sot Live në Shqipëri me gazetarin Nertil Agalliu, ku u shpreh me fjalë të tjera, edhe pse nuk ishte fort dakord me praninë e kryediplomates, se ishte “zgjedhja” më e mirë e mundshme. Duke i cilësuar politikanët si individë të cilët i shtrijnë tentakulat në çdo segment, Patozi shpjegon se përpara opozitës e mazhorancës, do të zgjidhte ambasadoren që të administronte procesin e rëndësishëm siç është edhe përzgjedhja e kreut të ri të SPAK.

Më tej, Patozi foli edhe për rezervat e reformës në drejtësi.

“Unë them ky është një lajm i mirë për Shqipërinë. Do varet nga performanca e drejtuesit të ri sigurisht. Unë jam skeptik për reformën në drejtësi. Më mirë një reformë e çalë sesa mos kemi fare. Tani pas 6 vitesh pas miratimit të saj në parlament si qëndroj të njëjtës pikëpamje. Është e zvarritur. Politika është shumë aktive në çdo segment.

As mua s’më pëlqen që të shoh ambasadoren në institucionet shqiptare. Por, jam po aq i bindur që për aq kohë sa ka ndërhyrje nga politika e pisët shqiptare, faktori ndërkombëtar s’është negativ. Ndaj, them që mes ndërhyrjes së ambasadores, kryeministrit e opozitës do zgjidhja këtë të parën. Pa shumë dëshirë por ne duhet të jemi mirënjohës atyre që herë pas here në këtë sherrnajë të përjetshme bëjnë rolin e moderatorit.”- tha Patozi.

Si një ish pjesëtar në shumë role në Partinë Demokratike, e parë “nga larg” në sytë e ish deputetit të selisë blu ka vetëm keqardhje për katandisjen e një force opozitare.

Çdo moment që kalon pa bashkim, Partia Demokratike e ka si dëm të rëndë në kurriz së vetes së vet, shpjegon Patozi.

“Kam keqardhje për katandisjen të forcës kryesore të opozitës. Ndaj mendoj që PD, duhet ta konsumojë sa më shpejt konfliktin e saj të brendshëm,. Të dalë mundësisht përpara zgjedhjeve ndaj një sherri që ka marrë përmasa të mëdha. Çdo çast që kalon është në dëm të vetes së vet.”- përfundoi ai.

Altin Dumani u zgjodh në krye të SPAK të premten duke marrë 5 vota nga 10 anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë që morën pjesë në zgjedhjen e kryeprokurorit të Prokurorisë së Posaçme. Ndërsa Edvin Kondili u rendit i dyti me 4 vota dhe Adnan Xholi mori vetëm një votë. Dumani është drejtuesi i dytë i SPAK që prej krijimit të këtij institucioni kyç që pas reformës në drejtësi. Mandati i Dumanit është 3-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi.  Kjo ishte hera e dytë që Dumani kandidoi për të marrë drejtimin e Prokurorisë së Posaçme, pasi herën e parë nuk fitoi përballë Arben Krajës.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?